U publikua ndjeti i Papës Françesku për muajin mars 2023, që kësaj radhe u kushtohet viktimave të abuzimeve, sidomos “atyre të kryera nga anëtarët e Kishës”. Përmes videos së përhapur në gjithë botën nga Rrjeti Botëror i Lutjeve të Papës, Ati i Shenjtë kërkon që këto viktima “të gjejnë në vetë Kishën përgjigjen konkrete për dhimbjet dhe vuajtjen e tyre”.
Për Papën Françesku, viktimat duhet të jenë “në qendër” të gjithçkaje; kanë nevojë për “përgjigje”, për “veprime konkrete që të shërohen nga tmerret e pësuara, të cilat nuk duhet të përsëriten”. “Kërkimi i faljes është i domosdoshëm – këto janë fjalët e Atit të Shenjtë, në fillim të videos – por nuk mjafton”.
Dëgjim, shoqërim, mbrojtje
Në rrugën e propozuar nga Ati i Shenjtë për t’iu përgjigjur abuzimeve, duhet filluar nga “nxjerrja e tyre në dritë, në shoqëri e në familje”. Është tragjedi, që nuk mund të fshihet: as në Kishë, as “në familje, as në klube, as në lloje të tjera institucionesh”. Është thelbësore, vazhdon Françesku, që Kisha të krijojë “hapësira të sigurta për t’i dëgjuar viktimat, për t’i shoqëruar psikologjikisht dhe për t’i mbrojtur”.
Lulet, drita, jeta që rifillon
Shqetësimi i Françeskut për viktimat dhe thirrja e tij për të nxjerrë në dritë abuzimet shoqërohen këtë muaj nga një film vizatimor që Rrjeti Botëror i Lutjeve të Papës e ka realizuar së bashku me artistin italian Hermes Mangialardo. Në video tregohet një histori me përmbajtje simbolike, që flet për kundërvënien e dritës dhe errësirës, duke nxjerrë në pah veçantinë e çdo jete dhe vuajtjet e thella të shkaktuara nga dhuna e abuzimit.
Në muret e një shtëpie të errët, në të cilën perde të rënda bllokojnë hyrjen e diellit, varen piktura – simbol i veprës së artit, që përfaqëson çdo jetë – në të cilat lulet thahen pikërisht nga mungesa e dritës. Janë piktura të llojeve dhe të ngjyrave të ndryshme, disa të përfunduara deri në hollësitë më të vogla, të tjera vetëm të skicuara nga një dorë fëminore. Shihen në dhomat e ndryshme të shtëpisë: në dhomën e gjumit të fëmijëve, në këndin për sport, në dhomën e ndenjes.
Të gjitha ambientet, krejt të ndryshëm nga njëri-tjetri, kanë të përbashkët errësirën që mbizotëron, derisa perdet në dhomën e ndenjes grisen dhe më në fund, e lejojnë dritën të hyjë: rrezet e diellit jo vetëm e ndriçojnë shtëpinë, por bëjnë që ato lule gati të vyshkura – të cilat as korniza e as xhami nuk mundën t’i mbrojnë nga dhuna, që u depërtoi në thellësitë e qenies – të rikthehen në jetë dhe dalëngadalë ta ngrenë sërish kryet, pavarësisht se shenjat e plagëve mbeten.
Ja teksti i plotë i videos së Papës
Para abuzimeve, veçanërisht para atyre të kryera nga anëtarët e Kishës, nuk mjafton të kërkohet falje. Kërkimi i faljes është i domosdoshëm, por nuk mjafton. Kërkimi i faljes është mirë për viktimat, por ata duhet të jenë “në qendër” të gjithçkaje. Dhimbja dhe dëmi i tyre psikologjik mund të shërohen nëse gjejnë përgjigje: veprime konkrete për t’i nxjerrë nga tmerret, që kanë pësuar, duke parandaluar përsëritjen e tyre.
Kisha nuk mund ta fshehë tragjedinë e abuzimeve, të çdo lloji qofshin. Nuk duhet të fshihen as abuzimet në familje, në klube, në institucione të tjera. Kisha duhet të jetë shembull në ndihmën për gjetjen e zgjidhjeve e për nxjerrjen e tyre në dritë, në shoqëri e në familje. Është Kisha ajo, që duhet të krijojë hapësira të sigurta për t’i dëgjuar viktimat, për t’i shoqëruar psikologjikisht dhe për t’i mbrojtur.
Të lutemi për ata që vuajnë, për shkak të së keqes, pësuar nga anëtarët e bashkësisë kishtare: në mënyrë që të gjejnë në vetë Kishën përgjigjen konkrete për dhimbjen dhe vuajtjen e tyre.
Video në Italisht