Deklarata “Rome Call for AI Ethics” për një qasje të ndërgjegjshme dhe kritike ndaj inteligjencës artificiale u nënshkrua dje në Vatikan nga të krishterët, hebrenjtë dhe myslimanët, në prani të drejtuesve të lartë të Microsoft dhe Ibm.
Algoritmet po shtrijnë me shpejtësi praninë e tyre në aspektet më të ndryshme të jetës dhe shoqërisë sonë, me një ndikim në rritje të sistemeve të inteligjencës artificiale të cilave ne u delegojmë – shpesh pa e vënë re – zona dhe informacione të ndjeshme që kanë një lidhje të drejtpërdrejtë me identitetin tonë. Papa ndërhyn për të kërkuar që të «vigjilojmë dhe punojmë në mënyrë që përdorimi diskriminues i këtyre mjeteve të mos zërë rrënjë në kurriz të më të brishtëve dhe të të përjashtuarve. Le ta kujtojmë gjithmonë se mënyra se si i trajtojmë të fundmit dhe më pak të vlerësuarit midis vëllezërve dhe motrave tona, tregon vlerën që i njohim qenies njerëzore. Mund të merret shembulli i azilkërkuesve: nuk është e pranueshme që vendimi mbi jetën dhe fatin e një njeriu t’i besohet një algoritmi».
AI [inteligjenca artificiale] dhe etika
Mundësia për ta trajtuar këtë çështje shumë aktuale erdhi me nënshkrimin në Vatikan, nga përfaqësuesit e tri feve abrahamike, të “Rome Call for AI Ethics”, një dokument i hartuar për të promovuar algoritmikën, pra zhvillimin e një reflektimi etik mbi inteligjencën artificiale dhe aplikimet e saj. “Rome Call” u nënshkrua përkatësisht për hebraizmin nga Rabini Eliezer Simha Weisz, anëtar i Këshillit të Rabinatit të Madh të Izraelit dhe për Islamin nga Sheik Abdallah bin Bayyah, president i Forumit të Abu Dhabit për Paqe dhe president i Këshillit të Emirateve të Bashkuara Arabe për Fetvën e Sheriatit, si dhe nga personalitete të rëndësishme nga bota teknologjike si Brad Smith, president i Microsoft-it dhe Dario Gil, zëvendës president global i IBM-së, dhe gjithashtu i nënshkruar nga FAO [Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë]. Inteligjenca artificiale duhet të përdoret në shërbim të së mirës së përbashkët dhe kujdesit të shtëpisë së përbashkët, për të promovuar drejtësinë dhe paqen në mbarë botën
Papa nënvizoi rëndësinë e identifikimit të «një etike të bashkëndarë në lidhje me sfidat e mëdha që po shfaqen në horizontin e inteligjencës artificiale» dhe shtoi se «marrëveshja juaj në promovimin e një kulture që e vendos këtë teknologji në shërbim të së mirës së përbashkët të të gjithëve dhe kujdesit për shtëpinë e përbashkët, është shembullore për shumë të tjerë. Vëllazëria mes të gjithëve është kushti që edhe zhvillimi teknologjik të jetë në shërbim të drejtësisë dhe paqes kudo në botë».
Studimet e algoretikës
[Algoretika=Studimi i problemeve dhe implikimeve etike që lidhen me zbatimin e algoritmeve]
“Rome Call” u kurua nga Fondacioni RenAIssance, president i të cilit është imzot Vincenzo Paglia, i Akademisë Papnore për Jetën dhe drejtor shkencor i të cilit është At’ Paolo Benanti, rregulltar i Urdhrit të Tretë rregulltar, tashmë i famshëm në mbarë botën për studimet e tij mbi këtë temë, profesor i Etikës së teknologjive në Universitetin Papnor Gregorian i cili shpjegoi për Formiche:
«Në “Rome Call for AI”, ajo që identifikohet si e përbashkët janë parimet e drejtësisë dhe respektit për qenien njerëzore, pra, ndërmjet makinës dhe njeriut, ajo që ka përparësi është njeriu. Dhe këtë e bashkëndajnë fetë dhe kompanitë. Pastaj, tri fetë, janë dakord edhe që, mbi të gjitha më të brishtit dhe të “fundmit”, duhet të respektohen nga makinat. Se nevojitet një AI që është e besueshme, pra që nuk udhëhiqet nga rastësia, por zgjedhjet e së cilës janë të justifikueshme në proceset e automatizimit. Se duhet të jetë e drejtë dhe, në një farë mase, transparente në procese».