IMZOT RROK MIRDITA, IN MEMORIAM

Nga Imzot Gjergj Meta

Është e pamundur të përmbledhësh në një shkrim personin, jetën dhe veprën e tij. Mendoj se me kohën dikush do të arrijë të shkruajë një monografi të plotë për një nga figurat më të rëndësishme të Kishës Katolike të periudhës post-diktaturë në Shqipëri, Imzot Rrok Mirdita, Arqipeshkëv i Tiranë-Durrësit nga viti 1993 deri në vitin 2015. Nuk kam ndërmend të bëj një kronologji historike të jetë së tij, por me këtë shkrim, në përvjetorin e pestë të kalimit të tij në amshim, dëshiroj të risjell disa nga kujtimet e mia personale rreth figurës së Imzot Rrokut.

Diku nga viti 1992, në një revistë fetare të atyre viteve, ndoshta Kumbona e së Djelës, në kopertinën e saj, gjendej një foto e të gjithë meshtarëve të mbijetuar të komunizmit, mes të cilëve ishte edhe dom Rrok Mirdita. Aty për herë të parë kam dëgjuar emrin e tij dhe kam parë fytyrën e këtij meshtari, i ardhur nga jashtë e që pas pak muajsh do të ishte Arqipeshkëvi i Dioqezës ku unë jam lindur e rritur. Asohere ai kishte ardhur nga New Yorku e, nëpërmjet Malit të Zi, kishte hyrë në Shqipëri. Ai në fakt ishte lindur në Mal të Zi, pikërisht në një nga fshatrat e Ulqinit, në Kllezën. 

E kujtonte gjithmonë këtë çast të ardhjes së tij në Shqipëri e sidomos dy momente të asaj vizite. E para kur kishte shkuar në Malësi të Madhe e kishte thënë meshë  atje. Kujtonte se si kishte mbetur i befasuar nga turmat e njerëzve që vinin nga çdo anë nëpër male për të marrë pjesë në meshë. Aty kishte kuptuar që, ndryshe na ç’propogandohej vazhdimisht gjatë komunizmit, besimi në zemrat e njerëzve kishte jetuar e mbijetuar. Ato turma ishin dëshmia e gjallë e kësaj të vërtete. Dhe momenti i dytë, kur ai kishte mbledhur të gjithë meshtarët që i kishin mbijetuar komunizmit në restorant Rozafa në Shkodër dhe kishte kaluar një kohë të bukur së bashku. Prej asaj dite ishte edhe ajo fotografi në kopertinën e revistës.

Vetëm pak muaj pas asaj vizite, ndërkohë që ai ishte kthyer në qelën e tij në New York ku ishte famullitari i shqiptarëve, një telefonatë e Arqipeshkëvit O’Connor e kishte lajmëruar se Papa Gjon Pali II e kishte emëruar Arqipeshkëv të Durrësit. Kur kujtonte këtë moment atij i binin ndërmend edhe fjalët e Kardinalit O’Connor që, duke perceptuar hutimin e tij, i kishte thënë të mbyllte telefonin e të dëgjoheshin më vonë. Në atë kohe ai, si famullitar i famullisë së zojës së Shkodrës në New York, sapo kishte mbyllur kontratën për blerjen e tokës ku do të ngrihej më vonë ndërtesa e Kishës në Harstdale, aty ku është ende sot e kësaj dite. I duhej të linte tashmë gjithçka për të nisur nga e para një aventurë të re, pikërisht në Shqipërinë postkomuniste. 

Nuk ishte e lehtë aspak të rinisje diçka nga fillimi e sidomos në Shqipërinë e rrënuar nga të gjitha pikëpamjet. Ishte një Kishë për t’u rindërtuar, jo vetëm nga muret, por sidomos gurët e gjallë, njerëzit. Nëse ka diçka që e ka karakterizuar gjithmonë atë njeri ka qenë realizmi dhe aryeja praktike. Ai e dinte mirë qysh në fillim se rrugëtimi do të ishte i gjatë dhe i lodhshëm, por ai ishte i gatshëm ta bënte atë rrugëtim. Banesa e tij e parë në vitin 1993, menjëherë pas rënies së regjimit komunist, ishte rezidenca te Vilat e Gjermanëve. Aty e kam njohur për herë të parë, vetëm pak muaj pasi ishte emëruar si ipeshkëv, pikërisht më 9 janar 1994, kur u paraqita te ai për të hyrë në seminar. Nuk e kisha pasur perceptimin e tij më parë dhe para meje u shfaq një burrë i shkurtër, por me një shikim të zgjuar dhe sens të spikatur humori. Ndërkohë ai nisi menjëherë organizimin e Dioqezës, për rindërtimin e kishave, apo ndërtimin e atyre të rejave. Misionarët katolikë kishin ardhur nga vende të ndryshme e ia kishin nisur punës. E ai nuk përtonte të shkonte kudo ta thërrisnin për meshë, në çdo katund e famulli. 

Ndërkohë misioni i tij po bëhej gjithnjë e më i hapur sidomos në relacionet me faktorë të tjerë të jetës dhe shoqërisë shqiptare, sikurse me religjionet e tjera dhe me faktorin politik e kulturor. Mund të themi se ai e njihte mjaft mirë mentalitetin shqiptar, pasi kishte jetuar gjithmonë me dhe mes shqiptarësh, por sigurisht që shqiptarët që gjente në Shqipëri kishin pësuar një shndërrim e për këtë ndoshta iu ka dashur të mësohet me kohën e të rinisë nga e para njohjen e shqiptarëve e sidomos të plagëve të tyre nën regjimin komunist. Në pak kohë Imzot Mirdita u kthye në një pikë referimi edhe për shoqërinë shqiptare, me prononcimet e tij, takimet dhe mesazhet që herë pas here përcillte për publikun, sidomos me rastin e festave të Krishtlindjes dhe Pashkëve.  

Ndër shumë gjëra dy kanë  qenë konstante në jetën e tij si bari i Arkidioqezës së Tiranë-Durrësit. Së pari ai e dinte se misioni i tij në atë Dioqezë ishte përtej kufijeve të saj, pasi ishte edhe në kryeqytetin e Shqipërisë. Kështuqë marrdhënia e tij me institucionet, mediat dhe kulturën ishte de facto marrëdhënia e Kishës Katolike në Shqipëri me to. Për asnjë çast nuk e kompromentoi as Kishën dhe as vendin e tij. Diti të mbajë raporte korrekte me të gjithë e të mos i rëndonte këto raporte me bindjet apo miqësitë e tij personale në rrafshin publik. Ishte njeri i Kishës dhe e donte shumë Kishën, por ishte edhe një shqiptar i mirë dhe e donte shumë Shqipërinë.

Së dyti besonte gjithmonë se dialogu ndërfetar e ka esencën e tij tek marrëdhëniet e mira personale me njerëzit, e sidomos midis udhëheqësve fetarë. Dhe këtë e bëri gjithmonë, sidomos me marrdhëniet e mira dhe korrekte me liderët fetarë, Haxhi Hafiz Sabri Koçin, Haxhi Selim Muçën, Skënder Bruçaj, Fortlumturinë e Tij Anastasios Janullatos, Baba Dedë Reshat Bardhi e baba Edmond Brahimaj, dhe pastorin Ylli Doçi. Qe ndër themeluesti e Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë dhe ndër presidentët e parë të Shoqërisë Biblike ndërkonfesionale të Shqipërisë.

Ndërkohë Kisha Katolike në Arkidioqezën e Tiranë-Durrësit, nën udhëheqjen e Imzot Mirditës rritej. Krijohen famulli të reja, hapen shkolla nëntëvjeçare dhe të mesme, dhe në Shqipëri vjen edhe Universiteti Katolik.

Dhurata e madhe që ai i dha asaj Arkidioqeze qe ndërtesa e Arqipeshkëvisë dhe Katedralja e shën Palit në zemër të Tiranës. Disa herë e dëgjoje tek thonte se pas shugurimit të Katedrales kushedi a do të viinë njerëz, por ajo ndërtesë u kthye në një profeci. Qysh ditën e parë njerëzit erdhën të shumtë dhe ajo Kishë u kthye në një pikë referimi për të gjithë katolikët në Tiranë, por jo vetëm. Shpesh Katedralja priti evente kulturore, sidomos koncerte të muzikës klasike. 

Vizita e Papa Françeskut në vitin 2014 mund të temi se ishte një tjetër moment kulmor i shërbesës së Imzot Mirditës si Arqipeskëv i Tiranë-Durrësit. E mirëpriti në Tiranë dhe madje në Katedralen e tij, aty ku Papa Françesku u përlot para martirit të gjallë të besimit, Dom Ernest Troshani të cilin më vonë e krijoi edhe Kardinal. 

Por koha nuk kursen askënd dhe ajo për ne njerëzit ka një limit të sajin e duket se për Imzot Mirditën u qëndroi “korrekte” këtyre limiteve. Papa Francesku ia kishte shtyrë edhe për dy vite të tjera mandatin në Arkidioqezën e Tiranës, pasi ai kishte mbushur 75 vjet, dhe ai kaloi në amshim pikërisht si Arqipeshkëv i asaj Dioqeze,  në vigjiljen e Zojës së Papërlyer. 

Ashtu sikur e ka përkufizuar edhe Arqipeshkëvi pasardhësi i tij, Imzot George Frendo, Imzot Mirdita qe ati dhe bariu i Arkidioqezës Tiranë-Durrës dhe u rradhit në emrat e ipeshkvinjëve që kanë udhëhequr për 2000 vjet këtë Dioqezë, e vetmja në Shqipëri që mund të krenohet për themelimin e saj apostolik. 

Ashtu si Agustini i Iponës para trupit të nënës së tij të vdekur edhe ne themi: nuk të themi o Zot pse na e more, por të falenderojmë për sa kohë e patëm mes nesh Imzot Rrok Mirditën.