11.5 C
Tirana
HomeKisha Universale150 vjet Botë dhe Mision. Papa Françesku: «Luftërat e harruara janë ...
HomeKisha Universale150 vjet Botë dhe Mision. Papa Françesku: «Luftërat e harruara janë ...

150 vjet Botë dhe Mision. Papa Françesku: «Luftërat e harruara janë mëkat»


Audienca për mediat e Institutit Papnor për Misionet e Jashtme: “Është e vërtetë që distancat janë shkurtuar, por doganat ideologjike janë shumëfishuar”.

Papa Françesku lëshon sërish një apel për të kujtuar luftërat e shumta, shumë të «harruara», të cilat nuk gjejnë hapësirë në masmedia. Këtë e bën duke pritur në audiencë në Vatikan redaktorët dhe bashkëpunëtorët e revistës Mondo e Missione (Botë dhe Mision) të Institutit Papnor për Misionet e Jashtme (it. = PIME) në 150-vjetorin e themelimit të tij. «Të jesh zëri i të pazërit është detyrë parësore e revistës, – pohon Papa – si dhe e nismave të tjera që PIME ka promovuar në fushën e komunikimit», si «agjencia AsiaNews». Të gjitha këto janë mënyra për të rrëfyer botën «duke e vënë veten në anën e atyre që nuk kanë të drejtën e fjalës ose nuk dëgjohen, në anën e më të varfërve, të pakicave të shtypura, të viktimave të luftërave të harruara». «Dua të nënvizoj këtë: luftërat e harruara», shtoi Papa, dhe vijoi: «Sot jemi të gjithë të shqetësuar dhe është mirë që është kështu, për një luftë këtu në Evropë, në dyert e Evropës dhe në Evropë, por ka pasur luftëra prej vitesh: më shumë se dhjetë vjet në Siri, mendoni për Jemenin, mendoni për Mianmarin, mendoni për Afrikën. Këta nuk hyjnë, nuk janë nga Evropa e kulturuar… Luftërat e harruara janë mëkat».

Françesku solli në vëmendje se revista Mondo e Missione, në lindjen e saj, quhej Le Missioni Cattoliche (Misionet Katolike) dhe “djepi” i saj ishte Seminari Lombard për misionet e jashtme dhe modeli i saj Les Missions Catholiques që Vepra për Përhapjen e Fesë kishte filluar ta botonte katër vjet më parë në Lion. «Jemi të goditur – nënvizon Papa – nga aktualiteti, moderniteti, horizonti i asaj nisme, e cila që në fillim shpreh dhe promovon një Kishë “në dalje”». Sepse «kur je në dalje mbetesh i ri», dhe «po qe se rri ulur aty, pa shkuar, plakesh shpejt!».

Françesku theksoi se revista lindi «për t’iu përgjigjur një nevoje të popullit të Hyjit: shumë donin t’i lexonin historitë e misionarëve – heroike! -, për t’u ndjerë afër tyre dhe veprave të tyre, për t’i shoqëruar me lutje». Që në fillim «ajo ishte bartëse e një vështrimi të gjerë, të hapur ndaj pasurisë së çdo populli dhe çdo Kishe vendore». Dhe ky fakt «mbetet edhe sot vokacioni i Mondo e Missione, siç u “ripagëzua” në vitin 1969, për të marrë frymën dhe mësimet e Koncilit II të Vatikanit në lidhje me misionin ad gentes». Papa pranon se ende sot «reportazhet dhe dëshmitë e drejtpërdrejta përfaqësojnë tiparin më karakteristik të revistës, falë rrëfimeve nga vende apo situata për të cilat pak të tjerë flasin». Nga «periferitë gjeografike dhe ekzistenciale, të cilat, në një botë ku komunikimi, për nga ana e jashtme, duket se ka shkurtuar distancat, vazhdojnë të mbeten të mënjanuara». Njëmend, «është e vërtetë që distancat janë shkurtuar, por “doganat” ideologjike janë shumëfishuar».

Si një revistë misionare, thekson më pas Papa, Mondo e Missione ka edhe «një detyrë tjetër specifike» që e karakterizon, ajo e «ndihmesës për të njohur misionin është në qendër». Ajo e «njohjes që misioni është në qendër», vëren ai; që t’u «kujtojë bashkësive të krishtera se nëse shikojnë vetëm veten e tyre, duke humbur guximin për të dalë dhe për t’ua çuar fjalën e Jezusit të gjithëve, ata do të shuhen». Është detyrë e saj të “tregojë se si Ungjilli, duke takuar popuj dhe kultura të ndryshme, na rikthehet çdo ditë në risinë dhe freskinë e tij».

Duke krijuar «dialog dhe miqësi edhe me ata që shpallin fe të tjera, duke e njohur veten si bij të një Ati». Sepse «realiteti shihet më mirë nga periferitë». Njëmend, në ato që vazhdojnë të konsiderohen si “periferi”, «misionarëve u ndodhte shpeshherë të zbulonin se Shpirti Shenjt kishte mbërritur aty përpara tyre». Kështu «ata që ishin nisur për të ungjillëzuar, të shumtën e rasteve, e gjetën veten duke marrë një Lajm të Mirë». Në këtë mënyrë, misionarët e djeshëm dhe të sotëm «ndeshin shpeshherë gëzimin dhe jetën e re që Ungjilli është në gjendje të përftojë». Dhe «një përvojë të tillë nuk është e mundur ta mbash për vete». Në këtë kuptim, përfundon Françesku, «bëhet gjithnjë e më e rëndësishme t’u jepet zë Kishave të reja dhe në rritje, bashkësive – ndonjëherë të themeluara nga PIME – të cilat sot shprehin dinamika të reja dhe premtuese, të bindura ndaj Shpirtit Shenjt».

(nga Avvenire.it)

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme