Minarja e Xhamisë së Et’hem beut dhe kambanorja e Katedrales së Shën Shtjefnit në Shkodër u bashkuan në dhuratën, që iu dorëzua Papa Françeskut nga Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, për vizitë në Vatikan.
Simbol i asaj bashkëjetese paqësore ndërmjet feve, për të cilën u fol gjerësisht gjatë audiencës së Atit të Shenjtë Bergoglio me Haxhi Bujar Spahiun, të premten në Vatikan.
Në qendër të bisedës, edhe marrëdhëniet ndërmjet shtetit e feve dhe kontributi i tyre në ruajtjen e vlerave njerëzore, sidomos në mbrojtjen e familjes si qelizë themelore e shoqërisë. U përmend Dokumenti i Abu Dabit mbi vëllazërimin njerëzor, që Myftiu, Haxhi Spahiu, siç i tha Atit të Shenjtë, e promovon dhe e përhap kudo në Shqipëri.
Dy krerët e lartë ndanë mendime të njëjta për rolin që luan feja në marrëdhëniet ndërnjerëzore, kontributin që ajo luan për ruajtjen e këtyre vlerave, sidomos në mbrojtjen e familjes, si qelizë themelore e shoqërisë, rol të cilin ata e vlerësuan si të pa çmueshëm.
Më pas, kreu i myslimanëve të Shqipërisë u takua me Sekretarin vatikanas për Marrëdhëniet me Shtetet, imzot Paul Richard Gallagher dhe me Kryetarin e Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, kardinalin Miguel Ángel Ayuso Guixot.