Të shtunën e Larit, 9 prill 2022, Kisha Dioqezane e Sapës, ka përkujtuar mundimet e Jezusit në Udhën e Kryqit zhvilluar në malin e Shën Markut në Vau Dejës.
Me pjesëmarrjen e shumtë të besimtarëve nga famullitë e dioqezës, janë bashkuar rreth bariut të kësaj grigje, Imzot Simon Kullit, dhe së bashku u përkujtuan mundimet e Zotit tonë Jezu Krishtit. Përmes përshpirtërisë së lutjes, uratës, meditimeve dhe këngëvë të kohës së kreshmeve, të gjithë besimtarët medituan mbi katërbëdhjetë ndalesat, që vetë Jezusi i hoqi, për të shpëtuar njeriun nga mëkati, dhe e pëshkuan me fe dhe mirënjohje Rrugën e Tij, duke u braktisur misterit të denjë të Atit.
Përveç pjesëve të Ungjillit, udha e kryqit ishte e mbushur me meditime mbi dënimin, vuajtjen, tradhëtinë, zemërdhembshurinë, solidaritetin, sipërfaqësinë, dekurajimin, pasigurinë dhe mosbesimin, të cilat janë edhe për ne sot pjesë të jetës sonë të përditshme dhe plagë që trazojnë shpirtin tonë. Ndaj si besimtarë i kërkojmë Zotit t’i pranojë kryqet tona të vogla si në ambjentet familjare, në ambjentet e punës ashtu edhe në ecjen e fesë tonë.
Përkujtimi i mundimeve të Krishtit në Kalvar, iu kushtua edhe situatës së luftës në Ukrainë, që Krishti të sjellë paqe dhe harmoni mes popujve.
Vetë bariu i Sapës, Imzot Simoni, në fjalën e rastit tha se, “Jezu Krishti është me ne çdo ditë deri në të sosur të botës. Ai me vdekje nuk është larguar nga kjo botë, por me ringjallje dhe me të ngjitur në qiell, pranishmëria e tij në botë është edhe më e fortë. Dhe kjo udhë e kryqit dëshiron të na ndihmojë që të dalim nga bota e mëkatit dhe të hyjmë në botën e Zotit”.
Në përfundim të kësaj ecjeje, me bekimin e dhënë nga Ipeshkvi të gjithë u mbushën në shpirt me falenderimin e Zotit Jezus që ka dhënë jetën e tij për ne dhe na ka hapur dyert e jetës me Zotin, burimi i gëzimit tonë.
Violeta Marashi