10.5 C
Tirana
HomeJeta e Kishës“Katër afërsitë” për të qenë besnik ndaj thirrjes në shërbimin meshtarak
HomeJeta e Kishës“Katër afërsitë” për të qenë besnik ndaj thirrjes në shërbimin meshtarak

“Katër afërsitë” për të qenë besnik ndaj thirrjes në shërbimin meshtarak

Dom Leonardo Falco

Prej datës 17 deri me 19 shkurt u mbajt në Romë një simpozium ndërkombëtar me temën “Për një teologji themelore të meshtarisë” e organizuar nga Kongregata për Ipeshkvijtë. Ngjarja pati si zanafillë një qëllim të dyfishtë. Nga njëra u kërkua të bëhet riformulimi i teologjisë së urdhrit të shenjtë duke vendosur në pah lidhjen e ngushtë me meshtarinë e përbashkët të besimtarëve e “ndoshta”, nga ana tjetër, ripërsëritja me këmbëngulësi e teologjisë dhe e disiplinës së sakramentit të urdhrit meshtarak, në një moment historik në të cilin në shumë kahje dhe këndvështrime vendoset në diskutim ose relativizohet. Në Lumen gentium lexojmë: «Meshtaria e përbashkët e besimtarëve dhe meshtaria mbarështuese apo hierarkike, megjithëse ndryshojnë thelbësisht dhe jo vetëm në shkallë, gjithsesi janë të renditura me njëra-tjetrën, pasi njëra dhe tjetra, secila në mënyrën e vet, marrin pjesë në të vetmen meshtari të Krishtit» (nr. 10). Besimtarët laik dhe klerik janë pjesëmarrës «në të vetmen meshtari të Krishtit». Në njëfarë mënyre një desakralizim i presbiterit për ta ndihmuar para së gjithash ta zbulojë vetveten si nxënës të Mësuesit, ende përpara se të jetë apostulli i tij. Sipas disave, një hapje e tillë mund të jetë një ndihmë për të mënjanuar llojet e ndryshme të abuzimeve, për të cilat për fat të keq shpesh dëgjojmë të flitet.

Ati i Shenjtë, Papa Françesku, hapi simpoziumin me një fjalim më se të bukur, që po mundohem ta paraqes shkurtimisht.

Duke e bërë të tijin stilin e Hyjit, që thelbësisht është një stil afërsie, dhembshurie dhe butësie, Papa Françesku tregon katër afërsi, katër shtylla konkrete, që mund të ndihmojnë secilin meshtarë për të rigjallëruar dhuratën e Hyjit që iu besua me vënien e duarve dhe me lutjen e shugurimit.

E para afërsi është ajo me Hyjin. «Kush mbetet në mua e unë në të, ai jep shumë fryt, sepse pa mua s’mund të bëni asgjë» (Gjn 15, 5). Meshtari para së gjithash është i ftuar të kultivoj këtë afërsi, intimitetin me Hyjin, e prej këtu mund të marrë të gjitha fuqitë e nevojshme për shërbimin e tij. Kështu siç lexojmë në Ungjillin e Markut Jezusi thirri të Dymbëdhjetët para së gjithash «që të jenë më të» (Mk 3,14). Pa një marrëdhënie domethënëse me Zotin mbarështimi i meshtarëve është i përcaktuar për t’u bërë i shterpë. Meditimi me qëndrueshmëri i Fjalës së Zotit ia mundëson secilit meshtarë të përballë jetën e vet me atë të vetë Jezusit e të mësojë që të mos shkandullohet prej asaj që i ndodhë. «Siç ishte për Mësuesin, –  nënvizonte Papa Françesku – do të kaloni përmes çasteve të gëzimit e të festave martesore, të mrekullive e të shërimeve, të shumimit të bukëve dhe të pushimit. Do të ketë çaste në të cilët do të jemi të lëvduar, por do të vijnë edhe orë të mosfalendërimit, të refuzimit, të dyshimit e të vetmisë, deri sa do të mund të themi: «Hyji im, Hyji im! Përse hoqe dorë prej meje!» (Mt 27,46). Afërsia me Jezusin do t’i ndihmojë meshtarët që të mos kenë frikë asnjërin prej këtyre momenteve, jo pse janë më të fortë se të tjerët, por sepse në ato çaste do të dinë t’i lartësojnë sytë drejt qiellit dhe të kapën për Jezusin.

Marrëdhënia birnore e Ipeshkvit dhe vëllazëria meshtarake janë respektivisht shtylla e dytë dhe e tretë mbi të cilat presbiterit duhet të themelojnë jetën e tyre. Dëgjesa, në fakt, nuk është thjesht një cilësi disiplinore, por karakteristika më e fortë e lidhjeve që njësojnë meshtarët në bashkësi. Dëgjesa ndaj Ipeshkvit përkatës tregon dëshirën për të kuptuar e për të jetuar sipas vullnetit të Hyjit, për ta shqyrtuar pikërisht në lidhje me Ipeshkvin dhe meshtarët e tjerë. Një qëndrim i tillë, sipas Atit të Shenjtë, na lejon të krijojmë idenë se asnjëri nuk i mjafton vetvetes dhe se parimi dhe themeli i jetës së një meshtari është për t’u gjetur vetëm në të lëvduarit, adhuruarit dhe shërbyerit Hyjin Zotin tonë dhe nëpërmjet kësaj të shpëtojë shpirtin e tij (krh Injaci i Lojolës, Ushtrime shpirtërore, 23). Në të njëjtën kohë shqyrtimi i vullnetit të Hyjit kalon domosdoshmërisht edhe përmes përballjes me të tjerët e mbi të gjitha në të jetuarit e marrëdhënieve vëllazërore me ata që jetojnë të njëjtin ideale dhe stil të jetës.

Dëgjesa nënkupton edhe përballje, dëgjim e, në disa raste, tension, por nëse është e jetuar në kërkimin e përbashkët të së vërtetës, nuk e the njësinë sakramentale që lidh secilin meshtarë me Ipeshkvin e vet si dhe me sivëllezërit. Për këtë është e nevojshme që meshtarët të lusin për ipeshkvijtë dhe të dinë të shprehin mendimin e tyre me respekt, kurajë dhe sinqeritet. Njëlloj i kërkohet edhe ipeshkvijve përvujtëri, aftësi për të dëgjuar, për vetëkritikë dhe për të lejuar që të jenë të ndihmuar.

Pikërisht nga bashkësia me Ipeshkvin niset afërsia e tretë, ajo e vëllazërisë, d.m.th. dëshira për të qenë shenjtër me të tjerët e jo në vetmi. Shën Pali, në kapitullin 13 të Letrës së parë drejtuar Korintianëve, na ka lënë një përshkrim të qartë të dashurisë e, në një mënyrë, na ka dëftuar se çka duhet të gjakoj vëllazëria. Para së gjithash që të ndjehemi përgjegjës për të tjerët, që të mbartim peshat e tyre, që të heqim keq me ta në njëfarë mënyre. E kundërta e durimit është indiferenca, d.m.th. distanca që ndërtojmë me të tjerët për të mos u ndjerë të përfshirë në jetën e të tjerëve. Dashuria dhe jeta vëllazërore mes meshtarëve janë një barë shërues kundër vetmisë, kundër të ndjerit i gjykuar dhe kundër inatit.

Sigurisht që të jetosh dashurinë vëllazërore nuk është e lehtë, por është “profecia e madhe” që në këtë shoqëri jemi të ftuar ta jetojmë. Papa Françesku pohoi: «Sot profecia e vëllazërisë mbetet e gjallë dhe ka nevojë për shpallës; ka nevojë për persona, që të vetëdijshëm për kufizimet e tyre dhe të vështirësive që paraqiten, lejohen të jenë të prekur, të pyetur e të shkundur prej Fjalës së Zotit: “Nëse e doni njëri‑tjetrin, të gjithë do t’ju njohin se jeni nxënësit e mi”» (Gv 13,35).

Afërsia me popullin e Hyjit është shtylla e katërt e jetës meshtarake. Marrëdhënia me popullin e Hyjit më shumë se një detyrë është një hir i vërtetë për presbiterit. Në Evangelii gaudium Papa pati shkruar: «Misioni është një pasion për Jezusin, por në të njëjtën kohë, është një pasion për popullin e tij» (nr. 268). Përmes meshtarëve Jezusi dëshiron të jetë pranë popullit të vet. Meshtarët janë të marrë prej popullit dhe janë të dërguar në popull. Nuk mund të kuptohet identiteti i tyre nëse nuk kuptojmë arsyen e thellë të kësaj përkatësie.

Afërsia me popullin e Hyjit, e pasuruar nga tre tjerat, do të ndihmoj meshtarin për të jetuar mbarështimin e tij me stilin e Zotit, që është stil i afërsisë, i dhembshurisë e i butësisë, sepse është i aftë të ecë jo si një gjyqtarë, por si një Samaritan i mirë, që i njeh plagët e popullit të tij dhe i lyen me vajin e gëzimit. Populli ka nevojë për burra me kurajë, të aftë të ndalen para kujt është i lënduar dhe për t’ia shtrirë dorën; burra kundrues, që në afërsinë ndaj popullit të tyre, të mund të shpallin mbi plagët e botës fuqinë vepruese të Ngjalljes.

Dom Leonardo Falco

Këto katër afërsi konfigurojnë mënyrën e të qenit të çdo meshtari e, nëse jetohen mirë, ia mundësojnë që të menaxhoj tensionet dhe çekuilibrimet me të cilat përditë duhet të përballet. Këto katër afërsi nuk janë një ngarkesë tjetër: janë një dhuratë tjetër që Hyji ia jep meshtarëve të tij për të mbajtur të gjallë dhe të frytshme thirrjen e tyre. Afërsia me Hyjin, afërsia me ipeshkvin, afërsia mes meshtarëve dhe afërsia me popullin e shenjtë dhe besnik të Hyjit.

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme