Bordi i Presidencës i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë ka mbajtur ditën e sotme me dt. 25 janar 2022, mbledhjen e radhës dhe të parën për këtë vit.
Kështu në mbledhjen e zhvilluar, merrnin pjesë drejtuesit e pesë komuniteteve fetare në vend, bashkëdrejtues dhe të KNFSH-së, H. Bujar Spahiu, kryetar i Komuniteti Mysliman të Shqipërisë, Hirësi Asti, Ndihmës i Kryepeshkopit të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë Fortlumturisë së tij Anastas Janullatos, Mons. Angelo Massafra, President i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, H. Dede Edmond Brahimaj, kreu i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, Pastor Ylli Doçi, kryetar i Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë, Sekretari i Përgjithshëm i KNFSH-së Dr. Genti Kruja, përgjegjësja e Financave në KNFSH Av. Sheldiana Agaraj Jano, si dhe disa nga anëtarët e Bordit Ekzekutiv, z. Agron Hoxha, Mons. Arjan Dodaj dhe z. Ergest Biti.
Në këtë takim ishte gjithashtu i ftuar edhe Mons. George Frendo, ish-kreu i KNFSH-së për vitin 2020, të cilit me rastin e daljes në pension dhe largimit të tij nga Shqipëria, Bordi i Presidencës i akorduar Çmimin e Mirënjohjes me këtë motivacion:
“Për kontributin e lartë në forcimin e frymës së dialogut ndërfetar ndër shqiptarët gjatë shërbimit në Shqipëri dhe për rolin e rëndësishëm në promovimin e vlerave universale, bashkëjetesës, harmonisë dhe bashkëpunimit ndërfetar si Kryetar i Këshilli Ndërfetar të Shqipërisë gjatë vitit 2020.”
Krerët e komuniteteve fetare, sekretari i përgjithshëm dhe financierja e KNFSH-së kanë vlerësuar lart të gjithë kontributin e Mons. Frendos në detyrat e tij drejtuese, që ka mbajtur gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri, si dhe për kontributin dhe bashkëpunimin gjatë drejtimit të KNFSH-së në vitin 2020.
Më pas mbledhja ka vazhduar me fjalën e H. Dede Edmond Brahimaj, kreu në detyrë i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, i cili i ka theksuar se edhe pse një vit pandemie me plot sfida, Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë ka bërë një punë të madhe me aktivitete të ndryshme sociale dhe humanitare, prandaj ai i ka falënderuar të gjithë për angazhimet e përbashkëta për gjatë vitit 2021 dhe sidomos punën e bërë nga bordet dhe departamentet e KNFSH-së. Pas kësaj, bazuar dhe në rotacionin e miratuar nga Bordi i Presidencës në 2018, H. Dede Edmond Brahimaj ia ka dorëzuar detyrën e kreut të Këshillit Ndërfetar Pastor Ylli Doçit, i cili do të kryesojë presidencën e KNFSH-së për gjatë vitit 2022.
Në vijim mbledhja ka vazhduar sipas rendit të ditës, agjendë e cila është ndjekur nga Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Ndërfetar z. Kruja, i cili ka paraqitur raportin një vjeçar të KNFSH-së. Ndër të tjera ai përmendi se, viti 2021 edhe pse një vit me kufizime dhe pengesa për shkak të pandemisë, vlen të theksohet se janë shënuar angazhime të shumta, siç kanë qenë pjesëmarrja në disa konferenca dhe simpoziume të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare, si Konferenca Ndërkombëtare zhvilluar në Lindau, Gjermani, pjesëmarrja në Asamblenë Europiane të Këshillave Ndërfetarë në Romë, si dhe vlerësimi me disa çmime: Medaljen e lartë “Nderi i Kombit” akorduar KNFSH-së nga Presidenti i Republikës, Çmimi i Mirënjohjes akorduar nga Ministria Federale Austriake për Çështjet Evropiane dhe Ndërkombëtare, si dhe çmimi “Unaza e Tolerancës” akorduar nga Akademia e Evropiane e Shkencave pranë Universitetit Teknik të Kolnit në Gjermani, H. Dede Edmond Brahimajt, si Kryetar i Këshillit Ndërfetar për vitin 2021 dhe njëkohësisht Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve.
Gjatë vitit 2021 janë zhvilluar gjithashtu dhe disa mbledhje e takime të Bordit Ekzekutiv, Departamentit të Gruas dhe Departamentit të Rinisë, ku është vlerësuar bashkëpunimi me Qendrën CVE dhe organizma të tjerë ndërkombëtarë si Religions for Peace, GCERF, CARITAS, UNHCR, etj.
Në vijim të mbledhjes financierja e KNFSH-së, znj. Agaraj ka pasqyruar raportin e plotë financiar të detajuar të Këshillit Ndërfetar për 1 vjeçarin e fundit, si dhe është miratuar buxheti për vitin 2022.
Anëtarët e Këshillit të Presidencës gjatë kësaj mbledhjeje kanë diskutuar edhe për disa çështje të rëndësishme lidhur me angazhimet e KNFSH-së në vazhdimësi, duke sjellë vëmendjen mbi plagët sociale, që rëndojnë mbi shoqërinë shqiptare dhe veçanërisht mbi rininë tonë.
Marrë nga knfsh.al