24.5 C
Tirana
HomeKisha UniversaleTe Deum i Papёs, lutja falënderimit drejtuar Zotit, akt i fundit i...
HomeKisha UniversaleTe Deum i Papёs, lutja falënderimit drejtuar Zotit, akt i fundit i...

Te Deum i Papёs, lutja falënderimit drejtuar Zotit, akt i fundit i vitit

Edhe një vit po përfundon me pasiguri globale dhe me frikë, ashtu si pati filluar. Ndaj këtë pasdite të 31 dhjetorit 2021 sytë tanë lartohen përsëri drejt Qiellit, për të kërkuar ndihmë e mbrojtje prej Zotit.

Kremtimi i “Te Deum”-it, sot pasdite, u kryesua nga kardinali Giovanni Battista Re, dekan i Kolegjit Kardinalor në ora 17.00, në Bazilikёn e Shën Pjetrit, i cili kujtoi ftesen e Papes që ta rijetojmë misterin e Mishërimit e të besojmë në të.

Pra edhe svivjet Himni Te Deum jehoi përsëri sonte në Kishat e mbarё botës, në pёrfundim të dymbëdhjetë muajve të vitit 2021, të sëmurë rëndë nga pandemia e koronavirusit, që vijon ta trondisë njerëzimin, sytë e të cilit sonte, më shumë se kurrë, drejtohen kah Qielli, në sa lutja përshkon hapësirat e pafundme të globit, për t’u ngjitur, si fjollë kemi, drejt qiellit.

Fundvit me sytë e ngulur mbi Misterin e Mishërimit

Këto ditë liturgjia na fton të rizgjojmë në shpirtin tonë mahnitjen për Misterin e Mishërimit. Me këto fjalë e nisi Papa homelinë e kremtimit të Te Deum, në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan, ndërsa Viti 2021 numëron orët e fundit e bota, pavarësisht nga pandemia, është në festë, menjëherë pas solemnitetit të Krishtlindjes, që i parapriu kësaj gjendjeje shpirtërore. Si barinjtë e Betlehemit – shkruhet në homelinë e lexuar nga kardinali Re – që në fillim marrin kumtin e ndritur engjëllor e më pas vrapojnë për të gjetur shenjën, që u qe kumtuar: Fëmijën e mbështjellë në fasha, të vënë mbi grazhd: 

“Me lot në sy gjunjëzohen para Shëlbuesit të posalindur. Po jo vetëm ata, edhe Maria e Jozefi janë plot me mahnitje shenjte kur dëgjojnë fjalët që u kishte thënë engjëlli barinjve”.

Nuk mund të jetohet Krishtlindja pa mahnitje

Nuk mund të jetohetKrishtlindja pa mahnitje – kujtoi Françesku në homelinë e lexuar nga kardinali Re – Mahnitje që nuk kufizohet me emocione sipërfaqësore, të lidhura me përjashtësinë e festës, ose, akoma më keq, me ethet konsumistike. Në se Krishtlindja  katandiset kështu,  asgjë nuk ndryshon: e nesërmja do të jetë njëlloj si e djeshmja; viti i ardhshëm, si vjetshmi e kështu me rrallë.

Ta jetojmë  të mahnitur Mishërimin e Zotit

E kjo do të thotë të ngrohesh për ca çaste rreth një zjarri prej kashte, e jo ta jetosh me gjithë vetveten forcën e Ngjarjes së Madhe, në qendër të së cilës është Lindja e Krishtit. Qendra është kjo: ‘Fjala u mishërua dhe erdhi të banojë ndër ne (Gjn. 1,14). E dëgjojmë duke u përsëritur shpesh në këtë liturgji mbrëmësore, me të cilën hapet Solemniteti i së Shenjtnueshmes Mari, Nënë e Zotit:

“Ajo është  dëshmitarja  e parë, e para e më e madhja, e njëkohësisht edhe më e përvuajtura. Zemra e saj është plot mahnitje, por nuk ka as hijen e romanticizmit, të sheqerosjes, të spiritualizmave. Jo! Nëna na merr për dore e na çon te realiteti, tek e vërteta e Krishtlindjes, që përmblidhet në këto tri fjalë të Shën Palit: ‘i lindur nga gruaja’”.

Mahnitja e krishterë buron nga misteri

Mahnitja e krishterë – u tha në homelinë e lexuar nga kardinali Re – nuk buron nga efekte speciale, nga botët fantastike, por nga misteri i realitetit: nuk ka gjë më të mrekullueshme  e më mahnitëse se realiteti. Se një lule, një bucë dheu, historia e një jete, një takim… Fytyra e rrudhur e një plaku e fytyra njomëzake e foshnjës që i qeshet nënës, kur mbi të përkulet. Këtu nis misteri. Mahnitja e Kishës është përplot me mirënjohje. Mirënjohjen e nënës që, duke kundruar Birin, ndjen afërsinë e Zotit, ndjen se Zoti nuk e ka braktisur popullin e vet, se erdhi, është pranë, është Zoti-me-ne:

“Problemet nuk janë zhdukur, vështirësitë e shqetësimet nuk mungojnë, por nuk jemi vetëm: Ati dërgoi Birin e vet për të na shpëtuar nga skllavëria e mëkatit e për të na rikthyer dinjitetin e bijve. Ai, Biri i vetëm i Atit, u bë i parëlinduri ndërmjet shumë vëllezërish, për të na prirë ne të gjithëve, të humburve e të hutuarve, drejt shtëpisë së Atit”.

Bij të një Ati të vetëm

Si krijoi atmosferën e këtij çasti të madh falënderimi para Zotit, në këtë natë të fundit të vitit, në homelinë e lexuar nga kardinali Re Papa Françesku nuk mund t’i harronte plagët e hapura në trupin e njerëzimit, që vijon të lundrojë në të njëjtën barkë, të tundur e të shkundur nga dallgët-mal të pandemisë. Ndonëse në fazën e dytë u ndje më shumë fryma solidare e vetëdija e përgjegjësisë së përbashkët e cila, siç theksoi Françesku, nuk vjen nga  bota, por  nga vetë Zoti:

“… madje vjen nga Jezu Krishti… që na bën thirrje të gjithëve të jemi motra e vëllezër, bij të një Ati të vetëm”.

Roma, qytet i mikpritjes universale

Më pas Papa, që është edhe ipeshkvi i Romës, nuk mund ta harronte Qytetin e Amshuar, që e ka të shkruar në zemër thirrjen e vëllazërimit:

“Në një farë mënyre – kujtoi – kush vjen këtu, ndjehet si në shtëpinë e vet, sepse Qyteti është tejet i njohur për mikpritjen universale, e cila i vjen nga historia e tij, nga kultura e, kryekreje, nga Ungjilli i Krishtit, që këtu lëshoi rrënjë të thella, të fekonduara nga gjaku i martirëve”.

Por edhe në këtë rast – vijoi të kujtojë në homelinë e lexuar kardinali Re – duhet të kemi mendjen: një qytet mikpritës e vëllazëror nuk njihet nga “fasada”, nga fjalimet e bukura, nga ngjarjet e bujshme. Jo! Njihet nga kujdesi për njeriun, që lodhet më shumë; për familjet, që mbartin gjithë barrën e krizës; për njerëzit me kufizime të rënda e familjarët e tyre; për ata, që kanë çdo ditë nevojë për transportet publike që të shkojnë në punë, për njerëzit e periferive e ata që panë t’u rrënohej jeta para syve e kanë nevojë për shërbimet shoqërore, e kështu me radhë…

Roma është qytet i mrekullueshëm, që të magjeps; por për kë jeton në të, është edhe qytet i lodhshëm, e jo gjithnjë dinjitoz për qytetarët e mysafirët -kujtoi Papa – për të uruar, në përfundim, që të gjithë të mund të mahniten  duke zbuluar në këtë qytet bukurinë që, kur e sodit, të ngjall mirënjohje.

Mirënjohja kryesore, për Marinë

Motra e vëllezër, sot Nëna Mari e Kisha Nënë na tregojnë Foshnjën – theksoi në përfundim të homelisë së Papës kardinali Re – që na buzëqesh e na thotë: “Ai është Udha. Ndiqeni, kini besim!”.

Ta ndjekim, pra, në shtegtimin tonë të përditshëm: Ai është  përmbushja e kohës, që u jep kuptim punëve e ditëve. Të kemi besim, në gaz e në vaj: shpresa, që na e dhuroi ai, është shpresë që nuk të zhgënjen.

Te Deum 2021

Këto fjalët e fundit të homelisë së kremtimit, pasuar nga Kënga e falënderimit Te Deum, e cila më 31 dhjetor kremtohet gjatё Mbrёmёsores sё Parë të Solemnitetit të Shenjtueshmes Mari Nënë e Zotit, e shoqëron jetën e Kishës edhe në raste të tjera të mëdha.

Historia e vogël e një kënge antike

Sot, specialistët ia atribuojnë pёrpilimin përfundimtar të lutjes ‘Te Deum’ Niketёs, ipeshkvit të Remesianёs, në fund të shekullit të IV, ndërsa më parë autori saj konsiderohej Shën Qipriani i Kartagjenës. Nga ana tjetër, nuk do të kishte asnjë bazë historike teza, sipas së cilës mendohet se Te Deum vjen nga një kronikë milaneze e shekullit të XI, e cila i atribuohet në mënyrë të gabuar ipeshkvit Daçio – se Te Deum u këndua nga Shёn Ambrozi e Shёn Agostini në ditën e pagëzimit të këtij të fundit, që u mbajt në Milano në vitin 386.

“Te Deum, laudeamus” – “Ty Zot të lavdërojmë”

Latinisht

Te Deum laudámus:

te Dóminum confitémur.

Te ætérnum Patrem,

omnis terra venerátur.

Tibi omnes ángeli,

tibi cæli

et univérsæ potestátes:

tibi chérubim et séraphim

incessábili voce proclámant:

Sanctus, Sanctus, Sanctus,

Dóminus Deus Sábaoth.

Pleni sunt cæli et terra

maiestátis glóriæ tuæ.

Te gloriósus

apostolòrum chorus,

te prophetárum

laudábilis númerus,

te mártyrum candidátus

laudat exércitus.

Te per orbem terrárum

sancta confitétur Ecclésia,

Patrem imménsæ maiestátis;

venerándum tuum verum

et únicum Fílium;

Sanctum quoque

Paráclitum Spíritum.

Tu rex glóriæ, Christe.

Tu Patris sempitérnus es Filius.

Tu, ad liberándum susceptúrus hóminem,

non horrúisti Virginis úterum.

Tu, devícto mortis acúleo,

aperuísti credéntibus regna cælórum.

Tu ad déxteram Dei sedes,

in glória Patris.

Iudex créderis esse ventúrus.

Te ergo quǽsumus,

tuis fámulis súbveni,

quos pretióso sánguine redemísti.

Ætérna fac cum sanctis tuis

in glória numerári.

Salvum fac pópulum tuum, Dómine,

et bénedic hereditáti tuæ.

Et rege eos, et extólle illos

usque in ætérnum.

Per síngulos dies benedícimus te;

et laudámus nomen tuum

in sǽculum, et in sǽculum sǽculi.

Dignáre, Dómine,

die isto sine peccáto nos custodíre.

Miserére nostri, Dómine, miserére nostri.

Fiat misericórdia tua,

Dómine, super nos,

quemádmodum sperávimus in te.

In te, Dómine, sperávi:

non confúndar in ætérnum.

Përkthimi:  ‘Te Deum-it’ në shqipen zyrtare

Ne të lavdërojmë, o Hy,

Të shpallim Zot.

O Atë i amshuar, toka mbarë të adhuron.

Ty të këndojnë Engjëjt,

E mbarë Pushtetet qiellore:

 Shenjt, Shenjt, Shenjt,

Zoti Hyji i gjithësisë.

Qielli e toka janë plot me lumni tënde.

Të brohoret kori i Apostujve,

Radha e ndritshme e martirëve,

Profetët njëzëri të lavdërojnë,

E Kisha Shenjte shpall lumninë tënde,

Birin tënd të vetëm adhuron

E Shpirtin Shenjt ngushëllues.

O Krisht, mbret i lumturisë,

Bir i amshuar i Atit,

Ti linde nga Virgjëra Nënë për shëlbim të njeriut.

Ngadhënjyes mbi vdekjen,

Ia hape portat e qiellit besimtarëve.

Ti rri në të djathën e Atit,

Do të vish të gjykosh botën në fundin e kohëve.

Ndihmoi bijtë e tu, o Zot,

Që i shpërbleve me gjakun tënd të çmuar.

Pranoi në lumninë tënde,

Në tubimin e shenjtorëve.

Shpëtoje popullin tënd, o Zot,

Priji e mbroji bijtë tu.

Çdo ditë të bekojmë,

Lavdërojmë përgjithmonë emrin tënd.

Denjohu, o Zot,

Të na ruash pa mëkat.

Me ne qoftë gjithmonë mëshira jote:

Në ty shpresuam.

Mëshirë, o Zot, mëshirë për ne.

Ti je shpresa jonë

S’ do të jemi të pështjelluar në amshim!

Varianti i parë gegnisht

Ty, o Zot, të levdojmë, Ty të madhnojmë, o Zot.

Ty, Atë i amshuem, mbarë bota të nderon.

Ty të këndojnë gjithë Engjujt,

Ty Qiella e të gjith Pushtetet:

Ty Kerubinat e Serafinat të këndojnë pa pushim:

Shêjt, Shêjt, Shêjt âsht Zoti, Hyu i ushtrive.

Qiella e toka janë plot me lumni tande.

Ty t’levdon vallja e lumnueshme e Apostujve.

Ty çeta e levdueshme e Profetve.

Ty t’levdon urdia e kandritun e Martirve.

Ty t’dishmon Kisha shêjte në tanë boten:

Nji të vetmin Birin tand adhron,

 E Shpirtin Shêjt ngushlluesin.

Ti je, o Krisht, Mbreti i lumnisë.

Ti Biri i amshuem i Atit.

Ti, per me krye librimin e njerzve,

 nuk e perbuze krahnorin e nji Vashe;

Ti, mbasi e ndrydhe fuqinë e dekës,

u çile besimtarve Mbretninë e Qiellve.

Ti rrin ne e djathten e Zotit, në lumninë e Atit.

Prej kah besojmë se ke me ardhë porsi gjyqtar.

Ty pra po të lutemi: Eja në ndihmë të shërbtorve tú,

qi Ti i shpërbleve me Gjakun Tand të paçmueshem.

Bân qi të kemi pjesë me Shêjten tú

në lumninë e amshueshme.

Pështoje, o Zot, popullin tand e bekoje trashigimin tand.

E drejtoi këta e naltoi deri n’amshim.

Na të bekojmë Ty  ditë per ditë.

E e levdojmë emnin tand per shekuj të shekujve.

Denjou, o Zot, me na ruejtë pa asnji mëkat.

Të keshë dhimbë për ne, o Zot: të keshë dhimbë për ne.

U reshtë, o Zot, mishrira jote permbi ne,

njashtu si shpresuem në Ty.

Në Ty, o Zot, kam shpresue:

s’ do të mes kurrë i topitun!

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme