7.5 C
Tirana
HomeJeta e KishësPapa Françesku: Koncili, dritë për t’i sjellë botës vëllazërinë
HomeJeta e KishësPapa Françesku: Koncili, dritë për t’i sjellë botës vëllazërinë

Papa Françesku: Koncili, dritë për t’i sjellë botës vëllazërinë

Publikojmë parathënien e Papës për vëllimin “Fraternità Segno dei Tempi. Magistero sociale di Papa Francesco” (Vëllazëria Shenjë e Kohëve. Magjisteri shoqëror i Papa Françeskut) të Kardinalit Michael Czerny dhe Don Christian Barone, botuar nga Libreria Editrce Vaticana dhe do të dalë në librari të enjten e ardhshme. “Vëllazëria do të jetë më e besueshme – shkruan Papa – nëse fillojmë të ndjehemi ‘të gjithë vëllezër’ edhe në Kishë dhe t’i jetojmë shërbesat tona përkatëse si shërbim ndaj Ungjillit dhe ndërtimit të Mbretërisë së Hyjit dhe kujdesit për shtëpinë tonë të përbashkët”.

PAPA FRANÇESKU

Zemra e Ungjillit është shpallja e Mbretërisë së Hyjit, e cila është vetë Jezusi në person, Emanueli dhe Hyji me ne. Njëmend, në Të, Hyji realizon përfundimisht planin e Tij të dashurisë për njerëzimin, duke vendosur mbretërimin e Tij mbi krijesat dhe duke futur farën e jetës hyjnore në historinë njerëzore, e cila e shndërron atë nga brenda. Mbretëria e Hyjit sigurisht që nuk duhet të identifikohet ose ngatërrohet me ndonjë arritje tokësore dhe politike; megjithatë, as nuk duhet imagjinuar si një realitet vetëm i brendshëm, personal dhe shpirtëror, ose si një premtim që ka të bëjë me jetën e përtejme. Në realitet, feja e krishterë jeton nga ky “paradoks” tërheqës dhe magjepsës, një fjalë shumë e dashur për teologun jezuit Henri de Lubac: është ajo që Jezusi, i bashkuar përgjithmonë me mishin tonë, realizon tashmë këtu dhe tani, duke na hapur për marrëdhënien me Hyjin Atë dhe duke kryer një lirim të vazhdueshëm në jetën dhe historinë që jetojmë, sepse në Të Mbretëria e Hyjit tashmë është afër (krh. Mk 1,12-15); në të njëjtën kohë, ndërsa jemi në këtë mish, Mbretëria mbetet edhe një premtim, një dëshirë e thellë që ne mbartim brenda nesh, një klithmë që ngrihet nga krijesa ende e shënuar nga e keqja, e cila rënkon dhe vuan deri në ditën e çlirimit të saj të plotë (krh. Rom 8,19-24).

Mbretëria e kumtuar nga Jezusi, pra, është një realitet i gjallë, dinamik që na fton të kthehemi dhe i kërkon fesë sonë të dalë nga natyra statike e një fetarie individuale ose e reduktuar në legalizëm, e të bëhet një kërkim i brengosur dhe i vazhdueshëm i Zotit dhe i Fjalës e Tij, e cila na thërret çdo ditë të bashkëpunojmë në veprën e Hyjit në situata të ndryshme të jetës dhe shoqërisë. Në mënyra të ndryshme, shpesh të heshtura dhe anonime, shpesh edhe brenda historisë së dështimeve dhe plagëve tona, Mbretëria e Hyjit po realizohet në zemrat tona dhe në historinë përreth nesh; si një farë e vogël e fshehur në tokë (krh. Mt 13,31-32), si pak tharm që mbrun brumin (Mt 13,24-30), Jezusi fut në historinë tonë shenjat e jetës së re që ka ardhur për të përuruar dhe na kërkon që të bashkëpunojmë me Të në këtë vepër të shpëtimit: secili prej nesh mund të kontribuojë në realizimin e veprës së Mbretërisë së Hyjit në botë, duke krijuar hapësira të shpëtimit dhe lirimit, duke mbjellë shpresën, duke sfiduar mendësitë vdekjeprurëse të egoizmit me vëllazërinë ungjillore, duke u angazhuar për nga butësia dhe solidariteti në të mirë të të afërmit, veçanërisht ndaj më të varfërve.

Kjo përmasë shoqërore e fesë së krishterë nuk duhet të neutralizohet askurrë. Sikurse e kam kujtuar edhe në Evangelii Gaudium, kerygma e fesë së krishterë zotëron në vetvete një përmbajtje shoqërore, duke ftuar për ndërtimin e një shoqërie në të cilën fiton logjika e lumnive dhe e një botë solidare dhe vëllazërore. Hyji dashuri, i cili në Jezusin na fton të jetojmë urdhërimin e dashurisë vëllazërore, shëron marrëdhëniet tona ndërpersonale dhe shoqërore përmes dashurisë dhe na thërret të jemi ndërtues të paqes dhe vëllazërisë mes nesh: «Propozimi është Mbretëria e Hyjit (Lk 4,43); bëhet fjalë për të dashur Hyjin që mbretëron në botë. Në masën me të cilën Ai do të arrijë të mbretërojë mes nesh, jeta shoqërore do të jetë një hapësirë ​​vëllazërimi, drejtësie, paqeje, dinjiteti për të gjithë. Prandaj, si kumtimi ashtu edhe përvoja e krishterë priren të shkaktojnë pasoja shoqërore» (Evangelii gaudium, 180).

Në këtë kuptim, kujdesi për Tokën tonë Nënë dhe angazhimi për të ndërtuar një shoqëri solidare në të cilën ne jemi “të gjithë vëllezër” jo vetëm që nuk mbeten jashtë të besuarit tonë, por janë një realizim konkret i fesë. Ky është themeli i Doktrinës Shoqërore të Kishës. Nuk është thjesht një aspekt shoqëror i fesë së krishterë, por një njëmendësi që ka një themel teologjik: dashuria e Hyjit për njerëzimin dhe plani i Tij i dashurisë dhe vëllazërimit që Ai realizon në histori nëpërmjet Jezu Krishtit Birit të Tij, me të cilin besimtarët janë thellësisht të bashkuar përmes Shpirtit. Për këtë i jam mirënjohës Kard. Michael Czerny dhe Don Christian Barone, vëllezër në besim, për këtë kontribut që ofrojnë mbi vëllazërinë dhe për këto faqe të cilat, ndërsa synojnë të na përudhin kah  Enciklika “Fratelli Tutti”, përpiqen të nxjerrin në dritë dhe bëjnë të qartë lidhjen e thellë midis Magjisterit aktual shoqëror dhe pohimeve të Koncilit II të Vatikanit.

Ndonjëherë kjo lidhje nuk shfaqet në shikim të parë dhe unë përpiqem të shpjegoj arsyen. Në historinë e Amerikës Latine në të cilën kam qenë i përfshirë thellë, së pari si student i ri jezuit dhe më pas në ushtrimin e shërbesës, u frymëzuam nga një atmosferë kishtare e cila, me entuziazëm, ka thithur dhe bërë të vetat intuitat teologjike, kishtare dhe shpirtërore të Koncilit dhe i ka inkulturuar dhe zbatuar ato. Për ne të rinjtë, Koncili u bë horizonti i të besuarit tonë, i gjuhëve tona dhe i praktikës sonë, domethënë shpejt u bë ekosistemi ynë kishtar dhe baritor, por nuk e bëmë zakon të citonim shpesh dekretet konciliare ose të ndaleshim në reflektime të tipit spekulativ. Thjesht, Koncili kishte hyrë në mënyrën tonë të të qenurit të krishterë dhe të të qenurit Kishë dhe, gjatë vazhdës së jetës, intuitat e mia, perceptimet e mia dhe përshpirtëria ime thjesht u përtërinë nga sugjerimet e doktrinës së Vatikanit II. Nuk ishte aq shumë e nevojshme të citoheshin tekstet e Koncilit. Sot, mbase, pas disa dekadash dhe duke u gjendur në një botë – edhe kishtare – thellësisht të ndryshuar, është e nevojshme të bëhen më të qarta konceptet kryesore të Koncilit II të Vatikanit, bazat e argumenteve të tij, horizonti i tij teologjik dhe baritor, argumentet dhe metoda që ai ka përdorur.

Kard. Michael dhe Don Christian, në pjesën e parë të këtij libri të çmuar, na ndihmojnë shumë në këtë aspekt. Ata lexojnë dhe interpretojnë Magjisterin shoqëror që unë përpiqem të çoj para, duke nxjerrë në dritë diçka që ka humbur disi mes rreshtave, domethënë mësimin e Koncilit si bazë themelore, një pikënisjeje, një vend që ngjall pyetje dhe ide dhe, për këtë arsye, orienton edhe ftesën që, sot, unë ia drejtoj Kishës dhe mbarë botës mbi vëllazërinë. Sepse vëllazëria, e cila është një nga shenjat e kohës që Vatikani II nxjerr në dritë, është ajo për të cilën bota jonë dhe shtëpia jonë e përbashkët, në të cilën ne jemi thirrur të jetojmë si vëllezër dhe motra, kanë shumë nevojë. Në këtë horizont, pastaj, libri që po përgatitem të paraqes ka gjithashtu avantazhin e të rilexuarit në të sotmen të intuitës konciliare të një Kishe të hapur, në dialog me botën. Vatikani II u përpoq t’u përgjigjej pyetjeve dhe sfidave të botës moderne me frymën e Gaudium et Spes; por sot, duke vazhduar në rrugën e përvijuar nga Etërit konciliarë, ne vëmë re se ka nevojë jo vetëm për një Kishë në botën moderne dhe në dialog me të, por mbi të gjitha për një Kishë që vihet në shërbim të njeriut, duke u kujdesur për krijimin dhe duke kumtuar dhe realizuar një vëllazëri të re universale, në të cilën marrëdhëniet njerëzore shërohen për nga egoizmi dhe dhuna dhe bazohen në dashurinë reciproke, pranimin dhe solidaritetin.

Nëse historia e sotme na e kërkon këtë, veçanërisht në një shoqëri të shënuar fort nga çekuilibrat, plagët dhe padrejtësitë, ne marrim vesh se edhe kjo është në frymën e Koncilit, i cili na ka ftuar të lexojmë dhe të dëgjojmë shenjat që vijnë nga historia njerëzore. Libri i Kard. Michael dhe Don Christian ka edhe këtë meritë: na ofron një reflektim mbi metodologjinë e përdorur nga teologjia post-konciliare dhe nga vetë Magjisteri shoqëror, duke treguar se si ai është i lidhur ngushtë me metodologjinë e përdorur nga Koncili, domethënë, një metodë historiko-teologjiko-baritore, ku historia është vendi i zbulesës së Hyjit, teologjia zhvillon udhëzimet përmes një reflektimi dhe kujdesi baritor i mishëron ato në praktikën kishtare dhe shoqërore. Në këtë kuptim, Magjisteri i Atit të Shenjtë ka nevojë gjithmonë të dëgjojë historinë dhe ka nevojë për kontributin e teologjisë. Së fundi, do të doja të falënderoja kardinalin Czerny edhe për përfshirjen, në këtë punë, të një teologu të ri Don Barone. Ky bashkim është i frytshëm: një kardinal, i thirrur në shërbim të Selisë së Shenjtë dhe të jetë një udhërrëfyes baritor, dhe një teolog themelor. Është një shembull se si studimi, reflektimi dhe përvoja kishtare mund të kombinohen, dhe kjo na tregon gjithashtu një metodë: një zë zyrtar dhe një zë i ri, së bashku. Prandaj është e nevojshme të ecet gjithmonë: Magjisteri, teologjia, praktika baritore, udhëheqja. Gjithmonë bashkë. Vëllazëria do të jetë më e besueshme nëse fillojmë edhe në Kishë të ndiejmë se jemi “të gjithë vëllezër” dhe të jetojmë shërbesat tona përkatëse si shërbim ndaj Ungjillit dhe ndërtimit të Mbretërisë së Hyjit dhe ndaj kujdesit për shtëpinë e përbashkët.

Më 30 shtator, në transmetim të drejtpërdrejtë nga Vatican News nga Salla Barberini e Bibliotekës Apostolike, do të prezantohet vëllimi “Fraternità Segno dei Tempi. Il magistero sociale di Papa Francesco”nga Kardinali Michael Czerny dhe Don Christian Barone, me një parathënie nga Papa Françesku.

Folës do të jenë: Motër Alessandra Smerilli, sekretare ad interim e Dikasterit për Shërbimin e Zhvillimit Njerëzor Integral; dr. Aboubakar Soumahoro, President i Lega Braccianti dhe zëdhënës Invisibili in Movemento; Don Armando Matteo, Nënsekretar i Kongregatës për Doktrinën e Fesë. Moderator do të jetë Dr. Gerard O’Connell, korrespondent i Vatikanit për “America”.

Përkthyer nga Vatican News

Mond MARKU

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme