8.5 C
Tirana
HomeJeta e KishësLëvizjet pas fjalimit të Papës: nga Françesku një thirrje për kthim
HomeJeta e KishësLëvizjet pas fjalimit të Papës: nga Françesku një thirrje për kthim

Lëvizjet pas fjalimit të Papës: nga Françesku një thirrje për kthim

Mond Marku

Një fjalim i fortë ai i Papës për moderatorët e shoqatave laike që morën pjesë në takimin e Dikasterit për Laikët, Familjen dhe Jetën. Papa jep udhëzime të qarta mbi shërbimin dhe karizmën dhe tërheq vëmendjen kundër abuzimeve të llojeve të ndryshme. Komentet e përfaqësuesve të Fokolarinëve, të Shën Egjidios, të Ripërtëritjes në Shpirtin Shenjt, të Komunitetit Gjoni XXIII, të Ecjes Neokatekumenale.

“Të udhëheqësh do të thotë të shërbesh”. Duhet të shmangen rreziqet e “dëshirës për pushtet” dhe të “pandershmërisë”, e kuptuar kjo si “lojë e dyfishtë” me Hyjin në lidhje me të cilin, me fjalë, pohohet se dëshirojmë t’i shërbejmë, ndërsa me vepra “i shërbejmë egos sonë dhe i përkulemi dëshirës për t’u dukur, për të marrë vlerësime”. Shembuj të pandershmërisë janë pozicionet drejtuese “të cilat përjetësohen”.

Fjalët që Papa Françesku ua drejtoi (më 16 shtator)  moderatorëve të shoqatave laikale që morën pjesë në takimin e organizuar nga Dikasteri për Laikët, Familjen dhe Jetën, në Sallën e Re të Sinodit, ishin të forta. Ishte një fjalim i gjatë, gjatë të cilit Papa shpjegoi gjithashtu arsyet e Dekretit të qershorit të kaluar i cili rregullon kohëzgjatjen dhe numrin e mandateve udhëheqëse në të njëjtat Shoqata. Udhëzimet e Papës u mirëpritën nga përfaqësuesit e realiteteve të ndryshme kishtare, si një cytje dhe nxitje për të ndërmarrë një ecje “pastrimi”. Vatican News mblodhi mendimet e disa prej presidentëve ose përfaqësuesve të Lëvizjeve më të përhapura dhe më të rrënjosura në Itali dhe në botë.

Fokolarinët: mësojmë të mos ndihemi të domosdoshëm

“Me fjalimin e tij, Papa na paralajmëroi për të gjitha rreziqet që lidhen me udhëheqjen, duke filluar me atë të pushtetit nga i cili nuk përjashtohen as realitetet kishtare”, nënvizon Jesús Morán, bashkë-president i Lëvizjes Fokolarine. “Këto janë rreziqe që, në dritën e Ungjillit, ne mund t’i kapërcejmë duke qenë të vetëdijshëm për devijimet e mundshme që ekzistojnë dhe që kanë ndodhur dhe që të gjithë i kemi vuajtur”.

Fjalimi i Papës, sipas Morán, është “në përputhje të plotë” me gjithçka që Françesku po i thotë Kishës që nga fillimi i pontifikatit të tij: “Është padyshim një thirrje për kthim baritor dhe ungjillor; tani është në çështje si ta zbatojmë atë”. Si? “Papa – shpjegon bashkë-presidenti i Fokolarinëve – pohoi qartë se në rrënjë të çdo abuzimi gjendet pushteti dhe se ka dinamika të cilat nuk favorizojnë tejkalimin e rreziqeve që lidhen me pushtetin. Për shembull, mos alternimi i detyrave mund të jetë rrënues, sepse qëndrohet për kohë të gjatë në udhëheqje, dhe në fund lind rreziku që të përftohet një strukturë mendore (forma mentis) ku humb ajo dinamikë e shërbimit me të cilën është filluar detyra”. Është sikur “në një farë pike, dikush të mësohej me pushtetin dhe të mos ketë më parasysh shërbimin”. “Prandaj, ne duhet të mësojmë të ndahemi nga pushteti, ta lëmë atë në duart e të tjerëve, e të mos mendojmë se jemi të domosdoshëm dhe të jemi të vetëdijshëm se kjo sjell aq shumë dobi sepse na kthen në thirrjen thelbësore që është ajo e të shërbyerit”, thekson Morán. Nga ana e tij, vjen gjithashtu një reflektim mbi rastet e abuzimit që kanë ndodhur brenda degës franceze të Lëvizjes Fokolarine: një faqe e dhimbshme nga e cila, megjithatë, pohon ai, “ne ngrihemi sërish më të fortë, duke i njohur kufizimet tona”. “Ne jetojmë një fazë pastrimi, për të njohur që këto gabime janë një deformim i karizmës zanafillore, për të kuptuar mekanizmat që çuan në këto gabime dhe kështu të rimerret karizma në të gjithë kthjelltësinë e saj”.

Shën Egjidio: një thirrje për përgjegjësi

Në fjalimin e tij drejtuar Lëvizjeve, Papa shprehu vlerësimin “për historinë e tyre, për jetën e tyre në Kishë, por mbi të gjitha për kontributin e tyre në shoqëri”, veçanërisht në këtë kohë të tronditur nga pandemia. Ky është aspekti që nënvizon Marco Impagliazzo, president i Komunitetit të Shën Egjidios, duke shtuar se nga fjalët e Papës del në pah gjithashtu “një njohje e vlerës së laikëve në Kishë”.

Nga Papa, kujton Impagliazzo, erdhi gjithashtu “një thirrje e madhe për përgjegjësinë dhe autoritetin e jetuar si “shërbim”. Kjo ka të bëjë me “të gjitha aspektet e jetës së Kishës, jo vetëm me ato të lëvizjeve laikale”. Thirrja e Françeskut, shton ai, është një kujtesë e rëndësishme në një moment në të cilin po jetojmë kohën e “papërgjegjshmërisë”. Njëmend, vëren presidenti i Shën Egjidios, kjo është “më shumë koha e un-it sesa e ne-së”. Për këtë arsye, shërbimi të cilit i referohet Papa është “themelor dhe mbi të gjitha është ungjillor”: Jezusi nuk erdhi për të qenë shërbyer, por për të shërbyer. Në të njëjtin fjalim, Papa Françesku kujtoi gjithashtu se vitet e fundit, jo rrallë, Selisë së Shenjtë i është dashur të ndërhyjë duke nisur “procese jo të lehta shërimi”. Kur bëhet fjalë për shoqatat dhe Lëvizjet, nënvizon Impagliazzo, ka histori të ndryshme. Në disa prej tyre ka rëndësi prania e personave të kushtuar. Te të tjerat, sikurse është Komuniteti i Shën Egjidios, janë tërësisht laikale. Rrugët e Lëvizjeve janë “shumë të ndryshme”: “Nëse ka pasur disa probleme që Papa i ngriti me të drejtë dhe që kanë të bëjnë me disa realitete, është e drejtë që këto të marrin një rrugë kthimi”. Sigurisht, shpjegon Marco Impagliazzo, çështja e “kthimit baritor” ka të bëjë me të gjitha Lëvizjet dhe me mbarë Kishën. Sa i përket Dekretit të qershorit, bëhet fjalë për një rrugë “që shikon drejt së ardhmes”. “Çdo realitet është i ndryshëm dhe do të gjejë kohë dhe mënyra të ndryshme”. Bëhet fjalë, përfundon Impagliazzo, për të qenë “në lartësinë e leximit të shenjave të kohës”. Një nga këto shenja është pikërisht ajo e “dhënies më shumë hapësirë ​​të rinjve”.

Ripërtëritja në Shpirtin Shenjt: dëshira për pushtet çnatyron shërbimin

Papa ripohoi “origjinalitetin dhe karakterin provanor të karizmave” në kontekstet e tyre të ndryshme, shprehet Salvatore Martinez, president i Ripërtëritjes në Shpirt, i cili nënvizon gjithashtu se si Papa lavdëroi kontributin e dhënë nga Lëvizjet në kohën e pandemisë së Covid-it.

“Françesku – thotë Martinez – na përnxiti që të mos e harrojmë përditësimin e karizmave tona”, në mënyrë që ato të jenë gjithnjë e më “të hapura ndaj historisë” dhe ndaj “nevojave të njerëzve”. Françesku përsëriti se ne nuk duhet të priremi nga “dashuria për pushtetin”, por, përkundrazi, kah “fuqia e dashurisë”. Rreziqet e spikatura nga Papa janë dëshira për pushtet, e cila “çnatyronthirrjen për shërbim” dhe pandershmëria, kur Lëvizjet dhe shoqatat “humbin bujarinë dhe falasshmërinë për të cilat Shpirti Shenjt i lindi ato”. Sa i përket Dekretit të qershorit, Papa e bëri të qartë se dispozitat e përfshira në këtë masë kanë të bëjnë me të gjithë: “Askush nuk duhet t’i shmanget dallimit”. Lëvizjet dhe Shoqatat janë të thirrura të hulumtojnë për të krijuar, sikurse përcaktohet në Dekret, “forma alternimi që zvogëlojnë tundimin për detyrat për gjithë jetën”. Situata aktuale është një situatë e “dhëmbëzuar”: ka statute që kanë nevojë për këtë rishikim dhe të tjera që tashmë i përmbahen përmbajtjes së Dekretit. Në rastin specifik të Ripërtëritjes në Shpirtin Shenjt, statutet tashmë parashikojnë kufij të mandatit, afate të detyrueshme. Gjithashtu do të jetë e nevojshme të kuptohet tani, përfundon presidenti, “si do të lëvizin Konferencat ipeshkvore” sepse shumë statute lindin si kombëtare dhe bëhen ndërkombëtare. Në disa raste do të jetë “një proces i mundimshëm”. Por afati dyvjeçar, i parashikuar në Dekret, është “i përshtatshëm”.

Komuniteti Gjoni XXIII: reforma e detyrave është një hap i domosdoshëm

Dekreti i qershorit është një instrument “jashtëzakonisht domethënës dhe novator” që do të sjellë “një të mirë të madhe për Lëvizjet, për bashkësitë e reja dhe botën kishtare” për “një shërbim të vërtetë ndaj njerëzve të mjerë”. Me këto fjalë Giovanni Ramonda, përgjegjës i përgjithshëm i Shoqatës Komuniteti Papa Gjoni XXIII, komenton fjalimin e Papës Françesku në mikrofonin e Fabio Colagrande.

Papa Françesku ka sjellë në mendje se Lëvizjet janë një shenjë e vitalitetit të Kishës. Fjalët e tij, thekson Ramonda, janë në vazhdimësi me mendimin e paraardhësve të tij, të cilët gjithmonë kanë nxjerrë në pah rëndësinë e këtyre realiteteve kishtare post-konciliare për të promovuar “një ungjillëzim që zhvillohet nëpërmjet transplantimit jetësor përmes një jete ndër periferi dhe në vendet ku jetojnë njerëzit”. Struktura organizative, shton Ramonda, duhet të jetë funksionale dhe “në shërbim të karizmës”. Organizimi është i rëndësishëm, por “mbi të gjitha, janë të rëndësishëm personat që janë të apasionuar pas Ungjillit dhe misionit të Kishës”. Abuzimet me pushtetin dhe pandershmëria, shpjegon presidenti i Komunitetit, janë “tundime” kur një grupim laikal mbyllet në vetvete. Është e rëndësishme të merret vendim, por gjithmonë “duke dëgjuar bazën”. Sa i përket reformës së detyrave të përgjegjësisë në shoqatat laikale, Ramonda thekson se ky “është padyshim një hap i domosdoshëm”: “Don Oreste Benzi thoshte: Ata që do të vijnë pas nesh do të bëjnë më mirë se ne, sepse do të marrin parasysh përvojën e fituar dhe do të sjellin ripërtëritje”.

Neokatekumenalët: një inkurajim për karizmën

“Pasi ndoqa punimet e takimit të djeshëm përmes Zoom, u gëzova me fjalët e Atit shenjt i cili konfirmoi para mbarë Kishës atë që më kishte thënë tashmë privatisht dy javë më parë: që kur një karizëm ose një realitet kishtar është në gjendje themelimi ‘themeluesi nuk duhet ndryshuar’ por vazhdon për jetë”, thotë më në fund Kiko Argüello, nismëtar i Ecjes Neokatekumenale, duke kujtuar audiencën private në Pallatin Apostolik të 3 shtatorit, së bashku me ekipin ndërkombëtar të këtij realiteti kishtar të përhapur dhe të rrënjosur në qindra vende në mbarë botën: përveç Kikos, ishin edhe Atë Mario Pezzi dhe Maria Ascensión Romero.

“Ati Shenjtë na kujtoi me atë rast fjalët e Carmen (Hernández): Ecja Neokatekumenale nuk është një Lëvizje, sepse ajo është njohur nga Kisha si një hyrje në jetën e krishterë, në shërbim të ipeshkvijve, me katekistët që kanë një rol të ngjashëm me atë të nunave/nuneshave që shoqërojnë dhe mbikëqyrin rritjen në fe të kandidatëve”. “Edhe në takimin me Dikasterin e djeshëm, Papa Françesku theksoi: ‘Ne duhet të kuptojmë se ungjillëzimi është një mandat që vjen nga Pagëzimi … kushdo që ka Pagëzimin ka detyrën të ungjillëzojë’. Kjo është ajo që Ecja përpiqet të bëjë për më shumë se pesëdhjetë vjet. Prandaj fjalët e Atit shenjt i japin zemër karizmës dhe misionin tonë”.

Përkthyer nga Vatican News

Mond MARKU

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme