8.5 C
Tirana
HomeKryesor30 vjetori i rihapjes së Seminarit Ndërdioqezan/ Dom Leonardo Falco: Seminari Ndërdioqezan...
HomeKryesor30 vjetori i rihapjes së Seminarit Ndërdioqezan/ Dom Leonardo Falco: Seminari Ndërdioqezan...

30 vjetori i rihapjes së Seminarit Ndërdioqezan/ Dom Leonardo Falco: Seminari Ndërdioqezan është zemra e Kishës në Shqipëri

Që prej vitit 2013, Dom Leonardo Falco është caktuar si Rektor i Seminarit Ndërdioqezan “Nëna e Këshillit të Mirë” në Shkodër. Në kuadër të 30 vjetorit të rihapjes së këtij Seminari, i cili u mbyll në vitin 1947 nga diktatura komuniste, Dom Leonardo në një intervistë për Kish.al, tregon sesa meshtarë janë formuar në këtë seminar gjatë këtyre 30 viteve, se sa i rëndësishëm është për Kishën Shqiptare. Rektori Italian na flet për sfidat e së ardhmes, arsyet që sipas tij kanë çuar në tkurrjen e numrit të seminaristave, por në fund ka edhe një mesazh për të rinjtë “Hapuni dyert e zemrës dhe pranoni Hirin e Zotit dhe fjalën e Zotit”.

  • Seminari feston 30 vjetorin e rihapjes, si e shikoni ecjen e tij në këto 30 vite dhe gjatë kohës që ju jeni në krye të tij si rektor?

Unë besoj që 30 vjet janë shumë, por edhe janë pak në krahasim me historinë e Seminarit, se historia e Seminarit fillon në vitin 1859, kur Jezuitët nga Italia kanë hapur Seminarin e parë në Shkodër, pastaj kemi pasur 45 vjet komunizëm që seminari ka qenë i mbyllur, me 7 Mars 1946, deri në vitin 1991 kur në Shqipëri, Kisha ka filluar të marrë organizimin e saj dhe me 2 shkurt 1992 është rihapur seminari. Nga viti 92’ deri sot këtu në Seminar janë formuar gati 100 meshtarë, që kanë qenë këtu si seminarista, kanë marrë jo vetëm shkollën, por edhe formimin si meshtar ose janë rregulltarë, françeskanë, jezuitë, etj, që kanë studiuar në shkollën tonë. Kështu që unë besoj me pas 100 meshtarë të formuar këtu në Shqipëri nuk është pak, patjetër edhe vlerësimi është shumë pozitiv dhe besoj që aftësinë, angazhimin, zellin që kanë meshtarët shqiptarë tregon edhe që formimi që kanë marrë ka qenë i mirë.

  • Sa i rëndësishëm është ky seminar për Kishën Katolike në Shqipëri?

Ne në Itali kemi një shprehje “Seminari është zemra e çdo dioqeze”, tani Seminari është Ndërdioqezan është zemra e Kishës në Shqipëri, jo vetëm se këtu formohen meshtarë, kjo është edhe arsyeja kryesore e Seminarit, por sepse Seminari gjithmonë do të jetë një vend ku të gjitha anëtarët e Kishës, laikëve, rregulltar/rregulltare dhe meshtarët mund të gjejnë disa nisje për formimin e tyre, nga ana shpirtërore, nga ana katekistike.

  • Cilat janë sfidat e së ardhmes së këtij Seminari?

Një problem që kemi, problem domethënë që na shqetëson e nuk na shqetëson që seminaristë janë pak. Kohët e fundit domethënë kemi këtë vit, vetëm 7 seminaristë, 3 janë nga Kosova, 3 nga Shqipëria dhe 1 shqiptar nga Mali i Zi. Arsyet cilat janë, pak a shumë e dimë që çdo djalë i ri shqiptar mendon vetëm emigrimin, tani ne nuk mund të gjykojmë është mirë apo keq, situata është kështu, rënia e numrit të lindjeve, dëshira e familjeve shqiptare për të emigruar, por unë besoj edhe përdorimin e mjeteve të komunikimit jo të mirë, secili është gjithmonë më i izoluar dhe vetmuar dhe e kanë vështirë me pas një ndjenjë për me qenë i hapur ndaj thirrjes së Zotit, por në të njëjtën kohë besoj që nga ana kulturore, unë jam italian dhe më duket të rinjtë Iitalian janë edhe ma shumë të papërqëndruar në aspektet fetare, shqiptarët kanë një predispozitë më shumë.

  • Sa ndikon mungesa e thirrjeve në vazhdimësinë e këtij Seminari?

Në qoftë se ne e mendojmë Seminarin vetëm si vend ku formohen meshtarët tanë, patjetër duke rënë numri, do kemi vështirësi, por nëqoftëse ne mendojmë Seminarin si një vend ku çdo person për të jetuar mirë thirrjen e vet, angazhohet dhe ka mundësi për një formim nga ana shpirtërore, nga ana katekistike dhe nga ana teologjike, Seminari mund të vazhdojë përgjithmonë deri kur Kisha është e pranishme në Shqipëri duhet një vend formimi.

  • Pse gjithnjë e më shumë po tkurret numri i seminaristëve?

Arsyet janë që si fillim ka rënë numri i popullsisë, shqiptarët kanë dëshirë vetëm për të emigruar dhe kështu që është shumë e vështirë që një djali i ri në Shqipëri bën një projekt të jetës që e kushtëzon edhe për të ardhmen, sepse e ka mendjen për të emigruar, pastaj kur ai ka gjetur rehatinë e vet, mund të ketë vendosur, por ne kemi një fenomen tepër interesant, kemi shumë shqiptarë që kanë emigruar dhe atje ku kanë jetuar kanë hyrë në Seminar. Kështu nuk është e vërtetë që thirrje janë pak, por për arsye të emigrimit janë shpërndarë nëpër botë.

  • Thirrja apo mesazhi që keni për të rinjtë!

Seminari është rihapur 30 vjet më përpara dhe mua më pelqen shumë një shprehje e Papa Gjon Palit II “Hapuni dyert e zemrës dhe pranoni Hirin e Zotit dhe fjalën e Zotit”, pastaj Zoti ka vetëm një qëllim për secilin prej nesh që është lumturia e jetës, si meshtarë, si i martuar, si rregulltarë/e, nuk ka rëndësi, por vetëm do të besoni që Zoti do vërtet vetëm të mirën tonë.

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme