Tiranë, 5 janar 2026 – Bordi i Presidencës së Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë (KNFSH) ka zhvilluar ditën e hënë, më 5 janar 2026, mbledhjen e parë të vitit 2026.
Në mbledhjen e zhvilluar në ambientet e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane merrnin pjesë: H. Bujar Spahiu, Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë; Fortlumturi e Tij Joani, Kryepeshkop i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë, Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë; Mons. Gjergj Meta, President i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë; H. Dede Edmond Brahimaj, Kryegjyshi Botëror i Kryegjyshatës Bektashiane; dhe Pastor Erion Sylari, Kryetar i Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë.

Mbledhja është hapur fillimisht nga i zoti i shtëpisë Haxhi Dede Edmond Brahimaj, i cili i ka uruar Bordit mirëseardhjen. Më pas Mons. Gjergj Meta kryetari në detyrë i KNFSH-së, bazuar në statutin e Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë dhe rotacionit të miratuar nga Bordi i Presidencës, i ka dorëzuar detyrën Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, i cili do të kryesojë Bordin e Presidencës për periudhën 1 janar 2026 – 1 janar 2027.


Në vijim të rendit të ditës, Sekretari i Përgjithshëm i KNFSH-së, Prof. Asoc. Dr. Genti Kruja ka prezantuar fazën finale të Planit Strategjik të KNFSH-së, të hartuar nga grupi i punës për periudhën 2026-2028. Plani përcakton orientimet kryesore të veprimtarisë së Këshillit Ndërfetar për tre vitet e ardhshme, me fokus forcimin e dialogut ndërfetar, promovimin e bashkëjetesës paqësore nëpërmjet edukimit me vlerat universale, si dhe rritjen e rolit të të rinjve dhe grave në shoqëri. Pas shqyrtimit dhe diskutimeve, Plani Strategjik u miratua unanimisht nga Bordi i Presidencës, i përbërë nga krerët e pesë komuniteteve fetare.


Më pas Av. Sheldiana Jano Agaraj ka prezantuar aktivitetin financiar dhe më pas Bordi ka miratuar buxhetin për vitin 2026, i cili do të shërbejë për mbështetjen e aktiviteteve dhe projekteve të planifikuara në kuadër të zbatimit të Planit Strategjik.Gjatë mbledhjes u zhvilluan diskutime dhe propozime nga anëtarët e Bordit të Presidencës mbi çështje të aktualitetit shoqëror dhe rolin e komuniteteve fetare në adresimin e sfidave sociale, edukative dhe kulturore.
Në përfundim, u firmosën vendimet e marra dhe u trajtuan çështje të tjera me interes për veprimtarinë dhe angazhimin e mëtejshëm të Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë në shërbim të dialogut, harmonisë dhe bashkëjetesës ndërfetare në vend.

