HomeKryesorVizita e Papa Françeskut në Shqipëri, vendin e parë evropian 
HomeKryesorVizita e Papa Françeskut në Shqipëri, vendin e parë evropian 

Vizita e Papa Françeskut në Shqipëri, vendin e parë evropian 

Ka ditë të pashlyeshme në historinë e një populli. Janë ditë, që përbëjnë gurë kilometrikë për të dhe shpesh, hapin udhë të reja. I tillë, mund të themi, qe edhe 21 shtatori i vitit 2014, kur Papa Françesku vendosi papritmas të shkojë në Shqipëri, në vizitën e tij të parë evropiane që nga fillimi i papnisë.

Papa Bergoglio shkonte në Shqipëri 21 vite pas Papës shenjt Gjon Pali II, i cili, më 25 prill 1993, rivendosi hierarkinë e Kishës katolike të dalë nga vitet e tmerrshme të persekutimit ateisto-komunist. E Papa argjentinas trokiste në dyert e vendit në skaj të Evropës, për të përqafuar popullin e sprovuar, për të përforcuar në fe bashkësinë e vogël katolike, për të mbështetur dialogun ndërmjet feve, por edhe për ta inkurajuar gjithë popullin të ecte në udhën e demokracisë.

Papa nё Pallatin e Prezidencёs nё Tiranё me Presidentin e Shqipёrisё Bujar Nishani
Papa Françesku përqafon Dom Ernest Simon Troshanin

Sapo mbërriti, atë 21 shtator 2014, Papa Bergoglio u mahnit nga të rinjtë, që e pritën me dashuri të jashtëzakonshme, siç pati deklaruar atë Federico Lombardi, asokohe zëdhënës i vetë Papës. E ndoqën kudo, nga aeroporti tek Presidenca e Shqipёrisё, nga Sheshi Nënë Tereza në Universitetin Katolik; nga Kisha Katedrale e Shën Palit në Qendrën Betania. Së bashku me të rinjtë, pamje e njerëz të tjerë: krerët fetarë, autoritetet e krerët e shoqërisë, shqiponja, martirët, përqafimi me dy të mbijetuarit e komunizmit, don Ernest Simoni (Troshani), tashmë kardinal, dhe motër Maria Kaleta. E pastaj, fëmijët e Qendrës Betania, ku murgeshat kujdesen edhe sot për nevojtarët e, shumë e shumë të tjerë.

Takimi me krerët fetarë
Takimi me krerët fetarë

Fetë e krerët fetarë

Fjalët e Papës Françesku ishin krejt të qarta që në fjalimin e parë për autoritetet, në pallatin presidencial. “Askush – tha Ati i Shenjtë – të mos e mendojë se mund ta përdorë Zotin si mburojë, ndërsa planifikon e kryen akte dhune! Askush të mos e përdorë fenë si pretekst për vepra kundër dinjitetit të njeriut dhe të drejtave të tij”. E, më pas, gjatë takimit me krerët fetarë në Universitetin Katolik, shtoi: “Të vrasësh në emër të Zotit është sakrilegj i madh!”. Shqipëria, përsëriti disa herë, “dëshmon se bashkëjetesa është e mundur”.

Bashkëjetesë e dialog, që sot, u pati shpjeguar krerëve fetarë, kanë nevojë për dy qëndrime: “Ta shohim çdo burrë e çdo grua si vëlla e si motër” dhe të punojmë me përkushtim “për të mirën e përbashkët”. Sepse “sa më shumë të jemi në shërbim të të tjerëve, aq më shumë jemi të lirë!” E Ati i Shenjtë ftoi të plotësohen “nevojat e të varfërve”. Fjalë, që u bënë jehonë atyre për autoritetet: “Globalizimit të tregjeve duhet t’i përgjigjet globalizimi i solidaritetit”.

Ndërsa në Qendrën Betania, nënvizoi: “E mira të shpërblen pafundësisht më shumë se paratë, të cilat zhgënjejnë”. Fjalë, jashtëzakonisht të rëndësishme për atdheun e shqiponjave, gjithnjë e më i kërcënuar nga relativizmi dhe individualizmi, edhe sot, pas 6 vitesh, siç denoncojnë vazhdimisht ipeshkvijtë vendas, që shpesh, vënë në dukje të këqijat e vjetra dhe të reja: korrupsioni, çekuilibrimi shoqëror, sulmet ndaj institucionit të familjes…

Të rinjtë në pritje të Papës
Të rinjtë në pritje të Papës

Shqiponja dhe të rinjtë

Megjithatë, jo gjithçka është “zi”. Jo për një vend, që ka shqiponjën në flamur. Kjo shqiponjë, sugjeroi Papa Françesku gjatë Meshës në Sheshin Nënë Tereza, “t’ju kujtojë shpresën”. Ajo “nuk e harron folenë, por fluturon lart. Fluturoni lart! Ngjituni lart!” edhe ju, u tha Ati i Shenjtë shqiptarëve. Gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa iu drejtua veçanërisht të rinjve: “Thonë se Shqipëria është vendi më i ri në Evropë, prandaj po ju drejtohem juve. Ju jeni brezi i ri, brezi i ri i Shqipërisë, e ardhmja e atdheut. Mësoni t’i thoni ‘jo’ idhujtarisë së parasë, ‘jo’ lirisë së rreme individualiste, ‘jo’ varësive dhe dhunës; përkundrazi, t’i thoni ‘po’ kulturës së takimit dhe të solidaritetit. Kështu, do të ndërtoni një Shqipëri më të mirë”. Papa i nxiti të rinjtë të mësojnë nga shembulli i martirëve.

Papa përqafon don Ernest Simon Troshanin

Martirët dhe të mbijetuarit

Martirët! Shumë më tepër se 40 të parët, fytyrat e të cilëve mbushnin rrugën kryesore të Tiranës, Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. “Shqipëria – tha Françesku gjatë meshës në sheshin Nënë Tereza – është tokë martirësh: shumë e kanë paguar me jetë besnikërinë e tyre. Nuk kanë munguar sprova guximi të madh e koherence në dëshminë e fesë”. E dinin mirë don Ernesti e motër Maria, që i treguan Papës historinë e tyre të persekutimit, para lutjeve mbrëmësore në katedralen e kryeqytetit. Lotët e Atit të Shenjtë, menjëherë pas dëshmisë së tyre, prekën edhe zemrat e të pranishmëve, por jo vetëm kaq. Papa Françesku la mënjanë fjalën e shkruar e foli pa letër. “Ky popull – pohoi – i ka të gjallë në kujtesë martirët e vet”. E, duke iu drejtuar dy të mbijetuarve: “Më falni, që po ju përdor sot si shembull, por të gjithë duhet të jemi shembull për njëri-tjetrin. Le të shkojmë në shtëpi, duke menduar se vërtet, sot, kemi prekur martirë”. Pamje simbolike, që mbylli ditën historike, përjetuar nga Shqipëria, dikur, simbol i ateizmit komunist e tani, vizituar nga dy Papë.

Marrë nga (Radio Vatikani)

Na ndiqni

1,210FansLike
252FollowersFollow
120FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme