10.5 C
Tirana
HomeKryesorVETËM TË DUASH PËRGJITHMONË ËSHTË TË DUASH ME TË VËRTETË
HomeKryesorVETËM TË DUASH PËRGJITHMONË ËSHTË TË DUASH ME TË VËRTETË

VETËM TË DUASH PËRGJITHMONË ËSHTË TË DUASH ME TË VËRTETË

“Kështu ata nuk janë më dy, por një trup i vetëm. Prandaj: çka Hyji bashkoi, njeriu të mos e ndajë!” (Mt 19,6)

Çfarë duhet bërë për ta shmangur sëmundjen e zemrave? Cilat janë rrugët, në mënyrë që “ndarja e zemrave” të mos jetë e pranishme në jetën martesore?

Në çdo zemër, me të vërtetë të dashuruar, lind spontanisht një shprehje: “Të dua përgjithmonë”…, “deri në amshim”. Askush, që u martua, nuk mendoi ndonjëherë se një dashuri e sinqertë dhe e thellë do të mund të kishte kufizime apo afate kohore.

Përse?

Sepse, përmes dashurisë, kërkohet lumturia në plotësinë e dëshirave dhe dëshirimeve. Askush nuk do të ndihej tërësisht i lumtur, nëse personi, të cilin e do, do t’ia hiqte nga duart dashurinë e vet, që një ditë e pati vendosur përgjithmonë në të.

Sot, dëgjohen shumë zëra që duket se duan ta mohojnë këtë prirje natyrore të zemrës. Duan ta përmbysin shprehjen “çka Hyji bashkoi, njeriu të mos e ndajë” ose ta vënë në diskutim betimin “të dua përgjithmonë”.

Është e qartë se divorci është një shuplakë aq e dëmshme saqë është në gjendje t’i shkatërrojë familjet, martesat, personat dhe shoqëritë. Atëherë, pra, të jetuarit e asaj “të dua përgjithmonë” nuk është vetëm shqetësimi që të mos ndaheni kurrë, por është diçka më shumë; është luftimi i vazhdueshëm që të mos futet asnjëherë në jetët tuaja “ndarja e zemrave”, e cila gjithashtu ndan ose mund të bëjë që një ditë të merret një shuplakë më e madhe.

Çfarë duhet bërë për ta shmangur sëmundjen e zemrave? Cilat janë rrugët, në mënyrë që “ndarja e zemrave” të mos jetë e pranishme në jetën martesore?

Gjëja e parë dhe themelore është zbulimi i pranisë së Krishtit bashkëshortor, që rri aty, në mesin e bashkëshortëve, dhe zotimi për të dashur ashtu si do Krishti.

Po ta kishin secili prej bashkëshortëve Zotin të pranishëm kur merren njëri me tjetrin dhe ta matnin afektin dhe ngrohtësinë e tyre me masën me të cilën na deshi Krishti, ata do të ndiheshin të aftë për shumë gjëra të mëdha.

Ai do t’ju ndihmojë pa masë në ecjen drejt njësisë, por ka nevojë edhe që të kujdesoheni ta mbroni atë nga armiqtë e saj, të cilët janë:

  1. Rutina – Është e nevojshme që të ushqehet krijimtaria, duke e ripërtërirë dëshirën për ta kënaqur dhe për ta gëzuar tjetrin.
  2. Ftohtësia – Jo vetëm se duhet të përmbushen detyrimet themelore, por çifti duhet të jetë përplot me butësi, duke kërkuar edhe kënaqësinë e asaj apo atij që e do.
  3. Heshtja – Zakonisht tregon mërzitje, shpërfillje ose përçmim dhe shkakton moskomunikim.
  4. Kritikat e ndërsjella shkatërruese dhe përgjigjet ndaj tyre – Sidomos kur janë shkak poshtërimesh lënduese, që rëndohen kur bëhen në praninë e të tretëve.
  5. Moskuptimi si qëndrim – veçanërisht kur nënkupton refuzimin e shprehur ndaj kërkimit të mirëkuptimit. Është një prej burimeve të thyerjes si të zemrave ashtu edhe asaj të plotë.

Në këtë ecje angazhimi në kërkim të arritjes së njësisë së përsosur, është me rëndësi që ta bëni një shqyrtim të thellë të ndërgjegjes mbi jetën e përbashkët martesore:

  • A jemi të vetëdijshëm se, në jetën martesore, bashkimi me Krishtin nuk mund të jetë në qoshe të marrëdhënies sonë dashurore trupore dhe shpirtërore?
  • A përpiqemi që ta ripërtërijmë dashurinë tonë me shprehje të reja butësie, delikatesa apo me ndihmë konkrete?
  • A i merr parasysh secili kriteret apo mendimet e tjetrit përballë një vendimi?
  • A mendojmë për të metat e tjetrit duke i harruar tonat? A nuk i zmadhojmë të metat e tjetrit për të dalë vetë mirë?
  • A dimë t’i njohim vlerat dhe virtytet e tjetrit?
  • Çfarë mund të bëjmë, në mënyrë që dashuria jonë të rritet dhe të qëndrojë?
  • Kur jemi martuar, kemi thënë se do të bëjmë gjithçka për ta bërë tjetrin të lumtur. A jemi në gjendje që ta përsërisim edhe sot këtë premtim?
  • A i drejtohemi Zotit në lutje të vetëdijshëm se, për veprimin e hirit dhe të sakramentit, ai do të na ndihmojë për të qenë bashkëshortë të mirë?

Për bashkëbisedim në çift

  • Të përdoren pyetjet për jetën e përbashkët martesore.

Për t’u lutur bashkë

O Zot Jezus,

duam që prania jote mes nesh,

të na ndihmojë gjithmonë

që të rritemi në dashuri,

për të dashur me të vërtetë,

duke u kujdesur për gjithçka

që e ndihmon bashkimin e martesës,

duke e shkatërruar rutinën,

ftohtësinë dhe heshtjet,

kritikën dhe moskuptimet,

duke bërë që çdo ditë

të duhemi më shumë e më mirë.

Është dëshira jonë, o Zot,

që të arrijmë të duhemi

ashtu si ti e do Kishën,

me dashurinë tënde të plotë dhe të tërësishme,

angazhuese e bujare.

O Zot,

dëshirojmë që të duam me të vërtetë,

sepse kjo është të duam përgjithmonë.

Amen!

Shkëputur nga libri

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme