HomeKryesorUrimi i Presidentit të KISH për Administratorin e ri të Jugut

Urimi i Presidentit të KISH për Administratorin e ri të Jugut

Sot Papa Leoni XIV ka emëruar Atë Flavio Cavallini-n ofm si Administrator të Administraturës Apostolike të Shqipërisë së jugut. Me këtë rast Presidenti I KISH-it ka përshëndetur dhe uruar Atë Flavio Cavallini-n për emërimin e tij. Të gjithë e njohim Atë Flavio-n dhe angazhimin e tij në Shqipëri qysh prej fillimit të rihapjes së Kishave pas regjimit komunist.
Në letrën e tij Imzot Meta shkruan:

Rrëshen, 25 prill 2026

Shumë i dashur Atë Flavio,

Me shumë gëzim, morëm lajmin e emërimit tënd si Administrator Apostolik i Administraturës Apostolike të Shqipërisë së Jugut. Ati i Shenjtë ka zgjedhur si udhëheqës të një realiteti misionar shumë të shtrirë gjeografikisht dhe mjaft kompleks një misionar që ka ardhur në Shqipëri qysh në fillimet e hapjes së kishave, pas periudhës së egër të regjimit komunist.

Ti ke shërbyer si Provincial i Provincës Françeskane “Zoja Nunciatë” e më pas edhe si famullitar në disa vende të Shqipërisë. Kontributi yt i vyer në fushën e mësimdhënies së Shkrimit të Shenjtë në Seminarin Ndërdioqezan “Nana e Këshillit të Mirë”, në Shkodër, ku janë formuar breza të tërë priftërinjsh, është i njohur për të gjithë ne. Po ashtu është e njohur edhe puna ungjillëzuese që ke bërë në të gjitha misionet ku ke qenë, me shumë kreativitet e pasion.

Si President i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë, të uroj mirëseardhjen në këtë Konferencë! Shpresoj shumë që së bashku me ipeshkvijtë e tjerë do të punojmë për Mbretërinë e Hyjit dhe Ungjillin në Shqipërinë tonë.

Falënderojmë Zotin dhe Atin e Shenjtë, Papa Leonin XIV, që ka menduar për ty si Bari i Administraturës Apostolike të Jugut!

Nana e Këshillit të Mirë, Pajtorja jonë dhe Shën Marku ungjilltar të qofshin gjithmonë krah në punën tënde! Të shoqërojmë me lutjen dhe afërsinë tonë.

Vllazërisht në Krishtin,

+ Gjergj Meta

Ipeshkëv i Rrëshenit
President i KISH-it

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme