18.5 C
Tirana
HomeKISHUrimi i Presidentit të KISH-it për 12-vjetorin e Pontifikatit të Papa Françeskut
HomeKISHUrimi i Presidentit të KISH-it për 12-vjetorin e Pontifikatit të Papa Françeskut

Urimi i Presidentit të KISH-it për 12-vjetorin e Pontifikatit të Papa Françeskut

Imzot Gjergj Meta
President i KISH

Në përvjetorin e 12-të të zgjedhjes së Papa Françeskut si Ipeshkëv i Romës, Presidenti i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë ka shprehur urimet e tij të përzemërta për Atin e Shenjtë. Në një letër drejtuar Papës, Imzot Gjergj Meta, vlerëson udhëheqjen e tij të palëkundur gjatë këtyre viteve, angazhimin për paqen, drejtësinë dhe kujdesin për të varfrit. Po ashtu, letra thekson afërsinë e Papa Françeskut me Shqipërinë dhe popullin e saj, duke kujtuar vizitën e tij historike në vendin tonë.

Lexoni letrën e plotë më poshtë…

Rrëshen 12/03/2025

I dashur Papa Françesku,

Në përvjetorin e Zgjedhjes Suaj në fronin Papnor, bashkohemi në lutje me mbarë Kishën për shërbesën Tuaj pjetrine. Në emër të të gjithë ipeshkvijve të Shqipërisë dhe të të gjithë besimtarëve tanë, Ju shpreh urimet më të përzemërta për zgjedhjen Tuaj, dymbëdhjetë vjet më parë.

Në këto vite, Ju, Atë i Shenjtë, e keni udhëhequr Kishën duke kaluar momente të vështira, por edhe të gëzueshme, pa e humbur asnjëherë shpirtin guximtar e këmbëngulës. Kemi parë te Ju dëshirën e fortë për një Kishë të vëmendshme ndaj periferive ekzistenciale dhe gjeografike të botës, siç dëshmohet nga vendet që Ju keni zgjedhur të vizitoni në këto vite, mes të cilave edhe Shqipërinë tonë. Për më tepër, zëri Juaj ishte një zë i fuqishëm për paqen dhe kundër luftës e armatimit. Keni promovuar në mënyrë të veçantë mbrojtjen e mjedisit dhe Vëllazërinë e Gjithmbarshme njerëzore. Së fundmi kemi marrë nga Ju dhuratën e Sinodit mbi sinodalitetin për një Kishë sinodale, misionare dhe të mëshirshme, duke na dorëzuar edhe Letrën Enciklike, sa të bukur aq edhe të thellë, “Dilexit nos”. Faleminderit Atë i Shenjtë!

Në këto ditë, i sprovuar nga sëmundja në spital, Ju na keni dhënë edhe një herë një dëshmi të fortë feje dhe qetësie në përballimin e vuajtjeve. Ju jemi mirënjohës! Çdo ditë ndjekim informacionet që vijnë nga Poliklinika “Gemelli” dhe Ju kemi kujtuar në lutje. Kemi besimin dhe shpresën e plotë se Zoti i jetës do t’Ju gjendet gjithmonë pranë, veçanërisht në këto momente, në mënyrë që Ju ta vazhdoni shërbimin Tuaj pjetrin, ashtu si Zotit i pëlqen.

Atë i Shenjtë, ne Jua premtojmë lutjen tonë dhe gjithashtu kërkojmë lutjen Tënde për Kishën dhe popullin tonë në Shqipëri. Zoti Ju bekoftë dhe Nëna e Këshillit të Mirë, pajtore e Shqipërisë, Ju ruajt!

Vëllazërisht në Krishtin

+Gjergj Meta
Ipeshkëv i Rrëshenit
President i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme