«Paqja qoftë me ju të gjithë!» Të dashur vëllezër e motra, kjo është përshëndetja e parë e Krishtit të ngjallur, e bariut të mirë që ka dhënë jetën e vet për grigjën e Hyjit.
Edhe unë do të doja që kjo përshëndetje paqeje të hynte në zemrat tuaja, të arrinte në familjet tuaja, në të gjithë njerëzit, kudo që janë, në të gjithë popujt, në mbarë dheun. Paqja qoftë me ju! Kjo është paqja e Krishtit të ngjallur, një paqe e çarmatosur dhe një paqe çarmatosëse, e përvujtë dhe këmbëngulëse. Vjen nga Hyji. Hyji që na do të gjithëve, pa kushte.
Ende e ruajmë në veshët tanë atë zë të dobët, por gjithmonë të guximshëm, të Papa Françeskut, i cili e bekonte Romën. Papa që bekonte Romën dhe ia jepte bekimin e tij mbarë botës, atë mëngjes, ditën e Pashkëve. Më lejoni të vazhdoj me të njëjtin bekim: Hyji na do, Hyji ju do të gjithëve dhe e keqja nuk do të ngadhënjejë: të gjithë jemi në duart e Hyjit.
Prandaj, pa frikë, të kapur dorë për dore me Hyjin dhe me njëri-tjetrin, le të ecim përpara.
Ne jemi dishepuj të Krishtit, Krishti na paraprin: bota ka nevojë për dritën e tij. Njerëzimi ka nevojë për të, si urë, për t’u arritur nga Hyji dhe dashuria e tij. Na ndihmoni edhe ju, e pastaj njëri-tjetrin, të ndërtojmë ura me dialog, duke u takuar, duke u bashkuar të gjithë për të qenë një popull i vetëm, gjithmonë në paqe.
Faleminderit Papa Françeskut!
Dua t’i falënderoj të gjithë vëllezërit e mi kardinalë që më kanë zgjedhur për të qenë pasardhësi i Pjetrit e për të ecur së bashku me ju, si një Kishë e bashkuar, duke kërkuar gjithmonë paqen, drejtësinë, duke u përpjekur gjithmonë për të punuar si burra e gra besnikë ndaj Jezusit, pa frikë, për të shpallur Ungjillin, për të qenë misionarë.
Unë jam bir i Shën Augustinit, një augustinian, i cili ka thënë «me ju jam i krishterë dhe për ju ipeshkëv». Në këtë kuptim, të gjithë mund të ecim së bashku drejt atdheut që Hyji na ka përgatitur.
Një përshëndetje e veçantë për Kishën e Romës.
Duhet të kërkojmë së bashku si të jemi një Kishë misionare, një Kishë që ndërton ura, dialog, gjithmonë e hapur për të pritur, si ky shesh, me krahë hapur, të gjithë ata që kanë nevojë për bamirësinë tonë, për praninë tonë, për dialogun, për dashurinë tonë.
([Në gjuhën spanjolle] Dhe nëse më lejoni një fjalë, një përshëndetje për të gjithë dhe veçanërisht për dioqezën time të dashur të Çiklajos, në Peru, ku një popull besnik ka shoqëruar ipeshkvin e vet, ka bashkëndarë fenë e tij dhe ka dhënë kaq shumë, kaq shumë për të vazhduar të jetë një Kishë besnike e Jezu Krishtit).
Për të gjithë ju, vëllezër e motra, nga Roma, nga Italia, nga e gjithë bota, duam të jemi një Kishë sinodale, një Kishë që ecën, që kërkon gjithmonë paqen, bamirësinë, të jetë pranë, veçanërisht atyre që vuajnë.
Sot është dita e lutjes drejtuar Zojës së Pompeit. Nëna jonë, Maria, dëshiron gjithmonë të ecë me ne, të jetë pranë nesh, të na ndihmojë me ndërmjetësimin dhe dashurinë e saj. Le të lutemi së bashku për këtë mision të ri për mbarë Kishën, për paqen në botë dhe le t’ia kërkojmë këtë hir të veçantë Marisë, nënës sonë».