Misioni i engjëjve ndalet në pragun e zbulesës së fundit, lajmëtarët e të cilës nuk mund të jenë ata.
Në Lindjen e Krishtit engjëjt janë të çuditur e të mrekulluar nga mishërimi, pohojnë disa tekste patristike. Engjëjve u zbulohet një Hyj ndryshe nga Hyji në madhëri që ata njihnin.
Engjëjt e mrekulluar
Ky Hyj nuk vjen më në pushtet dhe lavdi, por në kenozë, domethënë duke ulur veten e në përvujtëri, dhe zbulesa e tij do të përmbushet në vdekjen e turpshme të Jezusit në kryq. Dhe mund të vërehet fare lehtë se, në shumë shkrime biblike ku flitet për engjëj, ato gjenden të mrekulluar, një mahnitje qiellore që i bën jehonë mahnitjes së njerëzve.
Pragu ku engjëjt duhet të ndalojnë
Misioni i engjëjve ndalet në pragun e zbulesës së fundit lajmëtarët e të cilës nuk mund të jenë ata, pasi është Hyji ai që e realizon atë duke u bërë njeri dhe duke përqafuar përvujtërinë e mishit. Para kësaj zbulese, vetë engjëjt mbeten ‘gojëhapur’ dhe si të shtangur, sepse është pikërisht diçka e padëgjuar më parë: Hyji është ai njeri i përulur, i përbuzur dhe i kryqëzuar.
Të pagojë para asaj që s’ua rrokë mendja
Para një zbulese të tillë, engjëjt nuk mund të jenë veçse të çuditur dhe ngelen si të pagojë, ashtu si vetë njerëzit, të cilëve nuk ua rrokë mendja një gjest të tillë të Hyjit. Më e shumta, engjëjt do të mund të përsërisin pa pushim atë që kanë parë e dëgjuar, siç do të bëjnë edhe dishepujt e parë. Meqenëse për atë Hyj atje, i paparashikueshëm e që të lë pa fjalë, nuk mund të thuhet asgjë.
Sepse nuk ka më asgjë për të thënë
Në adhurimin e heshtur, njeriu dhe engjëlli heshtin në Lindjen e Krishtit. Hyji e ka dhënë mesazhin e tij të fundit, mesazhin e përsosur që thotë se fjala bëhet mish, fjala që vlen si një veprim, fjala që është vetë Hyji. Nuk ka më asgjë tjetër për të thënë dhe engjëjt heshtin kur fjala bëhet mish dhe mishi bëhet fjalë.
Arti dhe mishërimi
Përtej çdo fjalimi dhe çdo mesazhi, është përsëri arti që do ta përkthejë më së miri atë hutim të shkaktuar nga ngjarja e mishërimit, duke hapur rrugë të reja për engjëjt në mes të njerëzve.
Në Kapelën Scrovegni
Në Padova, në kapelën Scrovegni, mund të shihet lindja e Krishtit nga Giotto. Virgjëra Mari është shtrirë në shtratin e saj, duke parë foshnjën Jezus që ia paraqet një grua. Jozefi është ulur në këmbët e krevatit, i zhytur në meditim të thellë. Gomari dhe kau, delet janë aty, që rrethojnë familjen e shenjtë.
Nderimi i barinjve dhe engjëlli që përkulet
Pak më tutje, në të djathtë, barinjtë kanë ardhur për t’i dhënë fëmijës nderimin e tyre të heshtur. Në pjesën e sipërme të pikturës, pak si një larim ose një qiell, kalon një aradhë engjëjsh, që duket sikur shtyjnë njëri-tjetrin. Duke kaluar përmbi nënën dhe fëmijën, çdo engjëll, me duar të bashkuara, përkulet thellë dhe zhduket duke u zhytur në cepin e sipërm në të djathtë të pikturës.
Një stabilitet mahnitës
Nga ky kuadër përhapet një paqe e çuditshme. Bota sikur ka ndaluar, e mbërthyer në një stabilitet mahnitës. Një herë e përgjithmonë, qendra e botës është atje, në figurën e asaj nëne që shikon me butësi djalin e saj. Në këtë vështrim të dashur, të gjitha fjalët heshtin, përfundimisht. Fjala e Hyjit u bë mish dhe në atë mish, çdo gjë zbulohet nga Ati i Amshuar, deri në fundin e botës.
Sfilata “e fundit”
Edhe engjëjt lajmëtarë e kanë përfunduar punën e tyre. Edhe për një herë të fundit, ata parakalojnë para fëmijës, përkulen thellë dhe zhduken. Puna që ata lajmëronin është përmbushur, historia ka mbaruar, e hapur në pafundësi, mbretëria e Hyjit është aty, në mesin tonë, dhe është bërë detyra jonë. Një herë e përgjithmonë, çdo gjë është thënë, ajo që tashmë është thënë dhe që do të përsëritet deri në fund të botës.
Shkëlqimi i shndritshëm i Hyjit
Është thënë, përfundimisht, se Hyji është zemra e botës dhe se lajmëtarët e tij do t’ua kumtojnë atë njerëzve vullnetmirë deri në fundin e botës. Është thënë se këta lajmëtarë engjëllorë nuk janë gjë tjetër veçse shkëlqimi i shndritshëm i Hyjit, si edhe njëkohësisht parafytyrimi i njeriut të ardhshëm, i atij njeriu që tashmë është atje, në shikimin e dashur të nënës.
Udhët engjëllore
Ata lajmëtarë u dërguan dhe erdhën; tani janë të thirrur të fshihen, të zhduken përpara realizimit të Hyjit në mishin e njeriut, përpara hyjnores që u mishërua, që kumton dhe thërret realizimin e njeriut në Hyjin, përshpirtërimin e mishit.
Kështu, udhët engjëllore janë rrugët e zbritjes së Hyjit në mesin e njerëzve, rrugët e mishërimit dhe rrugët e qasjes së njeriut te Hyji, rrugët e ringjalljes dhe të hyjnizimit. Dhe engjëjt janë bërë, përfundimisht, rojtarë të udhëve të njerëzve, udhëve të Birit të Njeriut dhe udhëve të Bijve të njeriut.