Kjo është tema që ka mbledhur, në Fatima, nga data 7-11 tetor, Presidentët e Konferencave Ipeshkvore të Evropës në takimin plenar të CCEE-së (Këshilli i Konferencave Ipeshkvore të Evropës). Në këtë takim merr pjesë edhe Presidenti i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë Sh.T. Imzot Gjergj Meta.
Asambleja u hap me Meshën e kremtuar nga të gjithë ipeshkvijtë në Kapelën e shfaqjeve të Zojës së Fatimës dhe u kryesua nga Presidenti i CCEE-së, Sh.T. Imzot Gintaras Grusas.


Fjalët e para të këtij sesioni plenar të CCEE-së, duke nisur nga predikimi i Imzot Grusas, por edhe nga të gjithë ata që morën fjalën në fillim të sesionit, kanë qenë për paqen. Në këtë kohë të turbullt për botën dhe për Evropën, për shkak të konflikteve dhe luftërave, veçanërisht në Ukrainë dhe në Gaza, Kishat e Evropës kanë shprehur mbështetjen e tyre për proceset e paqes. Në mënyrë të veçantë bashkojmë zërat tanë me zërin e Papa Leonit XIV në kërkim të paqes, aq të dëshiruar.
Po ashtu, në ditët në vijim, do të reflektohet rreth trajtave të shekullarizimit dhe se si mund të jemi dishepuj, si mund të shpallim Ungjillin, në këtë realitet evropian. Do të jenë dy folës që do ta ndihmojnë asamblenë në reflektimet e pjesëmarrësve. Së pari Prof. Isabel Capeloa Gil, Rektore e Universitetit Katolik të Portugalisë do të bëjë një analizë kulturore të situatës aktuale. Në ditën e dytë do të jetë Prof. András Máté Tóth, Profesor i Studimeve religjioze pranë Universitetit të Szeged në Hungari, i cili do të flasë rreth disa vlerësimeve socio-teologjike për të qenë misionarë në këtë epokë shekullarizimi të Evropës.
Në ditën e parë, ishin me interes ndërhyrjet e organeve katolike pranë BE-së rreth sfidave që po kalon BE-ja. U fol edhe për politikat e zgjerimit, gjë e cila na intereson edhe neve në Shqipëri, duke theksuar faktin se kishat lokale duhet të jenë të ndjeshme dhe të japin kontributin e tyre në proceset e integrimit evropian të popujve të tyre.