Vijim i katekezave, në kuadër të Vitit kushtuar lutjes…
Zoti udhëheq çdo njeri sipas rrugëve dhe mënyrave që i pëlqejnë atij. Çdo besimtar, nga ana e tij, i përgjigjet sipas vendimit të zemrës së vet dhe shprehjeve personale të lutjes së vet. Megjithatë, tradita e krishterë ka ruajtur tri shprehje madhore të jetës së lutjes: lutja me zë, meditimi, lutja soditëse. Këto kanë të përbashkët një tipar themelor: përmbledhjen e zemrës. Kjo vigjilencë në ruajtjen e Fjalës dhe në qëndrimin në prani të Hyjit i bën këto tri shprehje momente të forta të lutjes (KKK 2699).
I. Lutja me zë
2700 Me Fjalën e vet, Hyji i flet njeriut. Dhe lutja jonë trupëzohet me anë të fjalëve, me mend ose me zë. Por më e rëndësishmja është prania e zemrës tek ai të cilit i flasim në lutje. «Që lutja jonë të dëgjohet, varet jo nga sasia e fjalëve, por nga zjarri i shpirtrave tanë».
2701 Lutja me zë është një përbërës i domosdoshëm i jetës së krishterë. Dishepujve, të tërhequr nga lutja e heshtur e Mësuesit të tyre, ky i fundit u mëson lutjen me zë «Ati ynë». Jezusi nuk është lutur vetëm me lutjet liturgjike të sinagogës; Ungjijtë na e paraqesin ndërsa shqipton me zë të lartë lutjen e vet personale, që nga bekimi galdues ndaj Atit (krh. Mt 11,25-26.), deri në ankthin e Gjetsemanit (krh. Mk 14,36).
2702 Nevoja për të bashkuar shqisat me lutjen e brendshme i përgjigjet një kërkese të natyrës njerëzore. Jemi trup e shpirt, prandaj e ndjejmë nevojën për të nxjerrë jashtë ndjenjat tona. Duhet të lutemi me tërë qenien tonë, për t’i dhënë përlutjes sonë forcën më të madhe të mundshme.
2703 Kjo nevojë i përgjigjet edhe një kërkese hyjnore. Hyji kërkon adhurues në shpirt dhe në të vërtetë dhe, rrjedhimisht, lutjen që ngjitet e gjallë nga thellësitë e shpirtit. Ai do edhe shprehjen e jashtme që bashkon trupin me lutjen e brendshme, në mënyrë që lutja t’i bëjë nderimin e përsosur për të gjitha ato që i takojnë me të drejtë.
2704 Duke qenë e jashtme dhe plotësisht njerëzore, lutja me zë është lutja tipike e masave. Por edhe lutja më e brendshme nuk do të mund të bënte pa lutjen me zë. Lutja bëhet e brendshme në masën me të cilën ne ndërgjegjësohemi për atë «të cilit i flasim»5 . Atëherë lutja me zë bëhet një formë e parë e lutjes soditëse.
II. Meditimi
2705 Meditimi është kryesisht kërkim. Shpirti përpiqet të dijë pse-në dhe si-në e jetës së krishterë për t’iu bashkuar dhe përgjigjur asaj që Zoti kërkon. Për këtë gjë nevojitet një vëmendje e vështirë për t’u disiplinuar. Zakonisht na vjen në ndihmë ndonjë libër, të cilët nuk u mungojnë të krishterëve: Shkrimi Shenjt, sidomos Ungjilli, ikonat e shenjta, tekstet liturgjike, të ditës ose të kohës, shkrimet e Etërve të jetës shpirtërore, veprat e përshpirtërisë, libri i madh i krijimit dhe ai i historisë, faqja e të «sotmes» së Hyjit.
2706 Të medituarit mbi atë që lexohet të çon në përvetësimin e saj duke e ballafaquar me vetveten. Këtu hapet një libër tjetër: ai i jetës. Kalohet nga mendimet te realiteti. Sipas masës së përvujtërisë dhe fesë që ka njeriu, zbulohen lëvizjet që trazojnë zemrën dhe aty mund të bëhet dallim. Bëhet fjalë për të zbatuar të vërtetën që të dilet në dritë: «Zot, çfarë do që unë të bëj?».
2707 Metodat e meditimit janë aq sa janë drejtuesit shpirtërorë. Një i krishterë duhet të meditojë rregullisht, përndryshe u përngjan tri tokave të para të shëmbëlltyrës së mbjellësit (krh. Mk 4,4-7.15-19). Por metoda nuk është veçse një udhëheqje; e rëndësishme është të përparosh, me Shpirtin Shenjt, në të vetmen rrugë të lutjes: Jezu Krishtin.
2708 Meditimi vë në lëvizje mendimin, imagjinatën, emocionin dhe dëshirën. Ky mobilizim është i nevojshëm për të thelluar bindjet e fesë, për të nxitur kthimin e zemrës dhe për të përforcuar vullnetin në ndjekjen e Krishtit. Lutja e krishterë ndalet, më së shumti, për të medituar «misteret e Krishtit», si në lectio divina [leximi hyjnor] ose në Rozaren. Kjo formë e të reflektuarit lutës ka një vlerë të madhe, por lutja e krishterë duhet të synojë më larg: te njohja e dashurisë së Zotit Jezus, të bashkimi me të.
III. Lutja soditëse
2709 Çfarë është lutja soditëse? Shën Tereza përgjigjet: «Lutja mendore, sipas mendimit tim, nuk është veçse një marrëdhënie e ngushtë miqësie, gjatë së cilës bisedojmë shpesh vetëm për vetëm me atë Hyj, që e dimë se na do». Lutja soditëse kërkon «dashurinë e zemrës sime» (Kk 1,7). Është Jezusi dhe, në të, Ati. Ai kërkohet, sepse dëshira është gjithmonë fillimi i dashurisë dhe kërkohet në fenë e kulluar, ajo fe që na bën të lindim nga ai dhe të jetojmë në të. Mund të meditohet edhe gjatë lutjes soditëse, por shikimi është i drejtuar kah Zoti.
2710 Zgjedhja e kohës dhe e zgjatjes së lutjes soditëse varet nga një vullnet i vendosur, zbulues i fshehtësive të zemrës. Nuk bëhet lutje soditëse kur ke kohë: merret koha për të qenë për Zotin, me vendimin e prerë për të mos ia marrë atij prapë atë gjatë rrugës, cilatdo qofshin provat dhe thatësira e takimit. Nuk mund të meditohet vazhdimisht; vazhdimisht mund të hyhet në lutje soditëse, pavarësisht nga kushtet shëndetësore, të punës ose të ndjenjave. Zemra është vendi i kërkimit dhe i takimit, në varfëri dhe në fe.
2711 Hyrja në lutjen soditëse është analoge me atë të liturgjisë eukaristike: «përmbledhja» e zemrës, përqendrimi i krejt qenies sonë nën veprimin e Shpirtit Shenjt, banimi i shtëpisë së Zotit, që jemi ne, rizgjimi i fesë për të hyrë në praninë e atij që na pret, heqja e maskave tona dhe drejtimi i zemrës sonë kah Zoti që na do, me qëllim që t’i dorëzohemi atij si një dhuratë për t’u pastruar dhe shndërruar.
2712 Lutja soditëse është lutja e birit të Hyjit, e mëkatarit të falur, që hapet për të pranuar dashurinë me të cilën vetë është dashur dhe së cilës do t’i përgjigjet duke dashur akoma më shumë. Por ai e di se dashuria me të cilën përgjigjet është ajo që Shpirti derdh në zemrën e tij; njëmend çdo gjë është hir nga ana e Hyjit. Lutja soditëse është braktisja e përvuajtur dhe e varfër në krahët e vullnetit të dashur të Atit, në bashkim përherë e më të thellë me Birin e tij të dashur.
2713 Kështu, lutja soditëse është shprehja më e thjeshtë e misterit të lutjes. Lutja soditëse është një dhuratë, një hir; nuk mund të pranohet ndryshe veçse në përvujtëri dhe varfëri. Lutja soditëse është një raport besëlidhjeje, vulosur nga Hyji në thellësinë e qenies sonë. Lutja soditëse është bashkim: në të e Shenjtërueshmja Trini formon njeriun, shëmbëllesën e Zotit, «në ngjashmëri me të».
2714 Lutja soditëse është edhe vetë koha e fortë e lutjes. Gjatë lutjes soditëse, Ati na përforcon fuqimisht me Shpirtin e vet në njeriun e brendshëm, në mënyrë që Krishti të banojë për shkak të fesë në zemrat tona dhe ne të rrënjosemi dhe të themelohemi në dashuri.
2715 Lutja soditëse është shikim feje i ngulur mbi Jezusin. «Unë e shikoj dhe ai më shikon», thoshte, në kohën e Famullitarit të tij të shenjtë, fshatari i Arsit në lutje përpara Tabernakullit. Kjo vëmendje ndaj atij është dorëheqje nga «uni». Shikimi i tij pastron zemrën. Drita e shikimit të Jezusit ndriçon sytë e zemrës sonë; na mëson të shohim gjithçka në dritën e së vërtetës së tij dhe të dhembshurisë së tij për të gjithë njerëzit. Lutja soditëse çon gjithashtu shikimin e vet edhe mbi misteret e jetës së Krishtit. Në këtë mënyrë shpie tek «njohja e brendshme e Zotit», për ta dashur dhe ndjekur më shumë.
2716 Lutja soditëse është dëgjim i Fjalës së Hyjit. Larg nga të qenët pasiv, ky dëgjim identifikohet me dëgjesën e fesë, pranim i pakushtëzuar i shërbëtorit dhe aderim plot dashuri e të birit. Ai merr pjesë në «po»-në e Birit të bërë Shërbëtor dhe në «fiat»-in e shërbëtores së tij të përvuajtur.
2717 Lutja soditëse është heshtje, «simbol i jetës së ardhshme» ose «dashuri e heshtur». Në lutjen soditëse fjalët nuk janë fjalime, por si degëza që ushqejnë zjarrin e dashurisë. Në këtë heshtje, të padurueshme për njeriun «e jashtëm», Ati na thotë Fjalën e tij të mishëruar, që vuan, vdes dhe ngjallet, dhe Shpirti birnor na bën të marrim pjesë në lutjen e Jezusit.
2718 Lutja soditëse është bashkim me lutjen e Krishtit në masën me të cilën na bën pjesë të misterit të tij. Misteri i Krishtit kremtohet nga Kisha në Eukaristi dhe Shpirti Shenjt e bën të jetojë te lutja soditëse, me qëllim që të shfaqet nëpërmjet dashurisë në veprim.
2719 Lutja soditëse është një bashkim dashurie jetësjellëse për një mori [besimtarësh], në masën me të cilën është pranim për të banuar në natën e errët të fesë. Nata pashkore e ngjalljes kalon nëpër atë të agonisë dhe të varrit. Shpirti i tij (dhe jo «mishi», që «është i dobët») vepron në atë mënyrë që në lutjen soditëse të përkthejmë në jetë këto tri kohë të forta. Duhet të pranoj për të ndenjur zgjuar një orë me të (krh. Mt 26,40-41).
Vijon në numrin e ardhshëm…