Shënkolli përjetoi një ditë të paharrueshme të mërkurën, më 1 tetor 2025, kur komuniteti i kushtoi njërën nga rrugët kryesore Shërbëtores së Zotit, Nënës Carla Borgheri, themeluese e Motrave Misionare të Mishërimit.
Ceremonia, solemne dhe e mbushur me pjesëmarrje, mblodhi autoritete fetare dhe civile, meshtarë, motra rregulltare dhe shumë besimtarë nga fshatrat përreth, të ardhur për të nderuar një grua që ka lënë gjurmë të thella në jetën e komunitetit.
Ngjarja u nderua në mënyrë të veçantë nga prania e Imzot Ottavio Vitale, Ipeshkëv i Lezhës, dhe Ambasadorit të Indisë në Shqipëri, Shkëlqesia e Tij Ravindra Prasad Jaiswal, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Amrita Jaiswal, të cilët ndanë me komunitetin gëzimin e këtij momenti domethënës.
Nëna Carla, e kujtuar si grua e dashurisë dhe guximit, ishte ajo që dëshiroi me zemër misionin e Motrave Misionare të Mishërimit në Shqipëri, i cili u inaugurua më 1 tetor 2000. Ajo dëshironte të njihte nga afër vuajtjet që po përjetonte populli pas rrëzimit të regjimit komunist.



Vendi ishte në kërkim të rindërtimit material dhe moral, i etur për kujdes, edukim dhe një besim të ri në të ardhmen. Nëna Carla vizitoi familje, dëgjoi histori, ndau lodhje dhe vështirësi, duke i mbartur ato në zemër dhe në lutje.
Ishte pikërisht kjo përvojë e drejtpërdrejtë që e shtyu të vendoste hapjen e një bashkesie të qëndrueshëm, që motrat të mund të shoqëronin konkretisht njerëzit në rrugën e ringjalljes. Me vizitat e saj, ajo ofroi mbështetje shpirtërore dhe njerëzore për motrat dhe për popullin.
LData e zgjedhur nuk ishte rastësore: viti 2025 shënon dy ngjarje të rëndësishme – 25-vjetorin e pranisë së Motrave Misionare të Mishërimit në Shënkoll dhe përfundimin e fazës dioqezane të procesit të lumturimit dhe kanonizimit të Nënës Carla, i kremtuar më 26 prill në katedralen e Frascatit.


Ngjarja nisi me një kremtim të shenjtë eukaristik të udhëhequr nga Imzot Ottavio Vitale, Ipeshkëv i Lezhës, dhe vijoi me momentin më të pritur: zbulimin e pllakës me emërtimin e ri “Nënë Carla Borgheri”. Një gjest që preku zemrat e të pranishmëve, duke e kthyer një vend kalimi në një shenjë të përhershme të kujtesës së gjallë.
«Kjo rrugë është një shenjë konkrete e mirënjohjes së një populli», tha një nga të pranishmit, «dhe një ftesë për të vazhduar të ecim në gjurmët e mësimeve të saj». Në fjalën e saj, Nëna Gjenerale, motra Loreda Spagnolo, solli disa nga tiparet karizmatike të jetës së Nënës Carla: «ta bësh të dukshëm fytyrën njerëzore të Zotit, duke përqafuar një stil të mbushur me afërsi, dëgjim dhe butësi ungjillore».
Mbrëmja u mbyll me një festë të gëzueshme me të pranishmit, mes këngësh, vallesh, buzëqeshjesh dhe dëshmi mirënjohjeje. Për shumëkënd, ishte edhe një moment shprese të re: një rast për të pranuar se trashëgimia shpirtërore e Nënës Carla nuk i përket vetëm së kaluarës, por vazhdon të frymëzojë të tashmen.
Trashëgimia e saj karizmatike bëhet e dukshme sot përmes pranisë aktive të bashkësisë së motrave SMI, që zgjedh të ecë, sipas mësimit të saj, pranë më të brishtëve dhe më të fundit, duke ndarë lodhjet, pritjet dhe sfidat e tyre. Kështu, ditë pas dite, kjo prani bëhet shenjë drite dhe shprese në “rrugët e jetës”, duke kontribuar në ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për të gjithë.