HomeArqidioqeza Tiranë-DurrësShenjtërimi i Nënë Terezës, Meshë e shenjtë në Durrës për bamirësen shqiptare
HomeArqidioqeza Tiranë-DurrësShenjtërimi i Nënë Terezës, Meshë e shenjtë në Durrës për bamirësen shqiptare

Shenjtërimi i Nënë Terezës, Meshë e shenjtë në Durrës për bamirësen shqiptare

Pasditen e së djeshmes, shumë besimtarë katolikë janë mbledhur në kishën baritore në Porto Romano, që mban emrin e shenjtores shqiptare Nënë Tereza për të ndjekur meshën kushtuar fitueses së çmimit Nobel për Paqen.

Qendra Baritore, e cila është nën kujdesin e Etërve Domenikanë, e ndodhur pranë Eco Parkut, mishëron më së miri thjeshtësinë që e karakterizoi përgjatë gjithë jetës shejtoren bamirëse.

Këmbana që mbizotëron fasadën e ndërtesës, me tingullin e saj thërriste besimtarët nga anë e mbanë rrethi i Durresit, sot më shumë se kurrë, për të falënderuar Zotin për dhuratën e Shenjtores Nënë Tereza.

At Bernard Caruana, përgjegjës për këtë bashkësi në periferinë e qytetit bregdetar me rastin e kësaj feste u shpreh për “DurrësLajm” se, duke kujtuar Nënë Terezën “larg qendrës së qytetit” përputhet shumë me përshpirtërinë e vetë shenjtores, pasi ajo i kishte përzemër misionet në periferitë e varfëra të qyteteve të mëdha e të vogla e në periferitë me vështirësi ekzistenciale, një dëshmi e gjallë e pranisë së Zotit në mesin e të varfërve.

Për të theksuar këtë realitet, aktiviteti filloi me një shfaqje në formë drame që vetë fëmijët e Porto Romanos kishin përgatitur për këtë rast me ndihmën e Motrave Domenikane. Shfaqja paraqiti shkurtimisht një ngjarje të vërtetë nga jeta e shenjtores shqiptare, kur nëpër rrugët e varfëra të Indisë së largët, Nënë Tereza ndjeu “thirrjen brenda thirrjes” që eventualisht e nxiti të themelonte Bashkësinë Rregulltare të Misionareve të Bamirësisë.

Këtë shenjtore trupvogël dhe imcake, gjithnjë me buzagazin e shndritshëm në fytyrë, mund ta quajmë humaniste, jo vetëm sepse tregoi dashuri heroike ndaj njerëzve dhe është kujdesur për mirëqenien e tyre, por sepse u nis ta kërkonte e t’i shërbente Krishtit në njerëzit më të padashur, më të mënjanuar, më të flakur nga shoqëria.

Shenjtorja shqiptare Gonxhe Bojaxhiu na kujton se zemra e njeriut, posaçërisht ajo e të varfërve, është e uritur edhe për bukë edhe për dashuri.

Mbrëmja përfundoi me kremtimin e Meshës së Shenjtë, e udhëhequr nga Dom Kreshnik Ivani, përgjegjës për baritoren e burgjeve në Tiranë-Durrës.

Marrë nga DurrësLajm

Na ndiqni

1,210FansLike
252FollowersFollow
126FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme