8.5 C
Tirana
HomeKISHPor na liro nga i Keqi!
HomeKISHPor na liro nga i Keqi!

Por na liro nga i Keqi!

Në këtë kërkesë, e keqja nuk është një abstraksion, përkundrazi, tregon një person: Satanin, të keqin, engjëllin që i kundërvihet Hyjit. «Djalli» διά-βολος – dia-bolos», ai që «hidhet ndërmjet» planit të Hyjit dhe «veprës shpëtimtare» të tij të kryer në Jezu Krishtin.
Së bashku me lirimin nga të këqijat që shtypin njerëzimin, Kisha kërkon dhuratën e çmuar të paqes.

2850 Kërkesa e fundit drejtuar Atit tonë gjendet edhe në lutjen e Jezusit: «Nuk po të lutem që t’i marrësh prej botës, por t’i ruash nga i Keqi» (Gjn 17,15). Ajo ka të bëjë me secilin prej nesh personalisht, por jemi gjithmonë «ne» që lutemi, në bashkim me Kishën mbarë dhe për lirimin e mbarë familjes njerëzore. Lutja e Zotit na hap vazhdimisht ndaj përmasave të Ekonomisë së shpëtimit. Ndërvarësia jonë në dramën e mëkatit dhe të vdekjes bëhet solidaritet në Trupin e Krishtit, në «shoqërinë e shenjtërve».

2851 Në këtë kërkesë, e keqja nuk është një abstraksion, përkundrazi, tregon një person: Satanin, të keqin, engjëllin që i kundërvihet Hyjit. «Djalli» διά-βολος – dia-bolos», ai që «hidhet ndërmjet» planit të Hyjit dhe «veprës shpëtimtare» të tij të kryer në Jezu Krishtin.

2852 «Vrastar që nga fillimi», «rrenacak dhe baba i rrenës» (Gjn 8,44), «Satani, ngashënjyesi i mbarë botës» (Zb 12,9), është shkaku që mëkati dhe vdekja kanë hyrë në botë dhe është në saje të mposhtjes së tij përfundimtare që mbarë gjithësia e krijuar do të çlirohet «nga shkatërrimi i mëkatit dhe i vdekjes». «E dimë: kushdo është i lindur prej Hyjit nuk mëkaton: I Linduri prej Hyjit e ruan e Djalli nuk guxon ta prekë. E dimë: ne jemi prej Hyjit, kurse mbarë bota është nën pushtetin e Djallit» (1 Gjn 5,18-19): «Zoti, që ka shlyer mëkatin tuaj dhe që ka falur fajet tuaja, është në gjendje t’ju mbrojë dhe t’ju ruajë nga pritat e djallit që është kundërshtari juaj, në mënyrë që armiku, i cili e ka zakon të lindë fajin, të mos ju kapë në befasi. Por kush e lëshon veten në dorë të Hyjit, nuk e ka frikë djallin. “Nëse Hyji na përkrah, kush do të jetë kundër nesh?” (Rom 8,31)» (Shën Ambrozi, De Sacramentis, 5, 30).

2853 Fitorja mbi «princin e botës» arrihet, njëherë e përgjithmonë, në Orën kur Jezusi i dorëzohet lirisht vdekjes për të na dhënë jetën e vet. Atëherë u bë gjyqi i kësaj bote dhe princi i kësaj bote «hidhet jashtë». U lëshua kundër «Gruas» (Zb 12,13), por nuk arriti ta mbërthejë: Eva e re, «plot me hirin» e Shpirtit Shenjt, është e ruajtur nga mëkati dhe nga prishja e vdekjes (të zënët e papërlyer dhe të ngriturit në qiell e së Shenjtërueshmes Nënë të Hyjit, Marisë gjithmonë Virgjër). «Atëherë Dragoi, i hidhëruar kundër Gruas shkoi e zuri luftë kundër tepricës së pasardhësve të saj» (Zb 12,17). Është kjo arsyeja që Shpirti dhe Kisha luten: «Eja, o Zot, Jezus» (Zb 22,17.20): njëmend, ardhja e tij do të na çlirojë nga i Keqi.

2854 Duke kërkuar që të lirohemi nga i Ligu, ne lutemi në të njëjtën kohë edhe që të lirohemi nga të gjitha të këqijat, të tashme, të kaluara dhe të ardhshme, për të cilat ai është autori ose nxitësi. Në këtë kërkesë të fundit, Kisha çon përpara Atit mbarë mjerimin e botës. Së bashku me lirimin nga të këqijat që shtypin njerëzimin, Kisha kërkon dhuratën e çmuar të paqes dhe hirin e pritjes së qëndrueshme të kthimit të Krishtit. Duke u lutur kështu, ajo hershon, në përvujtërinë e fesë, vënien e të gjithëve dhe të gjithçkaje nën kryesinë e atij që ka «çelësat e Vdekjes dhe të Nëntokës» (Zb 1,18), «Ai që është, që ishte dhe që po vjen, i Gjithëpushtetshmi!» (Zb 1,8):

«Na liro, po të lutemi, o Zot, prej të gjitha të këqijave dhe, për mirësinë tënde, na jep paqen në ditët tona, e, në saje të mëshirës sate, do të lirohemi përgjithmonë prej mëkatit e do të jemi të sigurt prej çdo turbullimi, duke pritur shpresën e lume: ardhjen e Shpëtimtarit tonë Jezu Krishtit» (Riti i Kungimit [Embolizmi]: Meshari Romak).

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme