15.5 C
Tirana
HomeArqidioqeza Shkodër-PultPërkujtimi i 150-vjetorit të lindjes së At Gjergj Fishtës
HomeArqidioqeza Shkodër-PultPërkujtimi i 150-vjetorit të lindjes së At Gjergj Fishtës

Përkujtimi i 150-vjetorit të lindjes së At Gjergj Fishtës

Kur flasim për personalitetet më të rëndësishme të Shqipërisë së fundshekullit XIX dhe gjysmës së parë të shek. XX nuk mund të lëmë pa përmendur poetin e madh kombëtar At Gjergj Fishtën. Të flasësh për Fishtën në “vija të përgjithshme” është e vështirë për vetë faktin se çdo vepër a element i krijimtarisë së tij do të kërkonte një trajtim të veçantë dhe të mëvetësishëm. Zakonisht figura të tilla paradigmatike përkujtohen në ditën e vdekjes së tyre, por Fishta është një ndër ato personalitete që i përkujtohet edhe përvjetori i lindjes së tij, kjo sepse ai rilind vazhdimisht mes nesh me anë të temave të tija të cilat janë më aktuale se kurrë në shoqërinë tonë bashkëkohore. Në vitin 2021 përkujtohet At Gjergj Fishta në 150-vjetorin e lindjes së tij. Nisma, organizime dhe konferenca të shumta janë organizuar me këtë rast në Shqipëri dhe Kosovë.

Një prej këtyre konferencave është organizuar nga Provinca françeskane shqiptare “Zoja Nunciatë” me datën 16 tetor 2021, në orën 10:00 te teatri “Illyricum” në Gjuhadol. Programi i kësaj dite ka konsistuar në dy momente kryesore: përshëndetjet dhe kumtesat e mbajtura në pjesën e parë dhe ekspozita e me dorëshkrime dhe objekte personale të Fishtës në pjesën e dytë.

Programi u hap nga provinciali i Provincës Françeskane Shqiptare fra Pashko Gojçaj, i cili fillimisht u uroi mirëseardhjen të gjithë të pranishmëve e më pas trajtoi disa aspekte të veçanta të krijimtarisë së At Gjergjit. Ndër të tjera ai tha që madhështia e Fishtës e bën atë të jetë me ne dje, sot dhe nesër, duke e quajtur kështu, siç thonë të moçmit, “ar që nuk ndryshket kurrë”. Provinciali është ndjekur nga Nunci apostolik në Shqipëri Shkëqesia e Tij imzot Luigi Bonazzi. Në përshëndetjen e tij ai theksoi se Fishta ishte i pari shqiptar i madh që njihet në botë si zëdhënës i jashtëzakonshëm i idealeve që kurrë nuk humbën në një popull që ka kërkuar gjithmonë lirinë dhe paqen. Menjëherë pas Nuncit vijoi presidenti i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë imzot Angelo Massafra, i cili gjatë përshëndetjes ftoi fretërit dhe të gjithë popullin që e nderon At Gjergjin që ta imitojnë angazhimin e tij për studimin, përhapjen e kulturës, fenë etj., me ftesën për ta konsideruar këtë të fundit, jo si një qëllim në vetvete, por për kënaqësi personale; porsi një jetë autentike për pëlqimin e vlerave të amshueshme. Pas imzot Massafrës ka vazhduar kryetari i Prezencës së OSBE-së në Tiranë ambasadori Vincenzo del Monaco, i cili gjatë përshëndetjes së tij e cilësoi Fishtën si një eksponent të spikatur brenda një periudhe të trazuar të historisë shqiptare dhe të gjithë historisë evropiane. Ai gjithashtu ceku se Fishta bën saktësisht dy gjëra: e dedikon dhe e edukon ekzistencën, e cila të udhëheq drejt horizonteve të reja intelektuale. Pastaj vijoi prof. Sabri Hamiti me një mendim të shkurtër rreth figurës së Fishtës. Ndër të tjera ai rikujtoi momentin kur në botën shqiptare është botuar për herë të parë para 25 vitesh vepra e plotë e Fishtës në katër vëllime në vitin 1996 në Prishtinë. Pas prof. Samitit vazhdoi me prof. Kujtim Shala me kumtesën e tij të titulluar “Kryevepra e Fishtës”. Kjo kryevepër është pikërisht “Lahuta e Malcis”, e cila ruan në vetvete vlera të papërsëritshme dhe autentike që dëshmojnë më së miri për identitetin e një populli, siç është ai shqiptar. Z. Shala u ndoq nga fra Vitor Demaj me temën “Padër Gjergj Fishta dhe identiteti ynë”, ku ndër të tjera duke folur rreth madhështisë së Fishtës tha se ne i mbetemi gjithnjë në detyrim shpirtit fisnik të tij, me gjithçka ai ka dhënë dhe jep akoma edhe sot për shqiptarët. Në fund fra Vitori falënderoi guardianin e kuvendit të Shën Françeskut në Gjuhadol fra Gazmend Tinajn, prof. Aljula Jubanin për moderimin e kësaj konference dhe të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre.

Pastaj momenti i dytë vazhdoi në ambientet e bibliotekës “Atë Gjergj Fishta”, ku siç u tha më sipër, u hap ekspozita me dorëshkrime dhe objekte personale të Fishtës, ku ndër më kryesoret janë dorëshkrimet me vlerë si “Dredhitë e Patukut” dhe “Juda Makabe”, disa pjesë nga letërshkëmbimi i Fishtës, disa vepra me shënime origjinale të Fishtës, përkthimet e Lahutës së Malcis në gjuhën angleze, italiane, gjermane dhe frënge, maska origjinale me fytyrën e At Gjergjit dhe bastuni i tij. Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur deri me datën 23 tetor. Në fund të gjithë kaluan disa momente të bukura së bashku në oborrin e kuvendit ku ishte organizuar një koktej i vogël.

Marrë nga Provinca Franceskane

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme