Të Nderuar Ipeshkvij,
Ju përshëndes të gjithëve. Përshëndes të Ngarkuarin me punë të Selisë së Shenjtë, imzot Ionuţ Paul Strejac dhe i uroj atij mirëseardhjen e punë të mbarë në misionin e tij në shërbim të Atit të Shenjtë!
Kjo mbledhje plenare na gjen në fillimin e Vitit Jubilar 2025. Ne, si Kishë lokale në Shqipëri, e kemi nisur kremtimin e këtij Jubileu në nivele të ndryshme. Me datë 1 shkurt, i filluam kremtimet jubilare me Jubileun e Jetës së kushtuar. Sigurisht që eventet jubilare nuk janë kremtime që nisin e mbarojnë në një ditë të veçantë. Ato duhet t’u japin shpirt dhe përtëritje aspekteve të ndryshme që kemi kremtuar apo që do të kremtojmë përgjatë këtij viti. Nuk mund të jenë momente të fragmentarizuara apo të izoluara, qoftë nga dimensionet e tjera të Kishës, qoftë në vazhdimësinë e tyre.
Në thelbin e Vitit Jubilar nuk janë vetëm indulgjencat plenare apo tempujt e shpallur si vende jubilare për marrjen e këtyre indulgjencave. Madje ato mund të jenë edhe devijime të jetës shpirtërore, sikurse fatkeqësisht ndodh nganjëherë. Devocioni që nuk dëgjon dhe nuk përtërihet nga Fjala e gjallë e Ungjillit, mund të kthehet në një përshpirtëri pa shpirt.
Përgjatë Vitit Jubilar, Kisha kumton një vit hiri, që merret me situata dhe persona konkretë: t’u japësh dritën e syve të verbërve, të çlirohen ata që kanë borxhe e pengje, të lirohen të burgosurit e të gjitha llojeve. Dimensioni i mishëruar i Jubileut duhet të na shtyjë akoma më shumë që të jemi një Kishë e cila i jep një emër verbërisë, borxhit, burgut, skllavërive moderne e kështu me radhë. Jo pa qëllim, edhe në mesazhin e tij të Paqes për këtë vit, Papa Françesku ka folur për faljen e borxheve ndaj vendeve të varfra, por pa i skllavëruar ato.
Po në vendin tonë, cilat janë ato situata që presin një fjalë ngushëlluese e çliruese? Cilat janë ato skllavëri e verbëri, prej të cilave vuajmë sot në shoqërinë tonë? Çfarë mund të bëjë Kisha? Këto e shumë pyetje të tjera duhet ta shoqërojnë këtë Vit Jubilar dhe krejt jetën e Kishës.
Shumë situata varfërie e problemesh ekzistenciale në vendin tonë na thërrasin që të jemi veprues në fushëbetejën e jetës së shumë vëllezërve e motrave tona, të cilët vuajnë për shkaqe të ndryshme. Fjala e Hyjit që ne shpallim nuk është vetëm një flatus vocis që del nga goja jonë e nëpërmjet amboneve a katedrave të kishave tona bie si “plumb” mbi besimtarët, por mbi të gjitha ajo është një fjalë e jetuar, një fjalë shprese e drite për bashkëkohësit tanë, besimtarë dhe jobesimtarë. Duke e jetuar Jubileun, Kisha dëshmon se është një bashkësi burrash e grash që jetojnë sipas Ungjillit.
Për çfarë na thërret leximi i shenjave të kohës, i shenjave të pranisë së Shpirtit në jetën e shumë njerëzve, i shenjave që na jep indiferentizmi i shumë besimtarëve tanë dhe i shumë të rinjve, largimi i tyre nga vendi, por shpesh edhe nga Kisha? Çfarë po u thotë Hyji kishave tona në këtë Vit Jubilar dhe më gjerë?
Kemi ende disa muaj përpara mbylljes së Jubileut, prandaj le të angazhohemi me të gjitha forcat dhe krijimtarinë tonë, që ta përjetojmë e ta jetojmë sipas Ungjillit një event të tillë.
Ky Vit Jubilar ndërthuret edhe me ecjen sinodale të Kishës. Dokumenti përfundimtar që na është dorëzuar i plotë para pak javësh, më së pari, na kërkon ne ipeshkvijve një angazhim më të madh në dimensionet që përbëjnë shtyllën kurrizore të atij dokumenti përfundimtar. Konkretisht, na kërkohet një punë e madhe në shndërrimin e marrëdhënieve, të proceseve dhe të lidhjeve. Kemi shumë për të bërë, qoftë në dioqezat tona, qoftë si Konferencë Ipeshkvore. Në mënyrë që të mos i shpërndajmë dhe djegim pa dobi energjitë tona, më duket i domosdoshëm ushtrimi i parimit të solidaritetit midis dioqezava tona, qoftë midis nesh si ipeshkvij, qoftë në “shkëmbimin e dhuratave” dhe burimeve që kemi nëpër dioqezat tona. E dimë mirë se askush nuk është i mjaftueshëm në vetvete. Kush nga ne mendon se nuk ka nevojë për të tjerët, them se shkon drejt një vetëvrasjeje kishtare dhe do të thoja edhe drejt dobësimit të frymës kishtare brenda Kishës. Të gjithë ne bashkë, nuk bëhemi as sa një dioqezë e mesme italiane, pavarësisht shtrirjes së territorit apo problemeve të shumta që kemi. Ndërkohë që mund të mendohet sigurisht një ridimensionim i dioqezave, më së pari, duhet të hedhim sytë te nevojat e njëri-tjetrit. Sinodi dhe Jubileu duhen jetuar fillimisht midis nesh, në mënyrë që efikasiteti i veprës sonë misionare dhe ungjillëzuese të jetë sa më i madh.
Krijimi i një grupi sinodal dhe misionar, për të cilin do të flasim në vazhdim, ka këtë synim: t’i ofrojë Kishës shtigje reflektimi dhe veprimi për vitet në vazhdim. Faza aktualizuese e Sinodit nuk ka për qëllim vetëm që të aktualizohet një dokument i ardhur nga lart, por që të shihet se si i rri realiteteve tona çka është thënë në atë dokument, duke parë situatat konkrete dhe duke shoshitur veprimin më të mirë baritor. Po ashtu, nuk mund ta mohojmë se realiteti ndryshon shumë shpejt dhe për këtë arsye kërkohet një lloj veprimi baritor vigjilent, në mënyrë që ta përshtatim sa më mirë veprimin tonë baritor me kohën që po jetojmë.
Ju thashë edhe pak më parë se ne si ipeshkvij kemi një detyrë të madhe. Në dokumentin final të Sinodit thuhet: “në relacionin e parashikuar për vizitën ad limina, secili ipeshkëv do të kujdeset që të referojë se çfarë zgjedhjesh janë bërë në kishën vendore që i është besuar atij, në lidhje me çka kërkohet në dokumentin përfundimtar, çfarë vështirësish janë hasur e cilat kanë qenë frytet!”.
Të dashur ipeshkvij, akti sinodal par excellence është ai liturgjik dhe prej tij e kanë burimin të gjitha aktet e tjera sinodale në nivele të ndryshme të Kishës. Sa herë mblidhemi të gjithë bashkë në kremtimet kombëtare; sa herë që ipeshkvi bashkë me meshtarët e tij dhe me besimtarët e tij kremton Eukaristinë në eventet dioqezane; sa herë që një meshtar së bashku me bashkëpunëtorët e tij e me të gjitha ministeret dhe karizmat e pranishme në famulli bëhen bashkë përreth elterit me frymën e një actuosa participatio, aq herë realizohet një akt sinodal. I njëjti Shpirt Shenjt që mbledh asamblenë liturgjike, frymëzon punën tonë sinodale e misionare. E kur kjo ndodh, populli ynë edifikohet, ndihet mirë e buzëqesh.
Kur meshtarët tanë dhe i gjithë populli do të na shohin bashkë, jo vetëm si kukulla që thjesht rrinë pranë njëri-tjerit se nuk kanë nga ia mbajnë, por si vëllezër të vërtetë, edhe pse të ndryshëm, aq më shumë do të shpallet Ungjilli, jo me fjalë, por me shembullin e jetës. Prandaj, përgjatë këtij viti, propozoj një Jubile të neve ipeshkvijve të Shqipërisë, bashkë me ato emeriti, dhe të dy Dioqezave motra: asaj të Malit të Zi dhe asaj të Kosovës, që të na shërbejë si një thirrje, si një moment takimi me njëri-tjetrin e me Hyjin dhe të kalojmë Derën e Shenjtë në Romë ose diku tjetër, si ta vendosim vetë.
E në këtë event, të falënderojmë Hyjin për kishat që na ka besuar, t’i kërkojmë urti për t’i udhëhequr ato, veç e veç dhe së bashku, e nëse do të jetë e nevojshme, e sigurisht që është, t’i kërkojmë falje Hyjit, Kishës e njëri-tjetrit, për gjërat që me dashje apo pa dashje nuk i kemi bërë si duhet apo i kemi bërë keq. Të përjetojmë një moment hiri duke u zhveshur nga vetëmjaftueshmëria, nga forca e zakonit, nga inati e zemërimi, nga frustrimet që na sjellin puna, jeta e vështirësitë e përditshme dhe t’ia besojmë Hyjit krejt jetën tonë e të dioqezave tona.
Duke iu lutur Zotit edhe për Administratorin e ri të Jugut (ende in mente Dei aut in perctore Papae) të ecim së bashku, të reflektojmë e të shohim se çfarë kemi ende për të ndrequr e për të shëruar në marrëdhëniet tona, në mënyrë që të shkojmë drejt një Kishe sinodale dhe misionare nëpërmjet veprimit të Shpirtit Shenjt.
Punime të mbara e faleminderit për vëmendjen tuaj!