Audienca e Përgjithshme e mëngjesit të sotëm u zhvillua në sallën Pali VI, ku Papa Françesku takoi grupe shtegtarësh dhe besimtarësh që kishin mbërritur aty nga Italia dhe mbarë bota.
Para Audiencës së Përgjithshme, Ati Shenjt shkoi në Bazilikë për të përshëndetur pjesëmarrësit në Shtegtimin e Zojës së Medaljes së Mrekullishme, të promovuar nga Familja Vinçenciane e Italisë, shtegtarët e Shoqatës Gjon Pali II të Bisceglie dhe përfaqësuesit e Shoqatës Italiane Viktima të dhunës.
Në fjalimin e tij në italisht, Papa, duke vazhduar ciklin e ri të katekezave mbi shën Jozefin, e përqendroi reflektimin e tij mbi temën: Shën Jozefi në historinë e shpëtimit (krh. Leximi: Mt 1,12-16).
Pasi përmblodhi katekezën e tij në gjuhë të ndryshme, Papa Françesku u drejtoi grupeve të besimtarëve të pranishëm përshëndetje të veçanta.
Audienca e Përgjithshme u mbyll me këndimin e Pater Noster dhe Bekimin Apostolik.
Katekeza e Papës
Të dashur vëllezër dhe motra, mirëdita!
Të mërkurën e kaluar filluam ciklin e katekezave mbi figurën e shën Jozefit – viti kushtuar atij është në prag të përfundimit -. Sot do të vazhdojmë këtë rrugëtim duke u ndalur në rolin e tij në historinë e shpëtimit.
Në Ungjij, Jezusi tregohet si «biri i Jozefit» (Lk 3,23; 4,22; Gjn 1,45; 6,42) dhe «biri i marangozit» (Mt 13,55; Mk 6,3). Ungjilltarët, Mateu dhe Luka, duke rrëfyer fëmijërinë e Jezusit, i japin hapësirë rolit të Jozefit. Të dy sjellin një «gjenealogji» për të theksuar aspektin historik të Jezusit. Mateu, duke iu drejtuar mbi të gjitha judeo-kristianëve, niset nga Abrahami për të arritur te Jozefi, i përcaktuar si «fati i Marisë, prej së cilës leu Jezusi që quhet Krisht» (1,16). Ndërsa Luka arrin deri tek Adami, duke filluar drejtpërdrejt me Jezusin, i cili «ishte i biri i Jozefit», por saktëson: «si kujtonin njerëzit» (3,23). Prandaj, të dy Ungjilltarët e paraqesin Jozefin jo si një baba biologjik, por sidoqoftë si baba të Jezusit me të drejta të plota. Nëpërmjet tij, Jezusi realizon përmbushjen e historisë së besëlidhjes dhe të shpëtimit mes Hyjit dhe njeriut. Për Mateun kjo histori fillon me Abrahamin, për Lukën me vetë origjinën e njerëzimit, pra me Adamin.
Mateu Ungjilltar na ndihmon të kuptojmë se figura e Jozefit, edhe pse në dukje margjinale, e përkorë, në vijë të dytë, përbën një pjesë të mirë në historinë e shpëtimit. Jozefi e jeton rolin e tij pa dashur kurrë të zaptojë skenën. Nëse mendojmë për këtë, «jetët tona janë të endura dhe të mbështetura nga njerëz të zakonshëm – zakonisht të harruar – të cilët nuk shfaqen në titujt e gazetave dhe revistave […]. Sa shumë baballarë, nëna, gjyshër e gjyshe, mësues/e u tregojnë fëmijëve tanë, me gjeste të vogla, me gjeste të përditshme, se si të përballen me një krizë dhe ta kalojnë atë duke vënë dorë mbi zakonet, duke ngritur sytë dhe duke përnxitur lutjen. Sa shumë njerëz luten, ofrojnë dhe ndërmjetësojnë për të mirën e të gjithëve» (Letra Apostolike Patris corde, 1). Kështu, çdokush mund të gjejë te shën Jozefi, njeriun që kalon pa u vënë re, njeriun e pranisë së përditshme, të pranisë së përkorë dhe të fshehtë, një ndërmjetës, një mbështetje dhe një udhërrëfyes në momente të vështira. Ai na kujton se të gjithë ata që në dukje janë të fshehur apo në “vijë të dytë”, janë protagonistë që s’u gjendet shoqi në historinë e shpëtimit. Bota ka nevojë për këta burra dhe gra: burra e gra në vijën e dytë, por që mbështesin zhvillimin e jetës sonë, të secilit prej nesh dhe që na mbështesin me lutje, me shembull, me mësim, në rrugën e jetës.
Në Ungjillin e Lukës, Jozefi shfaqet si mbrojtësi i Jezusit dhe i Marisë. Dhe për këtë arsye ai është edhe «“Mbrojtësi i Kishës”: por, nëse ke qenë mbrojtësi i Jezusit dhe i Marisë, puno tani që je në qiell dhe vazhdo të jesh mbrojtësi, në këtë rast i Kishës; sepse Kisha është shtrirja e Trupit të Krishtit në histori, dhe në të njëjtën kohë në amësinë e Kishës është e fshehur amësia e Marisë. Jozefi, duke vazhduar të mbrojë Kishën – ju lutem mos e harroni këtë: sot, Jozefi mbron Kishën – dhe duke vazhduar të mbrojë Kishën, ai vazhdon të mbrojë Fëmijën dhe nënën e tij» (po aty, 5). Ky aspekt i rojtarisë së Jozefit është përgjigja e madhe ndaj tregimit të Zanafillës. Kur Hyji i kërkon Kainit të japë llogari për jetën e Abelit, ai përgjigjet: «A jam unë rojtari i tim vëllai?« (4,9). Jozefi, me jetën e tij, duket se dëshiron të na thotë se ne jemi gjithmonë të thirrur të ndihemi mbrojtës të vëllezërve tanë, mbrojtës të atyre që janë pranë nesh, të atyre që Zoti na i beson nëpërmjet shumë rrethanave të jetës.
Një shoqëri si e jona, e cila është cilësuar si “likuide”, sepse duket se nuk ka qëndrueshmëri. Unë do ta korrigjoj atë filozof që e sajoi këtë përkufizim dhe do të them: më shumë se likuide, është e gaztë, një shoqëri mirëfilli e gaztë. Kjo shoqëri likuide dhe e gaztë gjen në historinë e Jozefit një tregues shumë specifik mbi rëndësinë e lidhjeve njerëzore. Njëmend, Ungjilli, përtej një arsyeje teologjike, na tregon për gjenealogjinë e Jezusit për t’i kujtuar secilit prej nesh se jeta jonë përbëhet nga lidhje që na paraprijnë dhe na shoqërojnë. Biri i Hyjit, për të ardhur në botë, zgjodhi rrugën e lidhjeve, rrugën e historisë: ai nuk zbriti në botë në mënyrë të magjishme, jo. Ka ndjekur rrugën historike si të gjithë ne.
Të dashur vëllezër dhe motra, mendoj për shumë njerëz që heqin keq për të gjetur lidhje domethënëse në jetën e tyre, dhe pikërisht për këtë arsye rropaten, ndihen të vetmuar, nuk kanë forcë dhe guxim për të ecur përpara. Do të doja ta mbyllja me një lutje që t’i ndihmojë ata dhe të gjithë ne për të gjetur te shën Jozefi një aleat, një mik dhe një mbështetje.
Shën Jozef,
ti që ke mbrojtur lidhjen me Marinë dhe Jezusin,
na ndihmo që të kujdesemi për marrëdhëniet në jetën tonë.
Askush të mos përjetojë atë ndjenjë të braktisjes
që vjen nga vetmia.
Secili të pajtohet me historinë e vet,
me ata që i kanë paraprirë,
dhe gjithashtu të njohë edhe në gabimet e bëra
një rrugë përmes së cilës Provania ka hapur udhën e saj,
dhe e keqja nuk e pati fjalën e fundit.
Tregohu mik për ata që orvaten më shumë,
dhe sikurse e mbështete Marinë dhe Jezusin në momentet e vështira,
kështu na mbështet edhe ne në rrugëtimin tonë.
Amen!
Përkthyer nga Vatican News