14.5 C
Tirana
HomeJeta e KishësPapa në Sheshin e Spanjës, i lutet Zojës së Papërlyer për të...
HomeJeta e KishësPapa në Sheshin e Spanjës, i lutet Zojës së Papërlyer për të...

Papa në Sheshin e Spanjës, i lutet Zojës së Papërlyer për të vuajturit

Në një Romë të fjetur, me një temperaturë 4°C dhe me qiellin ende blu të errët, një makinë e vogël me Papa Françeskun mbërriti në Piazza Mignanelli. Rreth orës 6.15, pranë Sheshit të njohur të Spanjës, ku ngrihet monumenti kushtuar Zojës së Papërlyer, kishte vetëm zjarrfikës, disa shitës që po bëheshin gati të hapnin dyqanet dhe një grup i vogël fotografësh dhe besimtarësh, njëri prej të cilëve theu heshtjen duke thirrur: “Papa Françesku, shihemi në orën 12, në Sheshin e Shën Pjetrit!” Me hap të ngadaltë, kokëulur, me një shportë me trëndafila të bardhë në duar, Papa shkoi drejt shtatores së Virgjërës Mari, për t’i bërë homazhe në ditën e festës së saj, në solemnitetin e Zojës së Papërlyer.

Ati i Shenjtë u ndal për disa çaste në lutje, për t’i kërkuar Virgjërës “mrekullinë e përkujdesjes e të shërimit për popujt, që vuajnë rëndë nga luftërat dhe nga kriza klimatike”, siç njofton Salla e Shtypit e Vatikanit. Papa i kërkoi Zojës edhe mrekullinë “e pendesës e të kthimit të zemrave prej guri të atyre, që ndërtojnë mure për t’u distancuar nga dhimbja e të tjerëve”. Më pas, shkoi në Bazilikën e Zojës së Madhe, ku “vijoi lutjen para ikonës së Shën Marisë Salus Populi Romani”.

Traditë e gjatë

Një traditë 60-vjeçare ajo e Papëve, që çdo vit bashkojnë duart në lutje para shtatores mariane aq të dashur për popullin e Romës, i cili, zakonisht, e mbush plot Sheshin e Spanjës dhe rrugët përreth. Por pandemia e Covid-19 dhe kufizimet e saj e kanë ndryshuar edhe këtë kremtim. Për të shmangur grumbullimin e njerëzve, që vitin e kaluar, Papa i bën Zojës homazhe privatisht, në ag të ditës. Por tradita vijon. Si zakonisht, një nga zjarrfikësit u ngjit me shkallë deri tek shtatorja, që lartohet mbi 10 metra nga toka, dhe i vendosi Zojës në krah një kurorë me lule. Pak njerëz, që kishin ardhur aty që në orën 5.30, duke kujtuar surprizën e Atit të Shenjtë vitin e kaluar, duartrokisnin e bënin fotografi. Papa qëndroi në distancë, por, para se të nisej për në Bazilikën e Zojës së Madhe, përshëndeti ambasadoren e Spanjës në Selinë e Shenjtë, María del Carmen de la Peña Corcuera, para portës së Pallatit Monaldeschi, seli e ambasadës.

Devocion i lashtë

Monumenti marian është realizuar nga arkitekti Luigi Poletti dhe skulptori Giuseppe Obici, për nder të dogmës së Zojës së Papërlyer, shpallur nga Papa Piu IX, në vitin 1854, me kushtetutën “Ineffabilis Deus”. Vetë Papa Mastai deshi që të lartohej një shtatore në Romë, për t’u kujtuar ngjarjen brezave të ardhshëm. E po ai zgjodhi vendin, që dukej më i përshtatshëm, por edhe më simbolik: sheshin përballë ambasadës spanjolle në Selinë e Shenjtë, meqenëse pikërisht në vendin iberik lulëzoi përkushtimi më i thellë ndaj Zojës së Papërlyer. Në “Pallatin e Spanjës”, më pas, u ndërtua një ballkon i vogël, që i dha mundësinë Papës të merrte pjesë në përurimin e monumentit.

Për të u përdor një kolonë romake prej mermeri, rreth 12 metra e lartë, me diametër 1,45 metra, gjetur në vitin 1777 në një ndërtesë benediktine në Santa Maria in Campomarzio. Punimet u financuan nga Ferdinandi II, mbret i Dy Siçilive, si gjest pajtimi me Kishën. Guri i parë u vendos më 6 maj 1855, me bekimin e kardinalit Giacomo Filippo Franzoni, prefekt i Propaganda Fide-s, që e ka selinë pikërisht përballë monumentit. U deshën dyqind zjarrfikës për të ngritur kolonën në mbrëmjen e 18 dhjetorit 1856. Tetë muaj më vonë, në majë të saj u vendos shtatorja prej bronzi e Zojës. I pari, që i bëri homazhe, ishte Papa Piu XII, i cili dërgoi lule të bardha me rastin e solemnitetit të Zojës së Papërlyer; më pas, më 8 dhjetor 1953, për hapjen e Vitit Marian, shkoi edhe personalisht në Sheshin e Spanjës.

Akti i nderimit

Akti i nderimit, siç njihet sot nga besimtarët, ka qenë ide e Papës shenjt Gjoni XXIII, ndjekur nga gjithë Papët e mëpasëm. Papa tjetër shenjt, pasardhësi i tij i drejtpërdrejtë Pali VI u lut në këmbët e Virgjërës me rastin e mbylljes së Koncilit II të Vatikanit (8 dhjetor 1965) e, në periudhën e krizës së naftës, shkoi tek ajo me karrocë. Edhe Gjon Pali II e Benedikti XVI nuk munguan kurrë në këtë takim, duke i dhënë edhe një strukturë të përcaktuar: lutja, shqiptuar para autoriteteve të qytetit, vendosja e luleve, leximi i një fragmenti nga Shkrimi Shenjt. Tradita ruhet nga Papa Françesku, i cili, kësaj radhe, i shtoi etapën e bazilikës së Zojës së Madhe, ku ndodhet fugurja mariane e pajtores së Romës, “Salus Populi Romani”, që, sipas traditës, është pikturuar nga Shën Luka.

Marrë nga Radio Vatikani

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme