HomeJeta e KishësPapa, murgeshave: jepni kontribut të madh në Kishë si gra e si...
HomeJeta e KishësPapa, murgeshave: jepni kontribut të madh në Kishë si gra e si...

Papa, murgeshave: jepni kontribut të madh në Kishë si gra e si të pagëzuara

Këtë paradite Papa Françesku priti në Audiencë në Pallatin Apostolik të Vatikanit pjesëmarrësit në Kapitullin e 21-të të Përgjithshëm të Motrave të Bamirësisë të shën Xhoana Antida Thouret, i cili po zhvillohet në Romë nga prej datës 25 shtator deri më 15 tetor 2021, hapja e të cilit përkoi me fillimin e procesit sinodal: “Sinodaliteti, nxitje e fuqishme edhe për Institutet e jetës së shuguruar. Jetojeni këtë nxitje dhe dëgjojini të varfrit”

Publikojmë më poshtë fjalimin që Papa ua drejtoi të pranishmëve në takim:

Fjalimi i Atit Shenjt:

Motra të dashura!

Ju shpreh mirëseardhjen time me rastin e Kapitullit të 21-të të Përgjithshëm që më në fund arritët ta kremtoni. Falënderoj Eproren e re të Përgjithshme të porsazgjedhur për përshëndetjen e saj: i uroj asaj dhe Këshillit të ri një shërbim të qetë dhe të frytshëm. Dhe bashkohem me mirënjohjen tuaj për Eproren dhe Këshilltaret që e përfunduan këtë shërbim.

Vetë motra Nuncia, kur shkroi për të kërkuar audiencën, vinte në dukje koincidencën e Kapitullit tuaj me hapjen e Sinodit. Ajo shkruante me këto fjalë: «Ne do të jemi në bashkim me mbarë Kishën dhe me Ju». Unë do të doja të ndalesha për një moment mbi këtë gjë. Para së gjithash, ju falënderoj për lutjet tuaja, me të cilat përkrahni fillimin e rrugëtimit sinodal. Por dua gjithashtu të përfitoj nga kjo rastësi për të nënvizuar se angazhimi që marrim përsipër si Kishë për t’u rritur në sinodalitet është një stimul i fortë edhe për Institutet e jetës së kushtuar. Në veçanti, ju të kushtuarat jeni një prani e pazëvendësueshme në bashkësinë e madhe në ecje që është Kisha. Përfytyroj tani Jezusin i cili përshkonte rrugët e Galilesë, të Samarisë dhe Judesë: me të janë dishepujt, dhe mes tyre shumë gra; për disa prej tyre ne dimë edhe emrat (krh. Lk 8,1-3). Më pëlqeu ajo që tha Eprorja e Përgjithshme e mëparshme: «Po kthehem në rrugë»: është bukur të jesh me njerëzit. Më pëlqen të mendoj se ju të kushtuarat jeni një shtrirje në kohë e asaj pranie femërore që ecte me Jezusin dhe të Dymbëdhjetët, duke bashkëndarë misionin dhe duke dhënë kontributin përkatës tipik.

Po ju, Motrat e Bamirësisë, në çfarë mënyre merrni pjesë më konkretisht në këtë udhëtim? Cili është kontributi juaj zanafillor? Jua dorëzoj këto pyetje, të cilat natyrisht se nuk kanë përgjigje të gatshme, të parapaketuara. Dhe përgjigjet që nuk janë të parapaketuara janë më të mirat. Sidoqoftë, duket se shoh që tema e Kapitullit tuaj përmban një përgjigje. Njëmend, tema është: Të rifillojmë nga Betania, me përkujdesjen e Martës dhe dëgjimin e Marisë.

Ndërkohë, këtu kemi përsëri praninë e dy grave, Martës dhe Marisë, me emrat dhe fytyrat e tyre. Dy nxënëse që kanë pasur një vend shumë të rëndësishëm në jetën e Jezusit dhe të Dymbëdhjetëve, kjo shihet qartë tek Ungjijtë. Kjo gjë, para së gjithash, pohon faktin që, si gra dhe si të pagëzuara, domethënë nxënëse të Jezusit, ju jeni një prani e gjallë në Kishë, duke marrë pjesë në bashkim dhe mision. Ne nuk duhet të harrojmë askurrë atë që është në bazë: Pagëzimi. Sepse këtu është rrënja e gjithçkaje. Duke u nisur nga kjo rrënjë, Hyji ka bërë që pema e jetës së kushtuar të rritet në ju, sipas karizmës së shën Xhoana Antidës.

Por tema e Kapitullit tuaj thotë më shumë, me ato dy fjalë: “përkujdesje” dhe “dëgjim”. Jam i sigurt se nëse do të arrini vërtet të jetoni përkujdesjen dhe të dëgjimin, duke ndjekur shembullin e motrave të shenjta Marta dhe Maria të Betanisë, ju do të vazhdoni të jepni kontributin tuaj të çmuar për ecjen e mbarë Kishës. Në veçanti, përkujdesja për të varfrit dhe dëgjimi i të varfërve. Për këtë ju keni mjeshtëri; jo me fjalë, por me vepra, me historinë e shumë prej motrave tuaja që dhanë jetën për këtë, në përkujdesje dhe dëgjim pranë të moshuarve, të sëmurëve, të margjinalizuarve; pranë të vegjëlve, pranë atyre të fundit me butësinë dhe dhembshurinë e Hyjit. Kjo e ndërton Kishën, e bën atë të ecë në rrugën e Krishtit, e cila është rruga e bamirësisë. Unë e thashë se dëshmia juaj është një dëshmi e të qenurit pranë atyre që janë të fundit, me butësi dhe dhembshuri. Ky është stili i Hyjit: afërsia, butësia dhe dhembshuria. Hyji vepron gjithmonë kështu. Në masën me të cilën bëjmë të njëjtën gjë si Hyji, ne do të jemi më të ngjashëm me të qenurit bari si Ai. Mos e harroni këtë: gjithmonë afërsi, gjithmonë dhembshuri dhe gjithmonë butësi.

Për këtë, motra të dashura, ju falënderoj përzemërsisht në emër të mbarë Kishës. Virgjëra Nënë dhe shën Xhovana Antida ju mbrojtshin gjithmonë. U jap bekimin tim juve dhe të gjitha motrave tuaja nëpër botë. E ju, ju lutem, vazhdoni të lutuni për mua, kam nevojë. Faleminderit!

Përkthyer nga Vatican Press

Mond MARKU

Na ndiqni

1,210FansLike
252FollowersFollow
126FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme