15.5 C
Tirana
HomeKryesorPapa Françesku: Të moshuarit na mësojnë të ngulmojmë në besim
HomeKryesorPapa Françesku: Të moshuarit na mësojnë të ngulmojmë në besim

Papa Françesku: Të moshuarit na mësojnë të ngulmojmë në besim

Papa Françesku u tha besimtarëve të mbledhur në Audiencën e Përgjithshme në Sheshin e Shën Pjetrit se besimi këmbëngulës i Jobit mes vuajtjeve të thella e bëri atë të kuptonte se Perëndia, i cili shpesh shfaqet i heshtur përballë së keqes, është megjithatë i pranishëm në mënyrë misterioze me mëshirën dhe dashurinë e Tij shëlbuese.

“Ne e ndeshim atë si dëshmitar të një besimi që nuk pranon një “karikaturë” të Zotit, por proteston me zë të lartë përballë së keqes derisa Zoti të përgjigjet dhe të zbulojë fytyrën e Tij”, tha Papa Françesku.

AUDIENCA E PËRGJITHSHME

Katekezë mbi pleqërinë – 10. Jobi. Prova e fesë, bekimi i pritjes.

Të dashur vëllezër dhe motra, mirëdita!

Fragmenti biblik që kemi dëgjuar mbyll Librin e Jobit, një kulm i letërsisë universale. Ne e takojmë Jobin në rrugëtimin tonë të katekezave mbi pleqërinë: e takojmë si dëshmitar të fesë që nuk pranon një “karikaturë” të Hyjit, por klith në protestën e vet përballë së keqes, derisa Hyji të përgjigjet dhe t’ia zbulojë fytyrën e vet. Dhe në fund Hyji përgjigjet, si gjithmonë në një mënyrë befasuese: ai ia tregon Jobit lavdinë e tij, por pa e shtypur, madje, me dashamirësi sovrane, sikurse bën Hyji, gjithmonë, me dashamirësi. Është e nevojshme të lexohen me kujdes faqet e këtij libri, pa paragjykime, pa klishe, për të kapur fuqinë e britmës së Jobit. Do të na bëjë mirë të vihemi në shkollën e tij, për të kapërcyer tundimin e moralizmit përballë pezmatimit dhe ligështimit nga dhimbja e humbjes së gjithçkaje.

Në këtë fragment përmbyllës të librit – kujtojmë historinë, Jobi i cili humbet gjithçka në jetë, humbet pasuritë, humbet familjen, humbet djalin dhe gjithashtu humbet shëndetin dhe mbetet aty, ndër plagë, në dialog me tre miq, pastaj një i katërt, të cilët vijnë për ta përshëndetur: kjo është historia – dhe në këtë fragment sot, pjesa përmbyllëse e librit, kur Hyji më në fund flet (dhe ky dialog i Jobit me miqtë e tij është si një rrugë për të arritur në momentin ku Hyji flet fjalën e tij) Jobi lavdërohet sepse ka kuptuar misterin e dashamirësisë së Hyjit që fshihet pas heshtjes së tij. Hyji i qorton miqtë e Jobit që pandehnin se dinin gjithçka, se dinin për Hyjin dhe për dhimbjen, dhe, si erdhën për ta ngushëlluar Jobin, përfunduan duke e gjykuar atë me skemat e tyre të paracaktuara. Hyji na ruajt nga ky mëshirim hipokrit dhe mendjemadh! Hyji na ruajt nga ai religjiozitet moralist dhe ai religjiozitet i rregulloreve që na përcjell një farë mendjemadhësie dhe na çon në fariseizëm e hipokrizi.

Ja si shprehet Zoti përkundrejt tyre. Kështu thotë Zoti: «Zemërimi im është ndezur kundër [jush], sepse nuk keni folur të drejtën për mua si shërbëtori im Jobi. […]»: Kjo është ajo që u thotë Zoti miqve të Jobit. «Shërbëtori im Jobi do të lutet për ju, kështu që unë, për dashuri të tij, të mos e ndëshkoj marrëzinë tuaj, sepse nuk keni thënë për mua fjalë të drejta si shërbëtori im, Jobi» (42,7-8). Pohimi i Hyjit na befason, sepse kemi lexuar faqet e ndezura të protestës së Jobit, të cilat na kanë tronditur. Megjithatë – thotë Zoti – Jobi ka folur mirë, edhe kur ishte i zemëruar e madje i zemëruar kundër Hyjit, por ai foli mirë, sepse nuk ka dashur ta pranojë se Hyji është një “Persekutues”, Hyji është tjetër gjë. Dhe si shpërblim, Hyji ia kthen Jobit dyfishin e të gjitha të mirave të tij, pasi i kërkoi që të lutej për miqtë e tij të këqij.

Pika e kthesës së kthimit të fesë ndodh pikërisht në kulmin e shpërthimit të Jobit, ku ai thotë: «E pra e di se gjallë e kam Shpaguesin, Ai i sprasmi përmbi dhe do të ngritet, e pas kësaj lëkure që ma ropën në mishin tim Hyjin do ta shoh. Unë, unë vetë Atë do ta shikoj, për sytë e mi s’do të jetë i huaj!» (19,25-27). Ky fragment është shumë i bukur. Më kujtohet fundi i atij oratoriumi brilant nga Handel, Mesia, pas asaj feste të Aleluja-s, sopranoja këndon ngadalë këtë fragment: «Unë e di se gjallë e kam Shpaguesin», me paqe. Dhe kështu, pas gjithë kësaj dhimbjeje dhe gëzimi të Jobit, zëri i Zotit është tjetër gjë. «Unë e di se gjallë e kam Shpaguesin»: është një gjë shumë e bukur. Mund ta interpretojmë kështu: “O Hyji im, unë e di që ti nuk je Persekutuesi. Hyji im do të vijë dhe do t’ma japë të drejtën”. Është feja e thjeshtë në ngjalljen e Hyjit, feja e thjeshtë në Jezu Krishtin, feja e thjeshtë se Zoti na pret gjithmonë dhe do të vijë.

Shëmbëlltyra e librit të Jobit paraqet në mënyrë dramatike dhe shembullore atë që ndodh përnjëmend në jetë. Me fjalë të tjera, mbi një person, mbi një familje apo mbi një popull, bien sprova shumë të rënda, sprova joproporcionale në krahasim me vogëlsinë dhe brishtësinë e njeriut. Në jetë, siç thuhet, shpesh “të keqen e keqja e ndjek”. Dhe disa njerëz zihen përfund nga të këqija të pafundme që duket vërtet një gjë e tepruar dhe e padrejtë. Dhe shumë njerëz janë të tillë.

Të gjithë kemi njohur njerëz të tillë. Kemi mbetur pa fjalë nga britma e tyre, por shpesh kemi ngelur edhe plot admirim përball qëndrueshmërisë së fesë dhe dashurisë së tyre në heshtjen e tyre. Mendoj për prindërit e fëmijëve me aftësi të kufizuara të theksuara ose për ata që jetojnë me sëmundje të përhershme ose familjarët që u qëndrojnë pranë… Situata shpesh të rënduara nga mungesa e burimeve ekonomike. Në disa konjuktura të historisë, këto vuajte të rënda duket sikur mblidhen në një vend si me fjalë. Kjo është ajo që ka ndodhur vitet e fundit me pandeminë Covid-19 dhe që po ndodh tani me luftën në Ukrainë.

A mund t’i justifikojmë këto “teprime” si një racionalitet i epërm i natyrës dhe historisë? A mund t’i bekojmë fetarisht ato si një përgjigje e justifikuar ndaj mëkateve të viktimave, të cilët i meritonin? Jo nuk mundemi. Ekziston një lloj e drejte e viktimës për të protestuar kundër misterit të së keqes, një e drejtë që Hyji ia jep kujtdo, madje, që në fund të fundit është vetë Ai që e frymëzon. Ndonjëherë takoj njerëz që më afrohen dhe më thonë: “Por, o At’, protestova kundër Zotit sepse kam këtë problem, e atë problem…”. Por, a e di, i dashur, se protesta është një mënyrë lutjeje, kur bëhet kështu. Kur fëmijët, të rinjtë protestojnë kundër prindërve, është një mënyrë për të tërhequr vëmendjen dhe për t’u kërkuar atyre që të kujdesen për ta. Nëse ke plagë në zemër, ndonjë dhimbje dhe të vjen të protestosh, protesto edhe kundër Hyjit, Hyji të dëgjon, Hyji është Atë, Hyji nuk ka frikë nga lutja jonë e protestës, jo! Hyji e kupton. Por ji i lirë, ji e lirë në lutjen tënde, mos e burgos lutjen tënde në skema të paramenduara! Lutja duhet të jetë spontane, si ajo e një biri me babain e vet, i cili i thotë çdo gjë që i vjen për të thënë, sepse e di që babai e kupton. “Heshtja” e Hyjit, në momentin e parë të dramës, shpreh këtë gjë. Hyji nuk do t’i shmanget ballafaqimit, por në fillim e lë Jobin të shfrejë protestën e tij dhe Hyji e dëgjon. Ndoshta, ndonjëherë, duhet ta mësojmë këtë respekt dhe këtë dashamirësi nga Hyji. Dhe Hyjit nuk i pëlqen ajo enciklopedi – le ta quajmë kështu – shpjegimesh, reflektimesh që bëjnë miqtë e Jobit, të cilëve s’u pushon gjuha, e kjo nuk është e drejtë: është ajo fetari që shpjegon gjithçka, por zemra mbetet e ftohtë. Hyjit nuk i pëlqen kjo gjë. I pëlqen më shumë protesta e Jobit apo heshtja e Jobit.

Shpallja e fesë prej anës së Jobit – që del në pah pikërisht nga apeli i tij i pandërprerë ndaj Hyjit, për një drejtësi supreme – përmbushet në fund me një përvojë pothuajse mistike, do thoja unë, që e bën atë të pohojë: «Nuk të njihja veçse me të dëgjuar, e tani me sy të mi të pashë!» (42,5). Sa njerëz, sa prej nesh, pas një përvoje disi të shëmtuar, disi të errët, hedhin hapa dhe e njohin Hyjin më mirë se më parë! Dhe mund të themi, si Jobi: “Nuk të njihja veçse me të dëgjuar, e tani me sy të mi të pashë, sepse të kam takuar!”. Kjo dëshmi është veçanërisht e besueshme nëse pleqëria e merr përsipër, në brishtësinë dhe rënien e saj progresive. Të moshuarit kanë parë plot gjëra në jetën e tyre! Dhe ata kanë parë gjithashtu paqëndrueshmërinë e premtimeve të njerëzve. Njerëz të ligjit, njerëz të shkencës, madje edhe njerëz të fesë, që ngatërrojnë të përndjekurin me viktimën, duke ia ngarkuar kësaj të fundit përgjegjësinë e plotë për dhimbjen që kalon. Ata e kanë gabim!

Të moshuarit që gjejnë rrugën e kësaj dëshmie, e cila e shndërron prekjen për humbjen në këmbëngulje për të pritur premtimin e Hyjit – ndodh një ndryshim, nga të ngelurit i prekur nga humbja në një këmbëngulje për të ndjekur premtimin e Hyjit – këta të moshuar janë një mbrojtje e pazëvendësueshme për bashkësinë në përballjen me të keqen e pamasë. Shikimi i besimtarëve që kthehet kah i  Kryqëzuari mëson pikërisht këtë gjë. Se edhe ne mund ta mësojmë atë, nga kaq shumë gjyshër dhe gjyshe, nga kaq shumë të moshuar që, si Maria, bashkojnë lutjen e tyre, herë-herë zemërthyese, me atë të Birit të Hyjit që i braktiset Atit në kryq. Le t’i vërejmë të moshuarit, t’i shikojmë pleqtë, plakat; le t’i shikojmë me dashuri, le ta shohim përvojën e tyre personale. Ata kanë vuajtur shumë në jetë, kanë mësuar shumë në jetë, kanë kaluar shumë, por në fund e kanë këtë paqe, një paqe – do të thosha – gati mistike, domethënë paqen e takimit me Hyjin, aq sa ata mund të thonë «Nuk të njihja veçse me të dëgjuar, e tani me sy të mi të pashë!». Këta pleq i ngjajnë asaj paqeje të birit të Hyjit në kryq që i braktiset Atit.

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme