Të moshuarit, “kurrë më të shumtë sesa sot”, shpesh shikohen si “barrë”, veçanërisht kur mbizotëron kultura e prodhimit dhe e shpërdorimit. Në fazën e parë dramatike të pandemisë, pleqtë paguan “haraçin më të lartë”. Në totalitarizmat e shekullit të njëzetë, “ikona mbizotëruese” është ajo e rinisë, shoqëruar gjithnjë me përbuzjen ndaj të moshuarve. Duke harruar se pleqëria është dhuratë “për të gjitha moshat e jetës”. Me këto fjalë e pati hapur Papa Françesku katekizmin kushtuar kuptimit dhe vlerës së pleqërisë, më 23 shkurt 2022, duke realizuar një paralelizëm figurativ shumë të ndjerë me shembullin e disa prej figurave më të njohura biblike si Moisiu, Eleazari, Judita … dhe duke e përshkruar figurën e të moshuarve krejt ndryshe, nga ajo që propozohet shpesh prej kulturës sunduese. Në katekizmin e Papës, si në Bibël, plaku nuk është vetëm njeri i ligshtë për shkak të sprovave të vështira, si ajo e sëmundjes, por edhe e sidomos, dëshmitar i pazëvendësueshëm, i aftë për të përcjellë urti e vlera të tjera të mëdha ndër brezat e rinj.
E rëndësishme dhe bukur, mosha e shtyrë
Njëherësh me migrimin, pleqëria – shpjegon Papa në katekizmin e 23 shkurtit të kaluar – është ndër “çështjet më urgjente, që duhet të përballojë familja njerëzore në këtë kohë”. Ndërsa rinia e përjetshme “është halucinacion shumë i rrezikshëm”, “të jesh i moshuar është po aq e rëndësishme dhe e bukur, sa të jesh i ri”.
Ritmet e pleqërisë
Mundësitë që lidhen me jetëgjatësinë janë në qendër të vëmendjes në audiencën e përgjithshme të 2 marsit 2022.
“Mosha e vjetër, sigurisht, kërkon ritme më të ngadalta: por këto nuk janë vetëm kohë inercie. Masa e këtyre ritmeve – shpjegon Francesco – krijon për të gjithë hapësira të panjohura jete”.
Papa kujton edhe se besëlidhja e brezave është e domosdoshme. Është “e shterpët” dhe “pa të ardhme”, shoqëria në të cilën “të moshuarit nuk u flasin të rinjve” e “të rinjtë nuk u gjegjen të moshuarve”. “Humbja e kohës” me fëmijët, me gjyshërit, me të moshuarit “forcon familjen njerëzore”.
Zëri profetik i pleqve
Të moshuarit janë burim urtie për të rinjtë. Në audiencën e përgjithshme të 16 marsit 2022, Papa thekson veçanërisht se mençuria e të moshuarve është fjalë profetike, që të nxit “t’i kundërvihesh korrupsionit”. Bota ka nevojë për “të rinj të fortë” e “pleq të mençur”. E të moshuarit – kujton Papa – duhet “të jenë profetë kundër korrupsionit, ashtu si Noehi ishte profet kundër korrupsionit të kohës së tij, prandaj Zoti i besoi vetëm atij”.
Kujtesa dhe dëshmia
Në qendër të vëmendjes në audiencën e përgjithshme të 23 marsit 2022, ishte shembulli i Moisiut i cili, në fund të ditëve të jetës, shpall emrin e Hyjit, duke ua përcjellë brezave të rinj trashëgiminë e historisë së tij të jetuar me Zotin. “Moisiu e sheh historinë dhe e transmeton historinë”. Të moshuarit – shton Françesku – “e shohin historinë dhe transmetojnë historinë”. “Pleqëria, të cilës i jepet kjo kthjelltësi, është dhuratë e çmuar për brezin që vjen pas”.
Besnikëria ndaj vizitës së Zotit
“Piktura prekëse, e pikturuar nga Shën Luka ungjilltar, që na paraqet në skenë dy figura të moshuara, Simeonin dhe Anën” është strumbullarii audiencës së përgjithshme të 30 marsit 2022. Nga këto dy figura të moshuara plot vitalitet shpirtëror “mësojmë se besnikëria e pritjes i mpreh shqisat”. “Mosha e vjetër e ligështon, në një mënyrë apo në një tjetër, ndjeshmërinë e trupit”. “Po pleqëria që kalon gjithnjë në pritje të vizitës së Zotit – pohon Françesku – nuk është humbje kohe: ajo do të ketë edhe më shumë ndjeshmëri për të pritur Zotin, kur të kalojë”.
Dashuria për jetën e jetuar
Në audiencën e përgjithshme të 20 prillit 2022, Papa Françesku thekson se shoqëria jo gjithmonë i kushton vëmendje shkëmbimit të dashurisë që mori nga të moshuarit. Jeta e jetuar me nder “nuk është çështje që u takon vetëm të moshuarve”. Përkundrazi, “është dritë, për ta ndriçuar rininë, e cila do të trashëgojë cilësitë më të mira të moshës së shtyrë”.
Aleanca ndërmjet brezave, hap udhën e së ardhmes
Në katekizmin e audiencës së përgjithshme të 27 prillit 2022, Françesku rilexon lidhjen biblike ndërmjet vejushës së re Ruth dhe vjehrrës së saj të moshuar, Noemi. Është mësim i çmuar kushtuar besëlidhjes ndërmjet breznive – kujton Papa – “i aftë për t’i rikthyer entuziazmin moshës së pjekur” dhe “për t’i hapur udhët e së ardhmes rinisë së plagosur”.
Feja nuk është “për të moshuarit”
Është një personazh biblik, që quhet Eleazar, i përmendur në librin e dytë të Makabejve, protagonist i reflektimit propozuar më 4 maj 2022 nga Papa Françesku. Ajo e Eleazarit është dëshmi e marrëdhënies së veçantë që ekziston ndërmjet besnikërisë ndaj nderimit të fesë dhe pleqërisë. “Nderimi i fesë është vazhdimisht nën presionin, madje edhe të dhunshëm, të kulturës së pushtetarëve, që synojnë ta poshtërojnë, duke e trajtuar si gjetje arkeologjike, apo bestytni e vjetër, kokëfortësi anakronike e kështu me radhë”. Po besimi – pohon Françesku – nuk u përket vetëm të moshuarve”, i përket jetës”.
Pleqëri fisnike
Personazhi biblik i Juditës është shembull i kontributit që të moshuarit mund të japin për familjet dhe shoqërinë. Papa Françesku e kujton këtë në katekizmin e 11 majit 2022. Heroizmi, pohon – “nuk është vetëm ai i ngjarjeve të mëdha, që vihen në qendër të vëmendjes”. E takojmë shpesh edhe në këmbënguljen e dashurisë në një familje të vështirë dhe në favor të një bashkësie të kërcënuar”.
Prova e fesë
Në audiencën e përgjithshme të 18 majit 2022, Papa paraqet figurën e Jobit i cili, pasi humbi gjithçka dhe ngriti zërin kundër Zotit, kuptoi se Zoti nuk është persekutues, por Atë i butë. Të moshuarit – kujton Françesku – “mësuan shumë në jetë, kaluan shumë telashe, por në fund gjetën paqen aq të kërkuar, një paqe gati mistike, domethënë, paqen e takimit me Zotin”.
Domethënia e sendeve të jetës
Sot shpesh herë vendin e kërkimit të së vërtetës, e zë indiferenca! E nënvizon Papa Françesku, duke na kujtuar, në audiencën e përgjithshme të 25 majit 2022, faqet biblike të Koheletit. Mosha e tretë mund të hapë një rrugë të re: “nëse të moshuarit, të cilët tani kanë parë gjithçka, e kanë të paprekur pasionin e tyre për drejtësinë, atëherë mund të themi se nuk kanë humbur shpresat për dashurinë e, gjithashtu, edhe për besimin”.
Kujdesi për të moshuarit
Nga të vjetrit mësojmë dhuratën e “braktisjes së vetvetes, për kujdesin ndaj të tjerëve dhe ndaj Zotit”. Papa Françesku e theksoi këtë në audiencën e përgjithshme më 1 qershor 2022, duke nënvizuar nevojën për reformimin e një qytetërim dhe një politike, që i lë mënjanë pleqërinë dhe sëmundjet. “E gjithë shoqëria duhet të nxitojë të kujdeset për pleqtë e saj – janë thesari! – ndonëse gjithnjë e më të shumtë, e shpesh edhe më të braktisur”.
Të moshuarit ecin drejt të Amshimit
Në katekizmin e audiencës së përgjithshme të 8 qershorit 2022, Papa, duke kujtuar figurën e Nikodemit, pohoi se misioni i moshës së shkuar është ta zhdukë “iluzionin teknokratik të mbijetesës biologjike dhe robotike” dhe të shikojë përqafimin në prehër të Zotit, si “brez i ri në Shpirtin Shenjt”, “i lindur nga lart”.
Plaku e sëmundja
Historia e shërimit të vjehrrës së Simonit i cili ende nuk quhej Pjetër, është në qendër të katekizmit të 15 qershorit 2022. Sëmundja rëndon mbi të moshuarit, shumë më tepër se mbi të rinjtë apo të rriturit. Është goditje e fortë, në kohë tashmë të vështirë”. Jezusi – kujton Papa – nuk e viziton vetëm atë grua të moshuar të sëmurë. Shkon atje së bashku me dishepujt: “është pikërisht bashkësia e krishterë, ajo që duhet të kujdeset për të moshuarit: të afërmit dhe miqtë, por edhe bashkësia”.
Gjithmonë në gjurmët e Jezusit
Në vijim të katekizmit mbi pleqërinë, meditimi i 22 qershorit 2022 përqendrohet në dialogun ndërmjet Jezusit të ringjallur dhe Pjetrit në fund të Ungjillit të Gjonit. Papa trajton çështjen e dobësisë së moshës, që çon në varësinë nga të tjerët. “Ndjekja e Jezusit vazhdon gjithmonë, në shëndet e në sëmundje. Duhet ta ndjekim Jezusin gjithmonë, në këmbë, duke vrapuar, ngadalë, në një karrige me rrota, ta ndjekim por gjithmonë”.
Dëshmia e ligështisë
Theksohet në audiencën e fundit, mbajtur më 22. 06. 2022, kjo temë. Na kujton Papa:
“Të moshuarit nuk duhet t’i kenë zili të rinjtë që shkelin në rrugën e tyre, që zënë vendin e tyre, që jetojnë më shumë se ata. Besnikëria e tyre ndaj dashurisë për të cilën qenë betuar, ndaj ndjekjes së fesë, në të cilën besuan edhe në orët pranë lamtumirës së jetës, janë titulli i admirimit të tyre për brezat që do të vijnë dhe i mirënjohjes nga ana e Zotit”.
E, në përfundim, besëlidhja e breznive ndërmjet tyre e, sidomos, me Zotin:
“Të moshuarit nuk duhet t’i kenë zili të rinjtë që shkelin në rrugën e tyre, që zënë vendin e tyre, që jetojnë më shumë se ata. Besnikëria e tyre ndaj dashurisë për të cilën qenë betuar, ndaj ndjekjes së fesë, në të cilën besuan edhe në orët pranë lamtumirës së jetës, janë titulli i admirimit të tyre për brezat që do të vijnë dhe i mirënjohjes nga ana e Zotit”.
Kështu pjesa më e mirë e jetës së të moshuarve do të jetë “ndjekja e Zotit në motet e plogështisë së detyruar, do të jetë kundrimi, dëgjimi e rrëmbimi nga fjala e Zotit”- që të larton në viset e dritës së pambaruar, të cilat i ëndërrove në lutje nga gjallëria e foshnjërisë – në plogështinë e pleqërisë: gjatë gjithë jetës – përfundoi Papa.
Marrë nga ( Radio Vatikani)