Pas një kohe të gjatë kushtuar lutjes, sot paradite Papa Françesku nisi një cikël të ri reflektimesh, kushtuar disa argumenteve të rëndësishme për fenë, të pranishme në Letrën drejtuar Galatasve, duke nënvizuar aktualitetin e problematikave, që u dukën që në bashkësitë e para të krishtera.
Katekeza e plotë:
Të dashur vëllezër e motra, mirëdita!
Pas itinerarit të gjatë kushtuar lutjes, sot ne fillojmë një cikël të ri katekezash. Shpresoj që me atë itinerar të lutjes kemi arritur të lutemi pak më mirë, të lutemi edhe pak më shumë. Sot dëshiroj të reflektoj mbi disa tema që Pali apostull parashtron në Letrën drejtuar Galatasve. Ajo është një Letër shumë e rëndësishme, madje do të thoja vendimtare, jo vetëm për të njohur më mirë Apostullin, por mbi të gjitha për të shqyrtuar disa tema që ai i trajton në thellësi, duke shfaqur bukurinë e Ungjillit. Në këtë Letër, Pali sjell mjaft referime biografike, të cilat na lejojnë të njohim kthimin e tij dhe vendimin për ta vënë jetën e vet në shërbim të Jezu Krishtit. Ai rrah gjithashtu disa çështje shumë të rëndësishme për besimin, siç është ajo e lirisë, e hirit dhe e mënyrës së krishterë të të jetuarit, të cilat janë jashtëzakonisht aktuale sepse prekin shumë aspekte të jetës së Kishës së ditëve tona. Kjo është një Letër shumë aktuale. Duket si e shkruar enkas për kohën tonë.
Veçoria e parë që del në pah nga kjo Letër është vepra e madhe e ungjillëzimit e vënë në jetë nga Apostulli, i cili, të paktën dy herë, kishte vizituar bashkësitë e Galacisë gjatë udhëtimeve të tij misionare. Pali u drejtohet të krishterëve të atij territori. Ne nuk e dimë saktësisht se cilës zonë gjeografike ai i referohet dhe as nuk mund të themi me siguri datën në të cilën ai e shkroi këtë Letër. Ne dimë se Galatasit ishin një popullsi e lashtë kelte që, përmes shumë peripecive, ishte vendosur në atë krahinë të gjerë të Anadollit që kishte kryeqendrën e tij në qytetin e Ancyra-s, sot Ankaraja, kryeqyteti i Turqisë. Pali referon vetëm që, për shkak të një sëmundjeje, ai u detyrua të ndalet në atë krahinë (krh. Gal 4,13). Ndërsa shën Luka, në Veprat e Apostujve, sheh një motiv më shpirtëror. Ai thotë se “E kaluan Frigjinë dhe krahinën e Galacisë sepse Shpirti Shenjt ua ndaloi të predikojnë Fjalën në Azi” (16,6). Këto dy fakte nuk janë në kundërshtim: përkundrazi, ato tregojnë se rruga e ungjillëzimit nuk varet gjithmonë nga vullneti ynë dhe planet tona, por kërkon gatishmërinë për të lejuar që të formësohemi dhe për të ndjekur rrugë të tjera që nuk ishin parashikuar. Në mesin tuaj gjendet një familje që më përshëndeti: thonë se duhet të mësojnë letonisht apo kushedi se çfarë gjuhe tjetër, sepse ata do të shkojnë misionarë në ato toka. Shpirti Shenjt sjell edhe sot shumë misionarë të cilët lënë atdheun e tyre dhe shkojnë në një tokë tjetër për të bërë mision. Ajo që ne vërejmë, sidoqoftë, është se në veprën e tij të palodhur ungjillëzuese Apostulli kishte arritur të themelonte disa bashkësi të vogla, të shpërndara në krahinën e Galacisë. Kur Pali mbërrinte në një qytet, në një krahinë, ai nuk bënte menjëherë një katedrale të madhe, jo. Ai krijonte bashkësitë e vogla të cilat janë tharmi i kulturës sonë të krishterë sot. Fillonte duke bërë bashkësi të vogla. E këto bashkësi të vogla rriteshin, rriteshin dhe vazhdonin para. Edhe sot kjo metodë baritore ndiqet në çdo krahinë misionare. Kam marrë një letër javën e kaluar nga një misionar nga Papua Guinea e Re; më thoshte se po ua predikonte Ungjillin në pyll njerëzve që as nuk e dinin se kush ishte Jezu Krishti. Është bukur! Bashkësitë e vogla fillojnë të formohen. Edhe sot kjo metodë është metoda ungjillëzuese e ungjillëzimit të parë.
Ajo që për ne ka rëndësi të vëmë re është meraku baritor i Palit, i cili është i gjithi zjarr. Ai, pasi ka themeluar këto Kisha, vëren një rrezik të madh – bariu është si babai ose nëna që menjëherë marrin parasysh rreziqet ndaj fëmijëve – që u kanoset në rritjen e tyre të fesë. Rriten dhe rreziqet vijnë. Siç thoshte dikush: “Vijnë grabitqarët për të bërë kërdi në bashkësi”. Në fakt, disa të krishterë të ardhur nga judaizmi ishin infiltruar dhe me dinakëri kishin filluar të mbillnin teori në kundërshtim me mësimet e Apostullit, madje duke arritur deri aty sa ta denigronin personin e tij. Ata fillojnë me doktrinën “kjo jo, kjo po”, dhe pastaj denigrojnë Apostullin. Është rruga që ndiqet gjithmonë: t’i heqin autoritetin Apostullit. Siç mund të shihet, kjo është një praktikë e lashtë, d.m.th. të paraqiturit, në disa raste, si ata që janë të vetmit zotërues të së vërtetës – të kulluarit – dhe me synimin për të nënvlerësuar, edhe përmes shpifjes, punën e bërë nga të tjerët. Këta kundërshtarë të Palit pohonin se edhe paganët duhej t’i nënshtroheshin rrethprerjes dhe të jetonin sipas rregullave të ligjit të Moisiut. Ata kthehen pas në zbatimin [e rregulloreve] të mëparshme, te gjërat që janë tejkaluar nga Ungjilli. Galatasit, pra, do të duhej të hiqnin dorë nga identiteti i tyre kulturor për t’iu nënshtruar rregullave, caktimeve dhe zakoneve tipike të hebrenjve. Jo vetëm kaq. Ata kundërshtarë pohonin se Pali nuk ishte një apostull i vërtetë dhe për këtë arsye nuk kishte asnjë autoritet për të predikuar Ungjillin. Ne e vërejmë shumë herë këtë. Le të mendojmë për disa bashkësi të krishtera ose disa dioqeza: fillojnë sajimet dhe pastaj përfundohet duke diskredituar famullitarin, ipeshkvin. Kjo është pikërisht rruga e të ligut, e këtyre njerëzve që ndajnë, të cilët nuk dinë të ndërtojnë. Në këtë Letër drejtuar Galatasve ne shohim këtë procedurë.
Galatasit gjendeshin në një situatë krize. Çfarë duhej të bënin? Të dëgjonin dhe të ndiqnin atë që Pali u kishte predikuar atyre, apo t’ua vinin veshin predikuesve të rinj që e akuzonin atë? Është e lehtë të përfytyrohet gjendja e pasigurisë që kishte zënë vend në zemrat e tyre. Për ta, fakti që kishin njohur Jezusin dhe kishin besuar në veprën e shpëtimit të realizuar me vdekjen dhe ngjalljen e tij, ishte me të vërtetë fillimi i një jete të re, e një jete në liri. Ata kishin nisur një rrugëtim që më në fund u lejonte atyre të ishin të lirë, pavarësisht se historia e tyre ishte e endur me shumë forma të skllavërisë së dhunshme, sidomos ajo që i nënshtroi ata ndaj perandorit të Romës. Prandaj, përballë kritikave të predikuesve të rinj, ata ndiheshin të hutuar dhe të pasigurt në lidhje me mënyrën se si duhej të silleshin: «Po kush ka të drejtë? Ky Pal, apo këta njerëz që vijnë tani duke mësuar gjëra të tjera? Kë duhet të dëgjoj? Me një fjalë, çështja peshonte shumë!
Kjo gjendje nuk është larg përvojës që shumë të krishterë jetojnë në ditët tona. Edhe sot, në të vërtetë, nuk mungojnë predikuesit të cilët, sidomos përmes mjeteve të reja të komunikimit, mund të trazojnë bashkësitë. Ata nuk paraqiten para së gjithash për të kumtuar Ungjillin e Hyjit që e do njeriun në Jezusin e Kryqëzuar dhe të Ngjallur, por për të ripohuar me këmbëngulje, pikërisht si “rojtarë të së vërtetës” – siç e quajnë ata veten – se cila është mënyra më e mirë për të qenë të krishterë. Pohojnë fuqimisht se krishterimi i vërtetë është ai me të cilin janë të lidhur ata, që shpesh identifikohet me forma të caktuara të së kaluarës, dhe se zgjidhja e krizave të sotme qëndron në kthimin pas për të mos humbur autenticitetin e fesë. Me një fjalë, edhe sot, si atëherë, ekziston tundimi për t’u kyçur në disa siguri të fituara nga tradita të së kaluarës. Por si mund t’i njohim këta njerëz? Për shembull, një nga gjurmët e mënyrës se si veprojnë është ngurtësia. Përballë predikimit të Ungjillit që na bën të lirë, na bën të hareshëm, këta janë të ngurtë. Gjithmonë ngurtësi: duhet të bëhet kjo gjë, duhet të bëhet ajo gjë … Ngurtësia u përket pikërisht këtyre njerëzve. Ndjekja e mësimit të Palit Apostull në Letrën drejtuar Galatasve do të na bëjë mirë të kuptojmë se cilën rrugë duhet të ndjekim. Ajo që na ka treguar Apostulli është rruga çliruese dhe gjithnjë e re e Jezusit të Kryqëzuar dhe të Ngjallur; është rruga e kumtimit, e cila realizohet përmes përvujtërisë dhe vëllazërimit. Predikuesit e rinj nuk e dinë se çfarë është përvujtëria, çfarë është vëllazëria; është rruga e besimit të butë dhe të dëgjueshëm, predikuesit e rinj nuk e njohin butësinë e as dëgjesën. E kjo mënyrë e butë dhe e dëgjueshme ecën para me sigurinë që Shpirti Shenjt jep në çdo epokë të Kishës. Në fund të fundit, besimi në Shpirtin Shenjt të pranishëm në Kishë, na çon përpara dhe do të na shpëtojë.
Mond MARKU