21.5 C
Tirana
HomeKryesorPapa Françesku: shën Jozefi, njeri i periferisë, i mëson Kishës shikimin mbi...
HomeKryesorPapa Françesku: shën Jozefi, njeri i periferisë, i mëson Kishës shikimin mbi...

Papa Françesku: shën Jozefi, njeri i periferisë, i mëson Kishës shikimin mbi thelbësoren

Në Audiencën e Përgjithshme, Papa Françesku nisi një cikël të ri katekizmi kushtuar Fatit të Marisë e Atit të kujtuar të Jezusit. Zgjedhja e Betlehemit dhe e Nazaretit, shpjegoi, na kujton se “periferitë dhe skutat janë të zgjedhura nga Zoti”. Propozoi edhe një lutje të re për Shën Jozefin: “Na ndihmo ta pëlqejmë, atë që bota e përjashton”.

AUDIENCA E PËRGJITHSHME

E mërkurë, 17 nëntor 2021

Katekeza mbi shën Jozefin – 1. Shën Jozefi dhe mjedisi në të cilin jetoi

Të dashur vëllezër dhe motra, mirëdita!

Më 8 dhjetor 1870, i Lumi Piu IX shpalli shën Jozefin mbrojtës të Kishës universale. 150 vjet pas asaj ngjarjeje, ne po përjetojmë një vit të veçantë kushtuar shën Jozefit dhe në Letrën Apostolike Patris corde kam mbledhur disa reflektime mbi figurën e tij. Asnjëherë si sot, në këtë kohë të shënuar nga një krizë globale me komponentë të ndryshëm, ai nuk mund të jetë më mbështetës, ngushëllues dhe udhërrëfyes. Për këtë arsye kam vendosur t’i kushtoj atij një cikël katekezash, i cili shpresoj se do të na ndihmojë edhe më shumë për të lejuar që të ndriçohemi nga shembulli dhe dëshmia e tij. Për disa javë do të flasim për shën Jozefin.

Në Bibël ka më shumë se dhjetë personazhe që mbajnë emrin Jozef. Më i rëndësishmi prej tyre është i biri i Jakobit dhe Rakelës, i cili, nëpërmjet peripecive të ndryshme, nga skllav bëhet personi i dytë më i rëndësishëm në Egjipt pas faraonit (krh. Zan 37-50). Emri Jozef në hebraisht do të thotë “Hyji rrittë, Hyji bëftë që të rritet”. Është një urim, një bekim i bazuar mbi mirëbesimin në provaninë dhe që i referohet veçanërisht frytshmërisë dhe rritjes së fëmijëve. Në të vërtetë, pikërisht ky emër na zbulon një aspekt thelbësor të personalitetit të Jozefit të Nazaretit. Ai është një njeri plot fe në provaninë e Hyjit: ai beson në provaninë e tij, ai ka fe në provaninë e Hyjit. Çdo veprim i tij i rrëfyer nga Ungjilli është i shkruar me sigurinë se Hyji “bën të rritet”, se Hyji “shumon”, se Hyji “shton”, domethënë që Hyji përkujdeset paraprakisht për të realizuar planin e tij të shpëtimit. Në këtë pikë, Jozefi i Nazaretit ngjan shumë me Jozefin e Egjiptit.

Edhe referimet kryesore gjeografike që lidhen me jetën e Jozefit, Betlehemi dhe Nazareti, luajnë një rol të rëndësishëm në kuptimin e figurës së tij.

Në Besëlidhjen e Vjetër qyteti i Betlehemit quhet me emrin Beth Lechem, domethënë “Shtëpia e bukës”, ose edhe Efrata, për shkak të fisit që u vendos në atë territor. Ndërsa në arabisht emri do të thotë “Shtëpia e mishit”, mbase për shkak të numrit të madh të kopeve të deleve dhe dhive në atë zonë. Nuk është rastësi, në fakt, që kur lindi Jezusi, barinjtë qenë dëshmitarët e parë të ngjarjes (krh. Lk 2, 8-20). Në dritën e ngjarjes së Jezusit, këto aludime për bukën dhe mishin na çojnë te misteri eukaristik: Jezusi është buka e gjallë që zbriti nga qielli (krh. Gjn 6,51). Ai vetë do të thotë për vetveten: “Kush ushqehet me korpin tim dhe pi gjakun tim, ka jetën e pasosur” (Gjn 6,54).

Betlehemi përmendet disa herë në Bibël, duke filluar nga Libri i Zanafillës. Historia e Rutës dhe Noemit, e rrëfyer në Librin e vogël, por të mrekullueshëm të Rutës, është gjithashtu e lidhur me Betlehemin. Ruta lindi një djalë që u quajt Obed, prej të cilit lindi Jeseu, babai i mbretit David. Jozefi, babai ligjor i Jezusit, rrjedh pikërisht nga pasardhësit e Davidit. Për në Betlehem, pastaj, Mikeja profet parakallëzoi gjëra të mëdha: “E ti, o Betlehem – Efratë, i vogël ndër qytetet princërore të Judës, prej teje do të më dalë ai që do ta sundojë Izraelin” (Mik 5,1). Mateu Ungjilltar do ta marrë këtë profeci dhe do ta lidhë atë me historinë e Jezusit, si dhe me përmbushjen e saj të dukshme.

Në të vërtetë, Biri i Hyjit nuk zgjodhi Jerusalemin si vendin e mishërimit të tij, por Betlehemin dhe Nazaretin, dy fshatra periferikë, larg zhurmës së lajmeve dhe pushtetit të kohës. Megjithatë Jerusalemi ishte qyteti i dashur nga Zoti (krh. Is 62,1-12), “qyteti i shenjtë” (Dan 3,28), i zgjedhur nga Hyji për të banuar aty (krh. Zak 3,2; Ps 132,13 ). Këtu, njëmend, banonin mësuesit e Ligjit, skribët dhe farisenjtë, krerët e priftërinjve dhe pleqtë e popullit (krh. Lk 2,46; Mt 15,1; Mk 3,22; Gjn 1,19; Mt. 26,3).

Kjo është arsyeja pse zgjedhja e Betlehemit dhe Nazaretit na thotë se periferia dhe margjinalizimi janë të dashura nga Hyji. Jezusi nuk lindi në Jerusalem me gjithë oborrtarët…jo: ai lindi në një periferi dhe aty e kaloi jetën deri ku u bë 30 vjeç, duke punuar si marangoz, si Jozefi. Jezusi i ka përzemër periferitë dhe anët e margjinalizuara. Të mos e marrësh seriozisht këtë realitet do të thotë të mos e marrësh seriozisht Ungjillin dhe veprën e Hyjit, e cila vazhdon të dëftohet nëpër periferitë gjeografike dhe ekzistenciale. Zoti vepron gjithmonë fshehurazi nëpër periferi, madje edhe në shpirtin tonë, në periferitë e shpirtit, të ndjenjave, ndoshta ndjenja për të cilat turpërohemi; por Zoti është aty për të na ndihmuar që të ecim përpara. Zoti vazhdon të dëftohet nëpër periferi, si në ato gjeografike ashtu edhe ato ekzistenciale. Në veçanti, Jezusi shkon për të kërkuar mëkatarët, hyn në shtëpitë e tyre, flet me ta, i thërret të kthehen. Madje edhe merr kritika për këtë fakt: “Pa shiko, këtë Mësues – thonë mësuesit e Ligjit – shiko këtë Mësues: ha me mëkatarët, bëhet i papastër, shkon të kërkojë ata që nuk kanë bërë të keqen, por e kanë pësuar: të sëmurët, të uriturit, të varfrit, ata më të fundit. Jezusi shkon gjithnjë në periferi. Ky fakt duhet të na japë kaq shumë besim, sepse Zoti i njeh periferitë e zemrës sonë, periferitë e shpirtit tonë, periferitë e shoqërisë sonë, të qytetit tonë, të familjes sonë, domethënë atë pjesë paksa të errët që ne nuk e tregojmë, mbase nga turpi.

Në këtë drejtim, shoqëria e asaj kohe nuk ishte shumë e ndryshme nga e jona. Edhe sot ekziston një qendër dhe një periferi. Kisha e di se ajo është e thirrur për të kumtuar lajmin e mirë duke filluar nga periferitë. Jozefi, i cili është një marangoz nga Nazareti dhe që i beson planit të Hyjit për të fejuarën e tij të re dhe për të, i kujton Kishës që të përqendrojë vështrimin e saj në atë që bota e shpërfill qëllimisht. Sot Jozefi na mëson këtë gjë: “Mos shikoni shumë kah gjërat që bota i lavdëron, shikoni qosheve, shikoni në hije, shikoni periferitë, ato që bota nuk i pëlqen”. Ai i kujton secilit prej nesh që t’i japim rëndësi asaj që të tjerët e skartojnë. Në këtë kuptim, ai është me të vërtetë një mësues i thelbësores: ai na kujton se ajo që vlen vërtet nuk e tërheq vëmendjen tonë, por kërkon shoshitje me duresë për t’u zbuluar dhe vlerësuar. Të zbulojmë atë që vlen. Le t’i kërkojmë atij që të ndërmjetësojë në mënyrë që e gjithë Kisha të rimarrë këtë vështrim, këtë aftësi për të dalluar, këtë aftësi për të vlerësuar thelbësoren. Të nisemi nga Betlehemi, të nisemi nga Nazareti.

Sot dëshiroj t’u dërgoj një mesazh të gjithë burrave dhe grave që jetojnë nëpër periferitë gjeografike më të harruara të botës ose që jetojnë në situata të margjinalizimit ekzistencial. Gjetshi te shën Jozefi dëshmitarin dhe mbrojtësin kah i cili të hidhni shikimin. Atij mund t’i drejtohemi me këtë lutje, një lutje “që bëhet në shtëpi”, por që del nga zemra:

Shën Jozef,

ti që i ke besuar gjithmonë Hyjit,

dhe i ke bërë zgjedhjet tua

i drejtuar nga provania e tij,

na mëso të mos mbështetemi shumë në planet tona,

por në planin e tij të dashurisë.

Ti që vjen nga periferitë,

na ndihmo të kthejmë shikimin tonë

dhe të pëlqejmë atë që bota e flak dhe e lë mënjanë.

Ngushëlloji ata që ndihen vetëm

dhe përkrahi ata që angazhohen në heshtje

për të mbrojtur jetën dhe dinjitetin njerëzor.

Amen!

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme