15.5 C
Tirana
HomeKryesorPapa Françesku: Pleqëria është premtim, të duash rininë e përjetshme është marrëzi 
HomeKryesorPapa Françesku: Pleqëria është premtim, të duash rininë e përjetshme është marrëzi 

Papa Françesku: Pleqëria është premtim, të duash rininë e përjetshme është marrëzi 

Pas pushimeve të korrikut dhe reflektimeve të javës së kaluar kushtuar udhëtimit të tij në Kanada, Papa, në Sallën Pali VI të mbushur me besimtarë, shqiptoi katekizmin e tij të gjashtëmbëdhjetë kushtuar moshës së tretë, duke e parë si kohë të përshtatshme për të dëshmuar Krishtin, pavarësisht nga brishtësitë.

AUDIENCA E PËRGJITHSHME

Të dashur vëllezër dhe motra, mirëdita!

Tashmë jemi në katekezat e fundit kushtuar pleqërisë. Sot ne hyjmë në afrimitetin përmallues të lamtumirës së Jezusit para dishepujve të tij, që Ungjilli i Gjonit e sjellë gjerësisht. Fjalimi i lamtumirës fillon me fjalë ngushëllimi dhe premtimi: «Mos t’ju shqetësohet zemra!» (14,1); « Kur të shkoj e t’ju përgatis vendin, do të vij prapë e do t’ju marr tek unë, që aty ku jam unë, të jeni edhe ju» (14,3). Fjalë të bukura, këto, prej anës së Zotit.

Pak më parë, Jezusi i kishte thënë Pjetrit: «më vonë do të më ndjekësh» (13,36), duke i kujtuar atij kalimin përmes brishtësisë së besimit të tij. Koha e jetës që mbetet për dishepujt do të jetë, në mënyrë të pashmangshme, një kalim përmes brishtësisë së dëshmisë dhe përmes sfidave të vëllazërisë. Por, do të jetë gjithashtu, një kalim përmes bekimeve entuziazmuese të fesë: «Kush beson në mua, veprat që i bëj unë edhe ai do t’i bëjë. Madje do të bëjë edhe më të mëdha se këto» (14,12). Mendoni se çfarë premtimi është ky! Nuk e di nëse e mendojmë plotësisht, nëse e besojmë plotësisht! Nuk e di, ndonjëherë mendoj se jo…

Pleqëria është koha e përshtatshme për dëshminë e përmalluar dhe të gëzueshme të kësaj pritjeje. I moshuari dhe e moshuara është në pritje, në pritje të një takimi. Në pleqëri, veprat e fesë, që na afrojnë ne dhe të tjerët më pranë mbretërisë së Hyjit, tani janë përtej fuqisë së energjive, fjalëve, hoveve të rinisë dhe pjekurisë. Porse pikërisht në këtë mënyrë ata e bëjnë edhe më transparent premtimin e cakut të vërtetë të jetës. Dhe cili është caku i vërtetë i jetës? Një vend në tryezë me Hyjin, në botën e Hyjit. Do të ishte interesante të shihje nëse në Kishat vendore ka ndonjë referim specifik, në funksion të ripërtëritjes së kësaj shërbesë të veçantë të pritjes së Zotit – është një shërbesë, shërbesa e pritjes së Zotit – duke inkurajuar karizmat individuale dhe cilësitë bashkësiore të personit të moshuar.

Një pleqëri që konsumohet në shkurajimin e mundësive të humbura, sjell shkurajim për veten dhe për të gjithë. Ndërsa, pleqëria e jetuar me ëmbëlsi, e jetuar në respekt për jetën reale zgjidh përfundimisht ekuivokun e një fuqie që duhet të jetë e mjaftueshme për veten dhe për suksesin e saj. Madje, zgjidh ekuivokun e një Kishe që përshtatet me gjendjen mondane, duke menduar kështu të qeverisë përfundimisht përsosmërinë dhe përmbushjen. Kur çlirohemi nga kjo mendjemadhësi, koha e plakjes që Hyji na dhuron është tashmë në vetvete një nga ato veprat “më të mëdha” për të cilat flet Jezusi. Në të vërtetë, është një vepër që Jezusit nuk i qe dhënë ta bënte: vdekja e tij, ngjallja dhe ngjitja e tij në Qiell e bënë të mundur për ne! Le të kujtojmë se “koha është më e madhe se hapësira”. Është ligji i hyrjes [fillestare]. Jeta jonë nuk është bërë për t’u mbyllur në vetvete, në një përsosmëri tokësore imagjinare: ajo është e caktuar të shkojë përtej, përmes kalimit të vdekjes – sepse vdekja është një kalim. Njëmend, vendi ynë i qëndrueshëm, pika jonë e mbërritjes nuk është këtu, është pranë Zotit, ku Ai banon përgjithmonë.

Këtu, mbi tokë, fillon procesi i “rishtarisë” [noviciatit] sonë: ne jemi nxënës të jetës, të cilët – mes njëmijë vështirësive – mësojmë të çmojmë dhuratën e Hyjit, duke nderuar përgjegjësinë për ta bashkëndarë atë dhe për ta bërë të japë fryte për të gjithë. Koha e jetës mbi tokë është hiri i këtij kalimi. Vetëbesimi i tepruar për të ndalur kohën – dashja e rinisë së përjetshme, e mirëqenies pakufi, e pushtetin absolut – jo vetëm që është e pamundur, por është edhe dalldisje.

Ekzistenca jonë mbi tokë është koha e hyrjes [fillestare] në jetë: është jetë, por që të çon përpara drejt një jete më të plotë, hyrja në jetën më të plotë; një jetë që gjen përmbushje vetëm në Hyjin. Ne jemi të papërsosur që në fillim dhe mbetemi të papërsosur deri në fund. Në përmbushjen e premtimit të Hyjit, marrëdhënia kthehet në të kundërt: hapësira e Hyjit, të cilën Jezusi e përgatit për ne me plot kujdes, është më e madhe se koha e jetës sonë të vdekshme. Ja: pleqëria afron shpresën e kësaj përmbushjeje. Tashmë, pleqëria e njeh përfundimisht vështrimin e kohës dhe kufizimet e vendit ku ne jetojmë hyrjen tonë [fillestare]. 

Pleqëria është e urtë për këtë gjë: të moshuarit janë të urtë për këtë gjë. Për këtë arsye ajo është e besueshme kur na fton të gëzohemi për kalimin e kohës: nuk është kërcënim, është një premtim. Pleqëria është fisnike, nuk ka nevojë të bëjë makijazh për të treguar fisnikërinë e saj. Ndoshta makijazhi bëhet kur mungon fisnikëria. Pleqëria është e besueshme kur na fton të gëzohemi për kalimin e kohës: por koha kalon dhe ky fakt nuk është kërcënim, është premtim. Pleqëria që rigjen thellësinë e shikimit të fesë, nuk është konservatore nga natyra e saj, siç thonë! Bota e Hyjit është një hapësirë e pafundme, në të cilën kalimi i kohës nuk ka më peshë. Dhe pikërisht në Darkën e Fundit, Jezusi u projektua drejt kësaj pikarritjeje kur u tha dishepujve të vet: «Që tani nuk do të pi më kësi fryti hardhie deri atë ditë, kur, bashkë me ju, do të pi – një verë të re – në Mbretërinë e Atit tim». (Mt 26,29). Ai shkoi përtej. Në predikimin tonë, Parajsa paraqitet shpeshherë, me të drejtë, plot lumni, dritë, dashuri. Ndoshta i mungon pak jeta. Jezusi, në shëmbëlltyrat e tij, fliste për mbretërinë e Hyjit duke vendosur aty më shumë jetë. A nuk jemi ne më shumë të zot për këtë, kur flasim për jetën që vazhdon?

Të dashur vëllezër dhe motra, pleqëria, e jetuar në pritje të Zotit, mund të bëhet “apologjia” e plotë e fesë, e cila i jep të gjithëve një arsye për shpresën që kemi për të gjithë (krh. 1 Pjt3,15). Sepse pleqëria e bën premtimin e Jezusit transparent, duke e projektuar veten drejt Qytetit të shenjtë për të cilin flet libri i Zbulesës (kapitujt 21-22). Pleqëria është faza më e përshtatshme e jetës për të përhapur lajmin e gëzueshëm që jeta është një hyrje [fillestare] për një përmbushje përfundimtare. Të vjetrit janë një premtim, një dëshmi premtimi. Dhe më e mira nuk ka ardhur ende. Më e mira duhet ende të vijë: është si mesazhi i të moshuarit dhe moshuarës, besimtarë, më e mira duhet ende të vijë. Hyji na e dhëntë të gjithëve një pleqëri të aftë për këtë gjë!

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme