Jo “fjalime pa fund” e as teori “si duhet të jetë” teologjia e meshtarisë, por “katër afërsi”: me Zotin, me ipeshkvin, me meshtarët e tjerë e me popullin. Sipas Papa Françesku, këto janë shtyllat, që e ndihmojnë meshtarin t’i jetojë kushtet e premtimet, që ka bërë në çastin e shugurimit. Ati i Shenjtë hapi sot (17 shkurt) simpoziumin “Për një teologji themelore të meshtarisë”, organizuar nga Kongregata për Ipeshkvijtë, në Sallën Pali VI, në Vatikan.
Afërsi, që i japin mundësi meshtarit të mos jetojë “si beqar”
Logjika e afërsive, nënvizoi Papa, i jep mundësinë meshtarit të mos mbyllet në vetvete, të mos bëjë një jetë beqari, t’u bëjë ballë tensioneve dhe çekuilibrimeve të jetës së përditshme pa frikë, duke realizuar plotësisht misionin e tij. Është dhuratë e Zotit për të mbajtur gjallë thirrjen e zanafillës. Papa Françesku kujtoi përvojën e tij në konktakt me meshtarë të ndryshëm, që, në disa raste, e kishin humbur disi entuziazmin e parë, ose jetonin çaste sprove e dëshpërimi.
Në këto raste, Ati i Shenjtë nënvizoi se zgjidhja gjendet në realitetin konkret, pa u kthyer në të kaluarën e pa u fshehur në një të ardhme më optimiste, që nuk mund të mbërrijë, pa përballuar problemet e së tashmes. Duhet kuptuar gjithnjë çfarë kërkon Zoti nga çdo meshtar, theksoi Papa. Në këtë këndvështrim, vuri në dukje se thirrjet e vërteta për meshtari lindin në ato bashkësi, që e jetojnë fenë e vëllazërimin ndërmjet anëtarëve. E këto thirrje u qëndrojnë vështirësive, sidomos aty ku bashkësia lutet për meshtarët e vet dhe ka guximin t’u propozojë të rinjve udhën për t’iu kushtuar krejtësisht Zotit. Ati i Shenjtë kërkoi që secili ta kujtojë gjatë jetës thirrjen e vet, e cila, mbi bazën e historisë personale, duhet ta nxisë çdo kandidat për meshtar të vërë në jetë atë potencial Dashurie, që secili prej nesh merr në ditën e Pagëzimit.
Afërsia me Zotin
Duke folur për afërsinë me Zotin, e domosdoshme për çdo prift, Papa Françesku theksoi se kontakti me Fjalën e Tij e bën çdo meshtar ta konfrontojë jetën me atë të Jezu Krishtit e të mbrohet nga “shkandujt”. E këshilloi çdo prift të lutet, pasi shpesh, krizat e jetës meshtarake vijnë pikërisht nga mungesa e këtij intimiteti me Hyjin e nga reduktimi i jetës shpirtërore në praktikë të thjeshtë fetare. Pa Fjalën e Zotit, pa kremtimin eukaristik, pa heshtjen e adhurimit, sakramentin e Pajtimit, udhëheqjen shpirtërore e ndihmën e Zojës së Bekuar, meshtari, pohoi Papa, është “vetëm një punëtor i lodhur, që nuk gëzon të mirat e miqësisë me Hyjin”. Ati i Shenjtë këshilloi të hiqet dorë nga aktivizmi i tepruar, të caktohen çaste heshtjeje gjatë ditës, për të dëgjuar zërin e Zotit e për ta shqyrtuar veten me sinqeritet, edhe kur kjo të çon në shkretëtirë, duke e ndierë deri në fund dhimbjen e popullit:
“Meshtari duhet ta ketë zemrën mjaft ‘të gjerë’ për t’i lënë hapësirë dhimbjes së popullit, që i është besuar e, njëkohësisht, si rojtar i mirë, të lajmërojë aurorën e Hirit të Tënzot, që duket pikërisht në atë dhimbje”.
Vetëm kështu, nënvizoi Papa, prifti do të jetë në gjendje t’i ngjajë zemrës së Krishtit.
Afërsia me ipeshkvin
Afërsia tjetër, që vuri në dukje Papa Françesku, është ajo me ipeshkvin, të cilit vërtet duhet t’i bindet çdo meshtar, por në një qëndrim dëgjimi e shoshitjeje të ndërsjellë, mbi bazën e Ungjillit.
“Kjo kërkon, domosdoshmërisht, që meshtarët të luten për ipeshkvijtë e të dinë ta shprehin mendimin e tyre me respekt e sinqeritet. Po ashtu, u kërkon ipeshkvijve përvujtëri, aftësi për të dëgjuar, për të bërë autokritikë e për të lejuar t’i ndihmojnë. Nëse e mbrojmë këtë lidhje, do të ecim të sigurt në udhën tonë”.
Afërsia me meshtarët e tjerë
Afërsia e tretë, ajo ndërmjet meshtarëve, sipas Atit të Shenjtë, shprehet përmes vëllazërimit. Papa përmendi kreun 13 të Letrës së parë të Shën Palit drejtuar Korintasve, ku theksohet aftësia për ta ndierë përgjegjësinë ndaj të tjerëve, duke bartur problemet e tyre, pa zili, pa kërkuar interesin personal, por duke u gëzuar për të mirat, që u ndodhin. Vëllazërimi, nënvizoi Françesku, nuk është utopi, por palestër për shpirtin dhe i ndihmon meshtarët të jetojnë edhe celibatin, i cili është dhuratë, që duhet jetuar me shenjtëri, por ka nevojë për marrëdhënie të shëndosha, për vlerësim të vërtetë, duke ua dashur të mirën sivëllezërve:
“Guxoj të them se aty ku funksionon vëllazërimi meshtarak e ku lidhjet janë miqësi e vërtetë, është e mundur të jetohet me më tepër qetësi edhe kushti i celibatit”.
Afërsia me popullin
Afërsia e fundit, që vuri në dukje Papa, në fillim të simpoziumit mbi meshtarinë, është ajo me “Popullin Shenjt të Zotit”. Vendi i çdo meshtari, nënvizoi Françesku, është “në mes të njerëzve”, duke parë Jezu Krishtin në ta. Biri i Zotit, vërejti Ati i Shenjtë, dëshiron që meshtarët ta prekin me dorë mjerimin njerëzor, ta njohin “forcën e dhembshurisë”, t’i shohin plagët e familjeve, pasojat e dhunës, të korrupsionit e të indiferencës.
“Është thelbësore të kujtojmë se Populli i Zotit shpreson të gjejë barinj me stilin e Jezusit – dhe jo ‘klerikë shtetërorë’, ose ‘profesionistë kishtarë’ – barinj që dinë ç’është dhembshuria, mundësitë; njerëz të guximshëm, të aftë për t’u ndalur para të vuajturve e për t’u shtrirë dorën; njerëz kundrues të Hyjit, të cilët, në afërsinë me popullin, mund të kumtojnë se mbi plagët e botës vepron forca e Ringjalljes”.
Afërsia e bariut favorizon ndjenjën e përkatësisë së besimtarëve në Popullin e Zotit e, nga ana tjetër, e ndihmon meshtarin të mos harrojë se jeta e tij është në shërbim të të tjerëve e të Hyjit, pra, t’i largohet klerikalizmit. Papa Françesku e quajti klerikalizmin perversion, madje, edhe klerikalizmin e laikëve, që promovojnë një lloj elite të vogël rreth meshtarit, duke e shpërfytyruar misionin themelor të tij.
Duke i nxitur meshtarët dhe ipeshkvijtë ta pyesin veten si i zbatojnë në jetë këto katër afërsi, Papa nënvizoi se ato nuk janë detyra të reja, por dhurata të Zotit, që Ai i Lumi ua bën për ta mbajtur të gjallë e të frytshme thirrjen e zanafillës, zjarrin e misionit. Janë afërsi me stilin e Hyjit, i cili na qëndron pranë me dhembshuri e butësi, përfundoi Ati i Shenjtë fjalën e tij në Simpoziumin për meshtarinë, që do të vijojë deri të shtunën.
Marrë nga Radio Vatikani