15.5 C
Tirana
HomeKryesorPapa Françesku: Hipokrizia rrezikon unitetin e Kishës
HomeKryesorPapa Françesku: Hipokrizia rrezikon unitetin e Kishës

Papa Françesku: Hipokrizia rrezikon unitetin e Kishës

Në Audiencën e Përgjithshme të kësaj mërkurëje (25.08.21), Papa Françesku paralajmëron për një lloj “formalizmi” i cili mund të çojë në hipokrizi, dhe nga ana tjetër kërcënon unitetin e Kishës.

Audienca e Përgjithshme:

Katekeza mbi Letrën drejtuar Galatasve – 6. Rreziqet e Ligjit

Vëllezër e motra, mirëdita!

Letra drejtuar Galatasve sjell një fakt mjaft befasues. Siç kemi dëgjuar, Pali thotë se e ka qortuar Kefën, domethënë Pjetrin, para bashkësisë së Antiokisë, sepse sjellja e tij nuk ishte e mirë. Çfarë kishte ndodhur me aq peshë saqë e detyroi Palin t’i drejtohej Pjetrit me fjalë të forta? A thua Pali e ka tepruar, i lëshoi shumë pe karakterit të tij pa ditur se si të përmbahet? Ne do të shohim se nuk është kështu, por që, edhe një herë, është në lojë marrëdhënia midis Ligjit dhe lirisë. E ne duhet të kthehemi në këtë pikë shumë herë.

Duke u shkruar Galatasve, Pali e përmend qëllimisht këtë episod që kishte ndodhur në Antioki vite më parë. Ai ka për synim t’u kujtojë të krishterëve të atyre bashkësive që ata nuk duhet t’i dëgjojnë në asnjë mënyrë ata që predikojnë domosdoshmërinë për t’u rrethprerë dhe prandaj të bien “nën Ligjin” dhe të gjitha rregulloret e tij. Le të kujtojmë se janë këta predikues fondamentalistë që vajtën atje dhe krijuan pështjellim dhe gjithashtu ia hoqën paqen asaj bashkësie. Objekti i kritikës kundrejt Pjetrit ishte sjellja e tij në pjesëmarrjen në tryezë. Për një hebre, Ligji e ndalonte marrjen e vakteve me jo-hebrenj. Porse vetë Pjetri, në një rrethanë tjetër, kishte shkuar në Cezare në shtëpinë e centurionit, Kornelit, edhe pse e dinte që po shkelte Ligjin. Atëherë pohoi: «Hyji më mësoi se s’është e lejueshme të quhet i ndytë ose i papastër asnjë njeri» (Vap 10,28). Si u kthye në Jerusalem, të krishterët e rrethprerë, besnikë ndaj Ligjit të Moisiut, e qortuan Pjetrin për këtë sjellje të tij, por ai u përligj duke thënë: «Atëherë m’u kujtua fjala e Zotërisë: “Gjoni ka pagëzuar me ujë, ndërsa ju do të pagëzoheni me Shpirtin Shenjt”. Nëse, pra, Hyji u dha atyre të njëjtën dhuratë sikurse neve kur e pranuam besimin në Jezu Krishtin Zot, kush isha unë për të penguar Hyjin?» (Vap 11,16-17). Le ta kujtojmë se Shpirti Shenjt erdhi në shtëpinë e Kornelit në momentin kur Pjetri shkoi atje.

Një ngjarje e ngjashme kishte ndodhur edhe në Antioki në prani të Palit. Më parë, Pjetri rrinte në tryezë pa ndonjë zor me të krishterët e ardhur nga paganizmi; megjithatë, kur disa të krishterë të rrethprerë nga Jerusalemi mbërritën në qytet – ata që vinin nga judaizmi – ai nuk veproi më ashtu, për të mos u përballur me kritikat e tyre. Ky është gabimi: ai ishte më i vëmendshëm ndaj kritikave, për të dalë faqelarë. Kjo gjë ishte e rëndë në sytë e Palit, edhe për faktin se shembullin e Pjetrit e ndiqnin edhe dishepujt e tjerë, i pari ndër të cilët ishte Barnaba, i cili bashkë me Palin kishte ungjillëzuar pikërisht Galatasit (krh. Gal 2,13). Pa dashur, Pjetri, me atë mënyrë të vepruari – pak ashtu e pak kështu … jo i qartë, jo transparent – në të vërtetë krijonte një ndarje të padrejtë në bashkësi: “Unë jam i pastër … Unë shkoj në këtë drejtim, unë duhet të eci kështu, kjo nuk mund të bëhet …”.

Pali, në qortimin e tij – dhe këtu është thelbi i problemit – përdor një term që na lejon të hyjmë në zemër të reagimit të tij: hipokrizia (krh. Gal 2,13). Kjo është një fjalë që do ta ndeshim shumë herë: hipokrizia. Jam i mendimit se të gjithë e kuptojmë se çfarë do të thotë. Zbatimi i Ligjit prej anës së të krishterëve çonte te kjo sjellje hipokrite, të cilën apostulli ka ndërmend ta luftojë me forcë dhe bindje. Pali ishte i drejtë, kishte të metat e veta – shumë, karakteri i tij ishte i tmerrshëm – por ishte i drejtë. Çfarë është hipokrizia? Kur themi: bëni kujdes sepse ai është hipokrit: çfarë duam të themi? Çfarë është hipokrizia? Mund të thuhet se është frika për të vërtetën. Hipokriti ka frikë nga e vërteta. Parapëlqehet më shumë shtirja sesa të qenurit vetvetja. Është njësoj si t’i bësh makijazh shpirtit, si t’i falsifikosh qëndrimet, si të fshihesh në mënyrën e të vepruarit: nuk është e vërteta. “Kam frikë të vazhdoj ashtu siç jam dhe grimohem me këto qëndrime”. E shtirja e pengon guximin për të thënë të vërtetën haptazi dhe kështu tërhiqemi lehtë para detyrimit për ta thënë atë gjithmonë, kudo dhe pavarësisht gjithçkaje. Shtirja të çon te kjo pikë: te gjysmë të vërtetat. Dhe gjysmë të vërtetat janë një shtirje: sepse e vërteta është e vërtetë ose nuk është e tillë. Porse gjysmë të vërtetat janë kjo mënyrë e të vepruarit jo të njëmendë. Dikush parapëlqen, siç thashë, të shtiret më shumë sesa të jetë vetvetja, dhe shtirja e pengon guximin për ta thënë të vërtetën hapur. Në këtë mënyrë ne shmangim detyrimin për ta thënë gjithmonë të vërtetën – dhe ky është një urdhërim -, ta themi atë kudo dhe ta themi pavarësisht gjithçkaje. Në një mjedis ku marrëdhëniet ndërpersonale jetohen nën parimin e formalizmit, virusi i hipokrizisë përhapet lehtësisht. Ajo buzëqeshje që nuk vjen nga zemra, që përpiqesh të jesh mirë me të gjithë, por në fakt me askënd…

Në Bibël ka disa shembuj me të cilët luftohet hipokrizia. Një dëshmi e mirë për të luftuar hipokrizinë është ajo e plakut Eleazar, të cilit iu kërkua të shtirej sikur po hante mishin e sakrifikuar hyjnive pagane për të shpëtuar jetën e tij: të bënte sikur e hante, por pa e ngrënë vërtetë. Ose të shtirej sikur po hante mish derri, ndërkohë që miqtë e tij ia kishin përgatitur një tjetër. Por ai burrë që i druhej Hyjit u përgjigj: «Moshës sonë […] s’i ka hije të shtihet, kështu që shumë të rinj të mendojnë se Eleazari nëntëdhjetë vjeç ka përqafuar doket e të huajve. E, ata, për shkak të shtiratjes sime, për të fituar pak ditë të shkurtra të jetës sime, të birren për shkakun tim e unë kështu tash pleqërisë sime t’ia ngjes dangën e çnderimit» (2 Mak 6,24-25). I ndershëm: nuk i bie rrugës së hipokrizisë. Sa faqe e bukur për të reflektuar mbi të, për t’u larguar nga hipokrizia! Ungjijtë gjithashtu sjellin situata të ndryshme në të cilat Jezusi i qorton fuqishëm ata që duken të drejtë nga jashtë, por nga brenda janë plot me hipokrizi dhe padrejtësi (krh. Mt 23,13-29). Nëse sot keni pak kohë, merrni kapitullin 23 të Ungjillit të shën Mateut dhe vëreni se sa herë Jezusi thotë: “hipokritë, hipokritë, hipokritë” dhe si e zbulon se çfarë është hipokrizia.

Hipokriti është një person që shtiret, lajkatohet dhe mashtron sepse jeton me një maskë në fytyrë, dhe nuk ka guximin të ballafaqohet me të vërtetën. Për këtë arsye, ai nuk është i aftë të dashurojë përnjëmend – një hipokrit nuk di të dashurojë – ai kufizohet të jetojë prej egoizmit dhe nuk ka forcën për ta shfaqur zemrën e tij në mënyrë transparente. Ka shumë situata në të cilat mund të ndeshet hipokrizia. Ajo shpesh fshihet në vendin e punës, ku njerëzit përpiqen të shfaqet miq me kolegët ndërsa konkurrenca u qëndron pas shpatullave. Në politikë nuk është e pazakontë të gjesh hipokritë që jetojnë një dyzim midis jetës publike dhe asaj private. Hipokrizia në Kishë është veçanërisht e neveritshme dhe, për fat të keq, ka hipokrizi në Kishë, dhe ka shumë të krishterë dhe shumë mbarështues hipokritë. Ne nuk duhet asnjëherë t’i heqim nga mendja fjalët e Zotit: «Fjala juaj le të jetë: po, po; jo, jo! Çkado që është më tepër se kaq, vjen prej Qoftëlargut» (Mt 5,37). Vëllezër dhe motra, le të mendojmë sot për atë që Pali dënon dhe atë që Jezusi dënon: hipokrizinë. E mos të kemi frikë që të jemi njerëz të vërtetë, të themi të vërtetën, të dëgjojmë të vërtetën, të përtrajtësohemi me të vërtetën. Kështu ne mund të duam. Një hipokrit nuk di të dashurojë. Të veprosh ndryshe nga e vërteta do të thotë të rrezikosh unitetin në Kishë, atë për të cilin vetë Zoti u lut.

Marrë nga Vatican.Va

Mond MARKU

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme