11.5 C
Tirana
HomeJeta e KishësPapa Françesku hap Portën e Shenjtë: Nis Jubileu Çelestinian
HomeJeta e KishësPapa Françesku hap Portën e Shenjtë: Nis Jubileu Çelestinian

Papa Françesku hap Portën e Shenjtë: Nis Jubileu Çelestinian

Nisi sot, në L’Aquila, Ndjesa e Çelestinit V. Ati i Shenjtë Françesku është Papa i parë që kryeson ritin në bazilikën e Santa Maria di Collemaggio-s, me të cilin nisi edhe Ndjesa. Ishte tingulli i mprehtë i borive ai, që shpalli fillimin e Jubileut Çelestinian. I dukshëm, emocioni i besimtarëve dhe shtegtarëve, mbledhur rreth Bazilikës së Collemaggio në L’Aquila, ku pas një mëngjesi të hirtë, dielli grisi pëlhurën e reve dhe u duk përsëri në qiell, si të donte të sodiste edhe ai mrekullinë e Ndjesës. Të pranishëm, edhe disa të burgosur nga burgjet e Abruzos, si edhe ata që donin të shijonin përqafimin me Zotin, domethënë, Ndjesën e Atit.

Françesku, Papa i parë që hap Portën Shenjte, i mbështjellë me mantelin e bardhë, troket mbi drurin e lashtë tri herë, me një degë ulliri, që ia dorëzon qytetari i parë i L’Aquilas. Troket, e horizonti i mëshirës u hapet sakaq besimtarëve. Në fytyrat e shatë mijë njerëzve, të grumbulluar në livadhin Collemaggios – lexohet gëzimi për ngjarjen e madhe historike. E kënaqësia e thellë, që Çelestini V u dha më 1294 atyre që, me zemër të penduar, do të shkonin çdo vit nga lutjet e  Mbrëmësores së 28 gushtit – në ato të së nesërmes – ripërtrihet.

Papa kapërcen pragun e portës dhe hyn në Bazilikë

Lutja e Papës për përtëritjen e Kishës

Riti i hapjes së Ndjesës Çelestiniane të 728-të nis me Litanitë e Shenjtorëve, që e shoqërojnë procesionin me Papën, Kryeipeshkvin e L’Aquilas, kardinalin Giuseppe Petrocchi, bashkëkremtuesit e tjerë dhe kryetarin e bashkisë së qytetit, Pierluigi Biondi. Pastaj kardinali Petrocchi jep shenjën për të filluar ritin pendestar me ndjesën e Shën Pjetër Çelestinit – dhënë me bulën Inter sanctorum solemnia – rinovuar nga pasardhësit e tij.

Pastaj lutja solemne e Papës drejtuar “Zotit të Abrahamit, Isakut dhe Jakobit, të pasur në mëshirë dhe të madh në dashuri”, në mënyrë që Kisha “të ketë gëzimin e përtëritjes shpirtërore nëpërmjet veprës së Shpirtit Shenjt dhe të ecë duke mbetur në mes të botës shenjë shpëtimi dhe shpengimi”. Të Gjithëpushtetshmit Papa i drejtoi lutjen për të “hapur plotësisht portën e mëshirës së Tij, e, një ditë, edhe të banesës së Tij në qiell, ku na parapriu Jezusi.

Më pas Papa Françesku i lartoi Zoti lutjen: “Jepu, të lutemi, të gjithë atyre që, me përkushtim të përtërirë dhe besim të patundur, do ta kalojnë këtë prag, shpëtimin që vjen prej Teje dhe të çon tek Ti” – përfundoi Papa. Pastaj shpallja solemne: “Do të hyj në shtëpinë tënde, o Zot”.

Porta e Shenjtë dhe përqafimi i mëshirës

Porta e Shenjtë hapet në të dy kanatat: figura e Françeskut, vetëm në prag, bie në sy në mënyrë të habitshme në hyrjen anësore të Bazilikës së Collemaggio-s. E atëhere shpërthen gëzimi! Këndohet kënga “Tollite portas”. E tani kushdo mund të marrë ndjesën e plotë, si të ketë plotësuar kushtet.

Homazh për Çelestinin V

Duke hyrë në vendin e adhurimit, krijuar sipas dëshirës së Pietro da Morrone, Papa Bergoglio kryen aktin e fundit të ritit të hapjes së Ndjesës. Udhëhiqet, gjithnjë në karrocë, në mauzoleumin e Çelestinit V. Këtu ruhet trupi i vetmitarit të madh, Pietro da Morrone që u bë Papë, veshur me petkat papnore dhe me paliumin e dhuruar nga Benedikti XVI. Në kapelën e mauzoleut, me këtë rast, ekspozohet edhe Bula e Faljes, mbajtur në një relikuar. Edhe këtu Papa Françesku ndalon për një lutje të shkurtër, ende në heshtje.

Papa në Bazilikë, në Mauzoleumin e Çelestinit V

Lamtumira qytetit të L’Aquila-s


Para se të largohej nga Bazilika e Collemaggio, Papa Françesku bisedoi me kardinalin Petrocchi, i cili ndalua tek disa hollësira interesante të  mauzoleumit të Çelestinit V, i rrethuar edhe nga besimtarë të tjerë. Më pas Ati i Shenjtë përshëndeti autoritetet që morën pjesë në Meshë dhe në ritin e hapjes së Ndjesës. E, më në fund, gjithnjë me Cinquecenton e bardhë, Papa u nis për në fushën e sportit të kryeqytetit të Abruzzo-s prej nga, në orën 12.23, u nis me helikopter drejt Vatikanit.

Marrë nga (Radio Vatikani).

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme