Në një tweet me rastin e Ditës së sotme Ndërkombëtare për eliminimin e plotë të armëve bërthamore, Papa Françesku fton që në vend të kësaj të jepet mbështetje për zhvillimin e popujve
“Gara e armatimeve, përfshirë armët bërthamore, vazhdon të shpërdorojë burime të çmuara që do të përdoreshin më mirë në dobi të zhvillimit integral të popujve dhe për të mbrojtur mjedisin natyror”. Papa Françesku e shkruan këtë në një tweet në llogarinë e tij @Pontifex në Ditën e sotme Ndërkombëtare për eliminimin e plotë të armëve bërthamore.
Fjalët e Papës i bëjnë jehonë atyre të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së António Guterres i cili e ka shprehur gjithmonë mendimin e vet në Twitter. “Gati 14,000 armë bërthamore janë të ruajtura në të gjithë botën. Njerëzimi gjendet në mënyrë të papranueshme pranë asgjësimit bërthamor. Tani – pohohet në rekomandimin e tij – është koha për të hequr renë e konfliktit bërthamor përgjithmonë, për të eliminuar armët bërthamore nga bota jonë dhe për të krijuar një epokë të re mirëbesimi dhe paqeje”.
Një botë pa armë bërthamore
Në audiencën e përgjithshme të 20 janarit 2021, Françesku kishte bërë një apel të fortë për një botë pa armë bërthamore e cila lejon përparimin e paqes. Fjalët që ai i pati thënë dy ditë pas hyrjes në fuqi të Traktatit të miratuar në vitin 2017, e bëjnë përdorimin, kërcënimin, zotërimin dhe vendosjen e armëve atomike të paligjshme.
Unë i inkurajoj fuqimisht të gjitha shtetet dhe të gjithë njerëzit që të punojnë me vendosmëri për të promovuar kushtet e nevojshme për një botë pa armë bërthamore, duke kontribuar në përparimin e paqes dhe bashkëpunimit shumëpalësh, për të cilin njerëzimi ka aq shumë nevojë sot.
Që në fjalimin e tij në Memorialin e Paqes në Hiroshima më 24 nëntor 2019, Papa kishte theksuar fuqinë shkatërruese, efektin thërrmues të fuqisë bërthamore që lë pas vetes vetëm “hije dhe heshtje”, një “vrimë të zezë të shkatërrimit dhe vdekjes”. Nëse “duam me të vërtetë të ndërtojmë një shoqëri më të drejtë dhe më të sigurt”, qenë fjalët e tij të pohuara në zemër të Japonisë, “ne duhet t’i flakim armët prej duarve tona”.
Përkthyer nga Vatican News
Mond MARKU