13.5 C
Tirana
HomeKryesorPapa Françesku: Dëgjo zemrën, për të dalluar Zotin në jetën tënde 
HomeKryesorPapa Françesku: Dëgjo zemrën, për të dalluar Zotin në jetën tënde 

Papa Françesku: Dëgjo zemrën, për të dalluar Zotin në jetën tënde 

Papa Françesku zgjodhi përvojën e Injacit të Lojolës në katekizmin e tij të dytë kushtuar temës së shqyrtimit shpirtëror e për të shpjeguar konkretisht se si “Zoti punon përmes ngjarjeve të papritura e të pamenduara”. I ndjekur nga një turmë e pafundme, në një shesh që e ndiqte me shumë vëmendje fjalën e Papës, me vlerë për secilin prej nesh. Përpara se të  arrinte në tremen e Bazilikës së Vatikanit, Papa hipi disa fëmijë në papamobil e, së bashku me ta, bëri një rrotullim në Shesh, duke përshëndetur besimtarët. Më pas  përshkroi rrugën, që e nxiti Shën Injacin të zgjidhte jetën rregulltare, atë reflektim shpirtëror, përmes të cilit arriti në zgjedhjen e kësaj rruge:

“Aftësia për të shqyrtuar të ndihmon t’i dallosh shenjat, me të cilat Zoti të paralajmëron për takimin në situata të paparashikuara, madje edhe të pakëndshme, siç ishte plaga në këmbë të Injacit. Prej tyre mund të lindë një takim, që ta ndryshon jetën, përgjithmonë”.

AUDIENCA E PËRGJITHSHME

Katekezë mbi Dallimin: 2. Një shembull: Injaci i Lojolës

Të dashur vëllezër dhe motra, mirëdita!

Vazhdojmë reflektimin tonë mbi dallimin – në këtë kohë do të flasim çdo të mërkurë për dallimin shpirtëror – dhe për këtë mund të na ndihmojë referimi ndaj një dëshmie konkrete.

Një nga shembujt më udhëzues na ofrohet nga shën Injaci i Lojolës, me një episod vendimtar të jetës së tij. Injaci gjendet në shtëpinë ku po e rimerr veten, pasi u plagos në këmbë në betejë. Për të hequr qafe mërzinë, ai kërkon diçka për të lexuar. Atij i pëlqenin tregimet kalorësiake, por fatkeqësisht në shtëpi ka vetëm jetë shenjtërish. Me pak prishaqejf ai përshtatet, por gjatë leximit fillon të zbulojë një botë tjetër, një botë që e përfshin thellë dhe duket se konkurron me atë të kalorësve. Mbetet i magjepsur nga figura e shën Françeskut dhe shën Domenikut dhe ndjen dëshirën për t’u përngjarë atyre. Por edhe bota kalorësiake vazhdon të ushtrojë magjepsjen e vet mbi të. Dhe kështu ai ndjen brenda vetes këtë alternim mendimesh, ato të kalorësisë dhe ato të shenjtërve, që duken sikur janë të barasvlershme.

Mirëpo, Injaci gjithashtu fillon të vërejë dallime. Në autobiografinë e tij – në vetën e tretë – ai shkruan si më poshtë: «Duke menduar për gjërat e botës (dhe për gjërat kalorësiake, natyrisht), ai ndjente shumë kënaqësi, por kur, nga lodhja, i braktiste ato, u ndjente bosh dhe i zhgënjyer. Përkundrazi, shkuarja në Jerusalem zbathur, ngrënia veçse e barishteve, praktikimi i të gjitha gjërave të rrepta që për shenjtërit ishin të zakonshme, ishin mendime që jo vetëm se e ngushëllonin atë ndërsa qëndronte atje, por edhe pasi pushonte së lexuari e linin të kënaqur dhe plot gëzim». (nr. 8); i linin një gjurmë gëzimi.

Në këtë përvojë mund të vëmë në dukje, mbi të gjitha, dy aspekte. I pari është koha: domethënë mendimet e botës në fillim janë tërheqëse, por më pas humbasin shkëlqimin dhe të lënë bosh, të pakënaqur, të lënë si diçka bosh. Mendimet e Hyjit, përkundrazi, në fillim zgjojnë njëfarë rezistence – “A thua këtë gjëra të mërzitshme shenjtërish do të lexoj?!”, por kur i mirëpret ato të sjellin një paqe të panjohur, e cila zgjat për shumë kohë.

Këtu është aspekti tjetër: pika e mbërritjes së mendimeve. Në fillim situata nuk duket aq e qartë. Ekziston një zhvillim i dallimit: për shembull, ne kuptojmë se çfarë është e mirë për ne jo në një mënyrë abstrakte, të përgjithshme, por në rrugëtimin e jetës sonë. Në rregullat mbi dallimin, fryt i kësaj përvoje themelore, Injaci vendos një premisë të rëndësishme, e cila na ndihmon për ta kuptuar këtë proces: «Atyre që kalojnë nga një mëkat mortar në tjetrin, djalli zakonisht u propozon kënaqësitë e dukshme, duke i siguruar ata se çdo gjë shkon mirë, duke i bërë të imagjinojnë mirakandet dhe kënaqësitë sensuale, për t’i përqafuar ato më mirë dhe për t’i bërë [njerëzit] të rriten në veset dhe mëkatet e tyre. Me këto, shpirti i mirë përdor metodën e kundërt, duke nxitur vramjen e ndërgjegjes me anë të gjykimit të arsyes» (Ushtrime shpirtërore, 314); por kjo nuk është mirë.

Ka një histori që u paraprin atyre që bëjnë dallim, një histori që është thelbësore të njihet, sepse dallimi nuk është një lloj orakulli apo fatalizmi apo një gjë laboratori, si hedhja e shortit mbi dy mundësi. Pyetjet e mëdha lindin kur ne kemi bërë tashmë një pjesë të rrugës, dhe pikërisht në atë rrugë duhet të kthehemi për të kuptuar se çfarë jemi duke kërkuar. Nëse në jetë e bëjmë një copë rrugë, aty [pyesim]: “Po pse po ec në këtë drejtim, çfarë po kërkoj?”, dhe aty bëhet dallim. Injaci, kur gjendet i plagosur në shtëpinë e të atit, nuk mendonte fare për Zotin dhe as se si ta riformonte jetën e tij, jo. Ai e bën përvojën e tij të parë me Hyjin duke dëgjuar zemrën e tij, e cila i tregon atij një përmbysje kureshtare: gjërat në pamje të parë tërheqëse e lënë atë të zhgënjyer dhe në të tjerat, më pak brilante, ai ndjen një paqe që zgjat në kohë. Edhe ne e kemi këtë përvojë, shumë herë fillojmë të mendojmë për diçka dhe ngelemi aty dhe pastaj zhgënjehemi. Ndërsa kur ne bëjmë një vepër bamirësie, bëjmë një gjë të mirë dhe ndjejmë diçka si lumturi, një mendim i mirë vjen te ti dhe lumturia të troket, një gjë e gëzueshme; është përvojë e jona. Ai, Injaci, bën përvojën e parë me Hyjin, duke dëgjuar zemrën e tij, e cila i tregon atij një ndryshim kureshtar. Kjo është ajo që duhet të mësojmë: dëgjoni zemrën tuaj: për të ditur se çfarë ndodh, çfarë vendimi duhet marrë, për të pleqëruar në një situatë, duhet të dëgjoni zemrën tuaj. Ne dëgjojmë televizionin, radion, celularin, jemi mjeshtër të të dëgjuarit, por unë po të pyes: a di ta dëgjosh zemrën tënde? Ti ndalesh e thua: “Po si është zemra ime? Është e kënaqur, është e trishtuar, po kërkon diçka?”. Për të marrë vendime të mira, duhet të dëgjoni zemrën tuaj.

Për këtë arsye Injaci do të sugjerojë leximin e jetëve të shenjtërve, sepse ato tregojnë në mënyrë rrëfyese dhe të kuptueshme stilin e Hyjit në jetën e njerëzve, jo shumë të ndryshëm nga ne, sepse shenjtërit ishin prej mishi e gjaku si ne. Veprimet e tyre u flasin veprimeve tona dhe na ndihmojnë t’ua marrim kuptimin.

Në atë episod të famshëm të dy ndjenjave që kishte Injaci, njëra kur lexonte gjërat e kalorësve dhe tjetra kur lexonte jetën e shenjtërve, mund të shquajmë një aspekt tjetër të rëndësishëm të dallimit, të cilin e përmendëm herën e kaluar. Ekziston një rastësi, në dukje, në ngjarjet e jetës: gjithçka duket se lind nga një e papritur e rëndomtë: nuk kishte libra kalorësish, por vetëm jetë shenjtërish. Një e papritur [pengesë], por që përmban një pikë kthese të mundshme. Vetëm pas njëfarë kohe Injaci do ta vërejë atë gjë dhe në atë moment ai do t’i kushtojë gjithë vëmendjen e vet. Dëgjoni me kujdes: Hyji punon përmes ngjarjeve të pa programuara (ajo gjë e rastësishme, rastësisht më ndodhi mua kjo, rastësisht e takova këtë person, rastësisht e pashë këtë film, nuk ishte programuar, por Hyji punon përmes ngjarjeve të pa programuara), megjithëse paraqesin pengesa: “Më duhej të bëja një shëtitje dhe më doli një problem me këmbët, nuk mundem…”. E papritur: çfarë të thotë Hyji? Çfarë të thotë jeta aty? E kemi parë edhe në një pjesë nga Ungjilli i Mateut: një njeri që po lëron një arë rastësisht ndesh në një thesar të groposur. Një situatë krejtësisht e papritur. Por ajo që është e rëndësishme është se ai e njeh atë si hir të madh për jetën e tij dhe vendos në përputhje me rrethanat: shet gjithçka dhe e blen atë arë (krh. 13,44). Një këshillë po ju jap, jini të kujdesshëm ndaj gjërave të papritura. Ka asi që thonë: “këtë rastësi nuk e prisja”. Aty po të flet jeta, po të flet Zoti apo po të flet djalli? Dikush. Por është diçka mbi të cilën duhet bërë dallim, se si reagoj ndaj gjërave të papritura. Por unë isha aq i qetë në shtëpi dhe “pum, pum”, vjen vjehrra dhe si reagon me vjehrrën? Është dashuri apo është diçka tjetër brenda teje? Dhe bëni dallimin e duhur. Unë po punoja përsëmbari në zyrë dhe vjen një shok e më thotë se i duhen para; si ke reaguar? Shihni se çfarë ndodh kur përjetojmë gjëra që nuk i presim dhe aty mësojmë ta njohim zemrën tonë se si lëviz ajo.

Dallimi është ndihma për të njohur shenjat në të cilat Zoti lejon të takohet në situata të paparashikuara, madje edhe të pakëndshme, siç ishte për Injacin plaga në këmbë. Prej tyre mund të lindë një takim që ndryshon jetën, përgjithmonë, si në rastin e Injacit. Mund të lindë diçka që të bën të përmirësohesh në rrugëtimin tënd ose të përkeqësohesh nuk e di, por ki kujdes, filli më i bukur lidhës gjendet në gjërat e papritura: “si veproj përballë kësaj?”. Zoti na ndihmoftë për ta dëgjuar zemrën tonë dhe për të parë kur është Ai që vepron dhe kur nuk është Ai dhe është diçka tjetër.

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme