-0.5 C
Tirana
HomeJeta e KishësPapa Françesku: Aborti dhe eutanazia, një zakon shumë i shëmtuar për të...
HomeJeta e KishësPapa Françesku: Aborti dhe eutanazia, një zakon shumë i shëmtuar për të...

Papa Françesku: Aborti dhe eutanazia, një zakon shumë i shëmtuar për të vrarë

Mond MARKU

Papa Françesku pret në audiencë pjesëmarrësit e plenares së Akademisë Papnore për Jetën. Apeli në mënyrë që “të ekzistojë gjithmonë një sistem shëndetësor falas”: shëndetësia falas dhe e arritshme për të gjithë “ndihmon për të kapërcyer pabarazitë”. Pastaj ftesa për të luftuar kundër Covid-it, duke marrë parasysh shumë situata emergjente në botë: sëmundjet, varfëritë, kushtet e pasigurta shëndetësore që shkaktojnë çdo vit “mijëra vdekje të shmangshme”.

Nuk është vetëm Covid-i me rraskapitjen e përgjithshme që ka shkaktuar në të gjithë botën. Ka edhe vende ku pasiguria e shëndetit është në rendin e ditës, ku mbretërojnë padrejtësitë dhe pabarazitë, ku mungon ushqimi dhe uji i pijshëm, ku njerëzit vdesin nga kushtet higjieno-sanitare që gjenden në skajet e të nevojshmes. Dhe ekziston ajo “kulturë skartuese” mbizotëruese që çon në “skartimin” e fëmijëve dhe të moshuarve, e kaluara dhe e ardhmja e një shoqërie. Fjalimi i Papës drejtuar pjesëmarrësve në plenaren e Akademisë Papnore për Jetën, kushtuar temës “Shëndeti publik në një perspektivë globale. Pandemia, bioetika, e ardhmja”, është një ftesë për të zgjeruar shikimin drejt vuajtjeve të botës.

Të dëgjojmë thirrjen e tokës dhe të varfërve

Françesku shpalos fjalimin e tij duke filluar nga përvoja e pandemisë:

Kriza pandemike ka bërë që të kumbojë edhe më fort qoftë britma e tokës qoftë ajo e të varfërve. Ne nuk mund të jemi të shurdhër ndaj kësaj britme të dyfishtë, duhet ta dëgjojmë mirë!

Aborti është vrasje

Kësaj britme, Papa i shton atë të shumë “viktimave të kulturës së skartimit”: “Ne jemi viktima të kulturës së skartimit”, pohon ai, duke u shprehur me fjalë të pashkruara në fjalimin e tij. “Ekziston hedhja e fëmijëve që nuk duam t’i marrim, me atë ligj aborti që i dërgon ata tek dërguesi dhe i vret drejtpërdrejt. Sot, kjo është bërë një mënyrë “normale”, një zakon që është shumë i shëmtuar, që është vrasje e mirëfilltë”. Françesku parashtron përsëri “pyetjen e dyfishtë” të bërë tashmë për gazetarët në fluturimin e kthimit nga Sllovakia:

A është e drejtë të marrësh një jetë njerëzore për të zgjidhur një problem? A është e drejtë të punësosh një vrasës me pagesë për të zgjidhur një problem?

Të moshuarit, mbeturina për t’u hedhur

Pas fëmijëve, janë të moshuarit të cilët, thotë Françesku, “çmohen disi si materiale për t’u hedhur, sepse nuk janë më të nevojshëm”. Por, në fakt, “ata janë mençuri, ato janë rrënjët e urtisë së qytetërimit tonë dhe, ky qytetërim, i hedh ata”. Kundër tyre shkon ajo që Papa e quan “eutanazia e fshehtë”:

“Ilaçet janë të shtrenjta dhe jepen vetëm gjysma. Dhe kjo do të thotë të shkurtosh jetën e të moshuarve”.

“Me këtë – pohon ai – ne mohojmë shpresën: shpresën e fëmijëve që na sjellin jetën që na bën të ecim para dhe shpresën që është te rrënjët, që na japin të moshuarit. Ne i hedhim të dyja. Dhe pastaj vjen ai skartim i të përditshmes, që është jeta e flakur”.

“Duhet të jemi të kujdesshëm ndaj kësaj kulture”, paralajmëron Papa, ende me fjalë të thëna aty për aty. “Nuk është problem i ndonjë ligji apo i një tjetri, është një problem i skartimit. Dhe në këtë pikë “ju akademikë, universitete katolike dhe madje edhe spitale katolike nuk mund t’ia lejoni vetes. Është një rrugë të cilës nuk mund t’i biem, rruga e skartimit”.

Fenomene të ndërlidhura

Duke parë këtë skenar kompleks, Papa na fton të “kuptojmë dhe të marrim me përgjegjësi ndërlidhjen midis fenomeneve”, në mënyrë që të vëzhgojmë “sesi edhe kushtet e jetesës, të cilat janë rezultat i zgjedhjeve politike, sociale dhe mjedisore, shkaktojnë një ndikim në shëndetin e qenieve njerëzore”. Mjafton të shqyrtohet “jetëgjatësia dhe jeta e shëndetshme” në vende dhe grupe të ndryshme shoqërore për të zbuluar “pabarazi të forta” që varen nga variabla të tillë si “niveli i pagës, kualifikimi, lagjja e vendbanimit megjithëse në të njëjtin qytet”.

Ne pohojmë se jeta dhe shëndeti janë vlera njësoj themelore për të gjithë, bazuar në dinjitetin e patjetërsueshëm të personit njerëzor. Por, nëse ky pohim nuk ndjek angazhimin adekuat për të kapërcyer pabarazitë, ne, në konkretësi, pranojmë realitetin e dhimbshëm se jo të gjitha jetët janë të njëjta dhe shëndeti nuk mbrohet për të gjithë në të njëjtën mënyrë.

Kujdesi shëndetësor falas për të gjithë

Këtu Papa përsërit “brengën” e tij, në mënyrë që “të ketë gjithmonë një sistem shëndetësor falas: mos i humbisni nga sytë vendet që e kanë atë, për shembull Italia dhe të tjerët, të cilët kanë një sistem të mirë shëndetësor falas, shikojini ato, sepse në të kundërt, do të përfundojmë në atë pikë saqë vetëm ata që mund të paguajnë do të kenë të drejtën e kujdesit shëndetësor, të tjerët jo”. Kjo “është një sfidë shumë e madhe. Kjo ndihmon për të kapërcyer pabarazitë”.

Angazhimi i Akademisë Papnore për Jetën

Puna e Akademisë për Jetën është e orientuar në këtë drejtim. E njëmend Papa e vlerëson këtë angazhim, si dhe kontributin e ofruar për Komisionin e Covid-it të Vatikanit: “Është bukur të shohësh bashkëpunimin që po zhvillohet brenda Kuries Romake në realizimin e një projekti të bashkëndarë”. Megjithatë, ka ende hapa të tjerë që duhen ndërmarrë.

Pasiguria e përditshme

“Sigurisht, ne bëjmë mirë të marrim të gjitha masat për të frenuar dhe mposhtur Covid-19 në nivel global, por kjo rrethanë historike në të cilën gjendemi të kërcënuar nga afër në shëndetin tonë, duhet të na bëjë të vëmendshëm ndaj faktit se çfarë do të thotë të jesh i cenueshëm dhe të jetosh në pasiguri çdo ditë”, pohon papa Françesku.

Në këtë mënyrë ne do të jemi gjithashtu në gjendje të bëhemi përgjegjës për ato kushte të rënda në të cilat jetojnë të tjerët dhe për të cilët, deri tani, na intereson pak ose aspak. Këndejmi do të mësojmë të mos i projektojmë përparësitë tona mbi popullatat që jetojnë në kontinente të tjera, ku nevojat e tjera janë më urgjente; ku, për shembull, mungojnë jo vetëm vaksinat, por uji i pijshëm dhe buka e përditshme.

Papa lë përsëri për një moment fjalimin e përgatitur duke thënë: “Të bën, nuk e di, të qeshësh apo të qash, ndonjëherë të qash, kur dëgjojmë qeveritarë ose drejtues të komuniteteve që këshillojnë banorët e lagjeve që jetojnë nëpër baraka që të kujdesen për higjienën disa herë në ditë me ujë dhe sapun… Por, i dashur, nuk ke qenë askurrë në një lagje të tillë: nuk ka ujë atje, ata nuk e njohin sapunin. ‘Jo, mos dil nga shtëpia!’: Por atje shtëpi është e gjithë lagja”, tha ai. “Ju lutem, le të kujdesemi për këto realitete, edhe kur reflektojmë për shëndetin”.

Shpërndarje e drejtë dhe universale e vaksinave

Është i mirëpritur, prandaj, “angazhimi për një shpërndarje të barabartë dhe universale të vaksinave”, por duke marrë parasysh fushën më të gjerë në të cilën kërkohen “të njëjtat kritere të drejtësisë, për nevojat e shëndetit dhe promovimin e jetës”.

Sigurisht “nuk është një detyrë e lehtë” të shqyrtosh çështjet e shumta dhe serioze që janë shfaqur në dy vitet e fundit, pranon Papa; “Inflacioni i fjalimeve” i shkaktuar nga urgjenca Covid ka çuar në një lloj padurimi kolektiv: “Ne pothuajse nuk duam të dëgjojmë më për të dhe kemi nxitim për të kaluar në tema të tjera”. Megjithatë, thotë Papa, “është e domosdoshme të reflektojmë me qetësi për të shqyrtuar në thellësi atë që ka ndodhur dhe të marrim rrugën drejt një të ardhmeje më të mirë për të gjithë”.

“Me të vërtetë, më keq se kjo krizë ekziston vetëm drama e shpërdorimit të saj”.

“Dhe nga një krizë – shton Papa duke folur pa iu përmbajtur fjalimit – ne e dimë se nuk dalim njësoj si më parë: ose do të dalim më të mirë, ose do të dalim më të këqij. Por njëlloj, jo. Zgjedhja është në duart tona Dhe, e përsëris, më e keqe se kjo krizë është vetëm drama e shpërdorimit të saj”.

Sinergji midis disiplinave të ndryshme

Por “për të dalë më të mirë nga kriza”, duhet të merren vendime konkrete, para së gjithash duke marrë parasysh ndërvarësinë midis “shtëpisë së përbashkët” dhe familjes njerëzore. Një ndërlidhje, kjo e fundit, “e thellë”, të cilën kriza pandemike e ka nxjerrë në pah aty ku shoqëritë, veçanërisht në Perëndim, e kishin harruar. “Dhe pasojat e hidhura janë para syve tanë”. Në këtë kalim epoke, është “urgjente të ndryshohet kjo prirje e dëmshme” dhe është e mundur të arrihet përmes “sinergjisë mes disiplinave të ndryshme”, pohon Papa.

Nevojiten njohuri mbi biologjinë dhe higjienën, mjekësinë dhe epidemiologjinë, por edhe mbi ekonominë dhe sociologjinë, antropologjinë dhe ekologjinë. Përveç kuptimit të fenomeneve, bëhet fjalë edhe për identifikimin e kritereve të veprimit teknologjik, politik dhe etik në lidhje me sistemet shëndetësore, familjen, punën dhe mjedisin.

Sëmundjet dhe kushtet e pasigurta higjieno-sanitare

Në fushën e kujdesit shëndetësor, kjo qasje është veçanërisht e rëndësishme: “Nuk mjafton që një problem të jetë serioz që ai të tërheqë vëmendjen dhe të trajtohet pastaj: shumë probleme tepër serioze shpërfillen për shkak të mungesës së angazhimit adekuat” pohon Papa. Shembujt janë të shumtë: nga sëmundjet si malaria e tuberkulozi dhe “ndikimi shkatërrues” i tyre, deri te “pasiguria e kushteve higjieno-sanitare që shkakton në botë, për çdo, vit miliona vdekje të shmangshme”.

Një qeverisje globale për shëndetin

“Nëse e krahasojmë këtë realitet me shqetësimin që ka shkaktuar pandemia Covid-19, ne shohim se si perceptimi i seriozitetit të problemit dhe mobilizimi përkatës i energjisë dhe burimeve është shumë i ndryshëm”, thotë Françesku. Në këtë kuptim, Papa nxit mbështetjen e nismave ndërkombëtare, të tilla si ato të promovuara kohët e fundit nga G20 që synojnë krijimin e “një governance globale për shëndetin e të gjithë banorëve të planetit”. Kjo do të thotë “një sërë rregullash të qarta dhe të përcaktuara në nivel ndërkombëtar, që respektojnë dinjitetin njerëzor”, duke marrë parasysh rrezikun që pandemi të reja do të vazhdojnë të jenë “një kërcënim edhe për të ardhmen”.

Pjesëmarrje në debatin publik

Prandaj, një inkurajim për Akademinë Papnore për Jetën për të qenë një “bashkudhëtare e organizatave të tjera ndërkombëtare”: “Është e rëndësishme të merret pjesë në nismat e përbashkëta dhe, në mënyrat e duhura, në debatin publik”, thekson Papa, por kjo kërkon “që, pa ‘zbutur’ përmbajtjet, të bëhen përpjekje për t’i komunikuar ato me një gjuhë të përshtatshme dhe argumente të kuptueshme në kontekstin aktual shoqëror”, në mënyrë që propozimi antropologjik i krishterë “të ndihmojë edhe burrat dhe gratë e sotme për të rizbuluar si parësore të drejtën e jetës nga ngjizja deri në fundin e saj natyror”.

Përkthyer nga Vatican News

Mond MARKU

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme