16.5 C
Tirana
HomeJubileu 2025Një Udhëtim në Kohë: Romë, Jubileu i Komunikimit - Mes miqve të...
HomeJubileu 2025Një Udhëtim në Kohë: Romë, Jubileu i Komunikimit - Mes miqve të...

Një Udhëtim në Kohë: Romë, Jubileu i Komunikimit – Mes miqve të rinj dhe shpresës që nuk vdes

A.L

Në një nga ato mëngjeset, kur edhe era jo fort e ngrohtë të ledhaton, aty ku përzihet me hijeshinë e përjetshme të rrugicave, gjallërisë së qytetit të mrekullueshëm të Romës, aty mes pelegrinësh nga gjithë bota në këtë vit Jubilar, u gjenda përballë një realiteti që ende po e përtyp.

Ishim 140 të rinj nga e gjithë bota, pothuaj nga çdo  kontinent, të mbledhur për një arsye të thjeshtë, por të thellë: Komunikimi. Si të  komunikojmë me Shpresë në një botë teknologjike. Një jubile për të reflektuar se si fjalët, imazhet dhe mesazhet na lidhin, na ndajnë, na transformojnë..

Por ky nuk ishte thjesht një takim formal. Ishte një përplasje mes botëve, një udhëtim në kohë e në realitet. Shihje një dëshirë të ngrohtë dhe autentike mes të gjithëve për të mësuar, për tu njohur dhe për tu lutur. Kurioz për të dëgjuar historitë e njëri-tjetrit, ku bisedat ishin aq të gjalla, sa që askush nuk ndiente nevojën për të humbur në një ekran celulari.

Mes nesh kishte edhe udhëtar në Kohë.. Po po! Një Time Traveler i vërtetë. Dikush nga Etiopia, një prej vendeve Afrikane ku kalendari aktualisht shënon vitin 2017, ishte katapultuar direkt në vitin 2025.. Një shaka e çuditshme e kohës apo një kujtesë e heshtur se bota jonë nuk lëviz gjithmonë me të njëjtin ritëm? Sa gjëra interesante mëson nga personat që takon. Ja pra njëra nga nevojat e komunikimit. Teksa ai fliste, e kuptova se ndonjëherë nuk është vetëm viti që na ndan apo na bashkon, por përvoja, mënyra se si e jetojmë kohën tonë, jetën tonë në shërbim të të tjerëve. Ishim të gjithë aq të ndryshëm por aq të njëjtë. E di që  kjo frazë është klishe, por është e vërtetë.

Qëllimi jonë është i njëjtë, por rrugët që përdorim shpesh janë të ndryshme dhe shkëmbimi i përvojave ishte interesante, sepse aty kupton prioritet në kontekste të ndryshme shoqërore dhe sociale. Diçka që dikujt i dukej problem, dikujt tjetër i dukej bekim, diçka që dikush e merrte si të mirëqenë, për dikë tjetër ishte një ëndërr e paarritshme…

Me secilin që takoja, zbuloja një botë të re. Fytyra plot jetë, mendime që shpërthenin në ide të guximshme, histori që të bënin të ndalje frymën. Disa prej tyre më bënë të qesh me lot, të tjerët më lanë një peshë të butë mbi shpirt, si një kujtim i fshehur që po priste të zgjohej. Ishte një lloj magjie e papërcaktueshme ajo ndjesia që vjen kur takon dikë për herë të parë, por ndihesh sikur e njeh prej vitesh.

Por ky takim kishte një qëllim edhe më të madh. Ishte një jubile i botë së komunikimit, një mundësi për të kuptuar se si mund të komunikojmë sot në Kishë, në epokën dixhitale. Në tre ditë intensive, ndamë shumë ide mes nesh dhe profesionistëve, sfida dhe shpresa mbi mënyrat se si mesazhi i Ungjillit mund të mbërrijë tek të rinjtë e sotëm, në një botë ku gjithçka ndryshon me një lëvizje gishti në ekran. Si mund të bëjmë që fjala të mos humbasë mes zhurmës? Si mund të ruajmë thellësinë në një kohë ku gjithçka është e shpejtë dhe sipërfaqësore?

Kalimi përmes Portës së Shenjtë ishte një nga gjërat që më preku shumë gjatë këtij pelegrinazhi sepse më shumë se një veprim simbolik, ishte një ndjesi e prekshme e Hirit që na fton të lejmë pas të shkuarën dhe të hapim zemrën drejt Mëshirës Hyjnore. Ishte një çast reflektimi i thellë, ku çdo hap ndihej si një hyrje në një jetë të re, më të pastër, më të hapur ndaj dashurisë së Zotit. Në atë moment, nuk isha vetëm një udhëtare në Romë, por një shpirt në kërkim të një komunikimi më të vërtetë, jo vetëm me botën, por edhe me Atë që gjithmonë dëgjon, edhe në heshtje.

Takimi me Atin e Shenjtë në dy çaste të ndryshme ishte gjithashtu shumë emocionues, praninë e të cilit e ndjeva thellë. Fjalët e tij për komunikimin si një akt dashurie, jo thjesht si një shpërndarje informacioni, më lanë një shenjë të pashlyeshme brenda vetes. Sepse në fund të fundit, komunikimi nuk është vetëm teknologji në ditët e sotme, por është akt dashurie për tjetrin, është dëshirë për të dëgjuar dhe për t’u dëgjuar.

Pastaj Roma, qyteti që gjithmonë duket sikur të përqafon në të gjitha rrugicat e saj të mbushura me kujtime. Mikesha të vjetra nga takime te mëparshme që nuk të mjafton koha të bisedosh, një mik i vjetër që të fton për një xhiro rrugëve të saj, një tjetër bisedë që vazhdoi aty ku ishte lënë më parë…. Janë edhe këto, momente të vogla, të paplanifikuara, që i japin kuptim udhëtimeve.

Dhe tani, ndërsa largohem nga Roma, çfarë do marr me vete? Përveç njohjeve të reja, kujtimeve të bukura, fotografive dhe kontakteve në telefon, do të marr ndjesinë e të qenit pjesë e diçkaje më të madhe, një përgjegjësi serioze, një kujtim i gjallë i atyre ditëve që i kupton vetëm duke i jetuar, se si fjalët mund të jenë një urë që na bashkojnë, edhe kur koha dhe distanca na ndajnë.

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme