nga Fortunato Di Noto, Francesco Pierpaoli
Dëshmitë e dy meshtarëve, aktivë në famullitë e tyre dhe të pranishëm në rrjetet sociale dhe online, përballen drejtpërdrejt me mundin që kërkon shërbesa themelore e kumtimit të Ungjillit brenda Kishës. Ja zërat e tyre.
Nuk janë njerëz të përkryer, por atyre u është besuar një shërbim themelor për jetën e Kishës: të mbarështojnë sakramentet, të jenë vetë shenja, me jetën e tyre, të pranisë së Hyjit në histori, nëpër rrugë, në shtëpitë ku jetojnë gra e burra që kanë nevojë për shpresë. Roli i meshtarëve sot mbart me vete ndërlikime, në disa aspekte të papara më parë. Nyje përballë të cilave një formim i mirë mund të ndihmojë – dhe Kisha italiane është plotësisht e vetëdijshme për këtë gjë, duke pasur parasysh se së fundi ka rishikuar udhëzimet e itinerareve për meshtarët e ardhshëm – por kjo nuk mjafton. […] Sepse “të jesh meshtar” nuk është një detyrë me modele të ngurta e të paracaktuara, por kërkon kontributin personal. Madje kërkon kontributin “kolektiv”, sepse nëse është e vërtetë që udhëheqësit i japin shije jetës së bashkësisë, është po aq e vërtetë se janë vetë bashkësitë ato që e mbështesin dhe i japin gjallëri jetës së atij që është thirrur të jetë një “atë” mes njerëzve. Këtë e dëshmojnë qartë dy zërat që po sjellim.
Jemi të lidhur nga një dhuratë e madhe: Ungjilli nuk është një like [pëlqim]
«Bëhu i vetëdijshëm për atë që do të bësh, mishëroje atë që do të kremtosh, përtrajtësoje jetën tënde me misterin e kryqit të Krishtit Zot»: fjalë që ipeshkvi i shqiptoi solemnisht dhe publikisht në urdhërimin meshtarak, shumë vite më parë. Fjalë që e ngrohin zemrën për “zjarrin” që mbartin dhe për përgjegjësinë e pjekur që i ngarkojnë atij që, si njeri i lirë dhe i shëruar nga plagët, vihet në rrugën e ndjekjes së Jezu Krishtit, si dishepull, i lirë në Të nga çdo formë “paralize e skllavërie”. […] Të mos harrojmë kurrë se jemi meshtarë. Ungjilli nuk është një “like” dhe vëllazëria meshtarake e bashkësiore është e gjitha për t’u ndërtuar, gjithmonë së bashku. Jemi të lidhur nga një dhuratë e madhe.
Jam 62 vjeç, meshtar prej 34 vitesh; jetoj me pasion si famullitar i periferisë dhe prej rreth tridhjetë vitesh përballem me sfidën e “banimit të web-it”, duke u përpjekur që ta bëj këtë me përgjegjësi, për të ofruar, me identitetin tonë të krishterë dhe njerëzor, rrugën e Ungjillit. Njëmend, jemi meshtarë falë thirrjes dhe dhuratës, jo për mungesë alternativash e as për leverdi ekonomike. Misioni ynë nuk mund të shihet kurrë si një punë çfarëdo, edhe pse, me të drejtë, marrim një mbështetje ekonomike nga ofertat e njerëzve, atyre njerëzve që Jezu Krishti i ka shëlbuar me çmimin e lartë të vdekjes e të ngjalljes së Tij.
Në vitet ’90 u afrova me internetin, kur ende pak veta e përdornin. E perceptova menjëherë bukurinë, por edhe rrezikun e madh: periferitë e reja digjitale, në shumë raste anijethyerjen dhe përhumbjen e vetes dhe të identitetit personal. Për ne meshtarët, të banosh “në shtëpi” apo në web shpesh nuk është e njëjta gjë. E megjithatë ndihesha “në mision”, me identitetin tim të krishterë dhe meshtarak, përmes shoqatës Meter. Që atëherë interneti është bërë për mua një tokë që duhet banuar si misionar, një vend ku edhe sot përpiqem të shpëtoj fëmijët nga joshjet dhe abuzimet, së bashku me të rriturit e pambrojtur. U jam kushtuar edhe disa meshtarëve që, të pavetëdijshëm për rreziqet ose për shkak të një brishtësie njerëzore, mund të gjenden të rrëmbyer dhe të kushtëzuar nga teprimi me web-in. Pesëmbëdhjetë vjet më parë reflektova pikërisht këtu, në Avvenire, mbi faktin se interneti ishte tashmë një tokë misioni, një mundësi për të kumtuar, në besnikëri ndaj Ungjillit, një mister dashurie për mbarë krijimin. Përmes internetit, mëshira e Hyjit u bë konkrete në ndihmën ndaj të rinjve që donin të vetëvriteshin, ndaj fëmijëve që pësonin dhunë, në një dëgjim real e jo vetëm virtual.
Interneti ka qenë një terren i frytshëm mundësish për të ungjillëzuar një njeri të ri, të pasur me humanitet, në kërkim të vetvetes, me një dëshirë të paepur për të komunikuar. Por ka qenë edhe vendi ku është shfaqur degradimi njerëzor: skizofrenia, errësira, kriminaliteti, dhuna, pornografia me fëmijë, tmerri. E megjithatë, si meshtarë, duhet të jemi të pranishëm edhe në këto vende, pa harruar se virtualja nuk do ta zëvendësojë kurrë jetën njerëzore, në tërësinë e saj. Nuk kam bërë kurrë kompromise, nuk kam hequr kurrë dorë nga identiteti im i krishterë dhe meshtarak; kam mësuar të mos pësoj anijethyerje dhe të kem gjithmonë një busull: njeriu ecën kur e di mirë se ku po shkon. Me largpamësi, Kisha duhet të zhytet dhe ta dëgjojë njeriun që kërkon Hyjin, edhe në internet, ku shpeshherë kufizohet të “mbijetojë” në heshtjen mbytëse të zërave të panevojshëm e të papërshtatshëm. Si gjithmonë, siguria është se Hyji nuk na ka harruar, as në epokën e internetit. Ai nuk na braktis, ashtu siç na e ka treguar me kryqin e vet.
Besoj se përgjigjja ndaj kësaj sfide të re është një prani e gjallë dhe krijuese, duke dëshmuar se Ungjilli vazhdon të kumtojë, edhe në shkretëtirat virtuale, miqësinë e Hyjit me çdo person. Thonë se kjo është mosha e “rënies”, edhe pse unë e shoh si moshë të pjekurisë. Me dashuri dhe vlerësim, do të doja t’u thosha meshtarëve të rinj, nga një “parahistorik digjital”, se afërsia jonë duhet të jetë ajo që bën të shndritë lavdia e Hyjit, ashtu siç na është besuar nga Jezu Krishti. Web-i në të cilin lundrojmë, le të bëhet vend takimi, afërsie, misioni ungjillëzues autentik, pa marifete e pa strategji. Feja është një dhuratë që rritet dhe ushqehet me dëgjimin e Fjalës. Nuk lind nga një mrekulli, por është mrekullia që lind nga feja. Dhe mrekullia më e madhe është të mos heqësh dorë kurrë nga thelbi i vërtetë i vetë fesë: Dashuria e Hyjit.
Fortunato Di Noto, meshtar i Noto-s, themelues i Meter
Dyshimet tona? Janë të njëjtat që patën apostujt
Dishepujt e Jezusit e njohin mirë mundin që kërkon besnikëria, duke filluar nga të Dymbëdhjetët që u bënë Njëmbëdhjetë. Njeriu, kur lind, i zgjidh litarët dhe nis të lundrojë në det të hapur. I mjeri ai që nuk e bën! Ishte pikërisht shën Gjon Pali II ai që e përsëriste këtë gjë, veçanërisht për të rinjtë: «duc in altum». Pra, “të lësh” është diçka që i përket jetës. Jetohet sepse lihet: që në fillim jeta na e kujton këtë me të qarat e çdo foshnje që del nga barku i nënës. Që në fillim ndodh kështu dhe kush nuk e bën çdo ditë “jeton sa për të kaluar”, siç na ka thënë shën Pier Giorgio Frassati. Lihet për të gjetur, duke braktisur barrat dhe litarët që të tjerët, më së shpeshti, na i ngarkojnë, por që edhe ne vetë, skllevër të rolit, ia imponojmë vetes.
Prandaj mundi për hir të besnikërisë lidhet me misterin e jetës: bëhet i padurueshëm, të shtyp, të rrënon. Duke e rimarrë këtu «duc in altum»-in, mendoj për Palin në pranga dhe për zbarkimin e tij në ishullin e Kretës dhe se si jeta, që është Hyji, nga ajo anijethyerje bëri të mundur lindjen e asaj Kishe; çdo vit, më 9 shkurt, në Kretë kremtohet fatkeqësia e një anijethyerje, ashtu si çdo vit të krishterët kremtojnë të Premten e Madhe në unitetin e Triditëshit Pashkor. Po, sepse pas vdekjes vjen pushimi në varr e pastaj mëngjesi i Pashkëve. Kjo është dinamika e besnikërisë që jeta na e dikton dhe nga e cila nuk duhet të ikim, as duke dashur t’i përcaktojmë kohët dhe mënyrat. Një mijë vjet për Zotin janë si dita e djeshme që ka kaluar. Këtij mendimi ia bashkoj nevojën për një Kishë që qëndron brenda historisë sipas logjikës së mishërimit dhe, për rrjedhojë, nuk ekzistojnë vende ku besnikëria duhet, vetëm e ekskluzivisht, të mbrohet. Sot ka shumë anijethyerje, shumë Golgota, vende të dashurisë deri në fund, nga të cilat as nuk mund dhe as nuk duhet të ikim. Sigurisht, besnikëria duhet ruajtur në dialogun frytdhënës me hirin që lutja e mban të gjallë. Por mjerë ne nëse hyjmë në logjikën pagane të vendeve të banuara vetëm nga e keqja. Është të dashurosh deri në fund ajo që na vë në krizë; është Ungjilli që na shtyn ta jetojmë atë kalim tejet të vështirë që nga «Hyji im, Hyji im, përse hoqe dorë prej meje» na çon të thërrasim «në duart e tua e dorëzoj shpirtin tim». Kujdes të mos e keqinterpretojmë centurionin pagan që thotë «nuk jam i denjë që të hysh në shtëpinë time». Por Jezusi hyn, guxon, shemb dyert, rrëzon muret, shqyen perdet e çdo tempulli. Po të mos ishte kështu, Jezusi nuk do të kishte hyrë te Zakeu, as nuk do të kishte lejuar të prekej nga gruaja me hemorragji apo nga lebrozët; nuk do të kishte shëruar ditën e shtunë, e as nuk do të kishte lejuar t’i putheshin këmbët nën tryezën e të pushtetshmëve nga një grua; nuk do të kishte lënë takim pas ngjalljes në Galilenë heterogjene… Për ta thënë me diçka që është pjesë e jetës sime: nuk do t’i kishte takuar të rinjtë atje ku ata jetojnë, ku bërtasin, ku ikin, ku mërziten e protestojnë.
Kush vazhdon ta ngatërrojë ruajtjen e asaj që secili prej nesh është në thelbin e vet me krijimin e mjediseve ku sundojnë detektorë metalesh, kamera sigurie, doktrina fetare të papërkulshme, do të tregojë gjithmonë anën e dobët përballë dëshirës që çdo burrë e grua ka për të qenë gjithnjë e më i lirë, gjithnjë e më i vërtetë. Çdo zgjedhje ku “përgjithmonë”-a do të kufizohej vetëm në aspekte të jashtme ose në një periudhë të jetës, rrezikon të prodhojë një jetë të copëzuar, me sirtarë, të thërrmuar, ku ngritja nuk është ngjallje sepse shkatërron plotësisht atë që kishim zgjedhur, duke e bërë kështu krejt të pavlefshme jetën e mëparshme, qoftë edhe po të kishte qenë plot gabime ose mëkate. Por është e vetmja që kemi.
Për këtë arsye emri i Hyjit është i mëshirshëm dhe «arkitrau i Kishës është mëshira». Fatkeqësisht, këto vite po del fort në pah përplasja ideologjike mes mënyrave të ndryshme të të parit të botës, njeriut, vetë jetës, dhe po përhapet një kulturë ku, në vend që ta ndiejmë veten të gjithë kërkues ku vetëm së bashku mund të gjejnë dritë e paqe, ndahemi duke e konsideruar ndryshimin si armik e jo si mundësinë e vetme që kemi për të njohur dhe për t’u ofruar të gjithëve dëshirë për të ardhmen e jo brenga për të shkuarën; «Bulbi i shpresës, tani i fshehur nën tokën e mbuluar me rrënoja, të mos vdesë, në pritje për të lulëzuar në pranverën e parë»; jeta është ashtu siç e përshkruante Mario Luzi. Kush është meshtari sot? Çfarë bën meshtari sot? Nuk mund të përgjigjemi, përveçse duke njohur tek ai që e pranon thirrjen të njëjtat dyshime, të njëjtin entuziazëm, të njëjtin mosbesim, të njëjtën frikë, të njëjtin gëzim që për tri vjet – jo në një seminar çfarëdo, por në vetë shkollën e Mësuesit – përjetuan Pjetri, Jakobi, Gjoni, Andrea dhe të gjithë të tjerët. Është historia ajo që ndryshon, sigurisht, jo meshtari; por mjerë ai që e mbron nga sfidat që historia ia parashtron çdo ditë: nga brenda dhe nga jashtë. Bota për secilin prej nesh fillon me një gjest dashurie dhe pastaj e kalojmë jetën duke mësuar të duam. Kjo është jeta dhe kjo na kërkon të vëmë sërish në vend të parë, në kohën e formimit dhe të “zgjedhjeve për gjithmonë”, jo “gjithmonë”-n, por “për”-in; dhe asgjë nuk do të na frikësojë më në ndërtimin e jetës sonë dhe të një bote më të drejtë e vëllazërore.
Francesco Pierpaoli, meshtar i dioqezës Fano-Fossombrone-Cagli-Pergola

