5.5 C
Tirana
HomeKISHNata e festës së Shën Nikollit, ipeshkëv
HomeKISHNata e festës së Shën Nikollit, ipeshkëv

Nata e festës së Shën Nikollit, ipeshkëv

Kisha katolike kremton sot natën e festës liturgjike të Shën Nikollit, ipeshkëv i Mirës në Azi të Vogël (Turqia e sotme), në shekullin e IV, një ndër shenjtorët e dëshmitarët e Krishtit më të nderuar nga besimtarët e krishterë si dhe ata shqiptarë, të të gjitha krahinave.

Sonte besimtarët katolikë kremtojnë natën e festës së Shën Nikollit, ipeshkëv. Pra, Kisha katolike kremton sonte natën e festës liturgjike të Shën Nikollit, ipeshkëv i Mirës në Azi të Vogël (Turqia e sotme), në shekullin e IV, një ndër shenjtorët e dëshmitarët e Krishtit më të nderuar nga besimtarët e krishterë si dhe ata shqiptarë, të të gjitha krahinave e madje edhe të besimit islam.

Shën Nikolla u dallua për fenë e gjallë në Mësuesin Hyjnor, Jezu Krishtin dhe posaçërisht për kujdesin e ndihmën për të varfrit, siç pohojnë shumë tregime e gojëdhëna që flasin për bamirësinë e dashamirësinë e tij ndaj nevojtarëve. Prandaj shën Nikolla është për të gjithë ne shembull i bamirësisë ndaj të varfërve, mbrojtës i të vërtetave të fesë së krishterë dhe i dinjitetit të çdo njeriu, dëshmitar i guximshëm i fesë në Zotin.

Edhe ndër shqiptarë, shumë njerëz thirren me emrin Nikollë, emër që duke iu përshtatur gjuhës shqipe, njihet me trajtat: Kolë, Koli, Kole dhe Lec. Kulti i nderimit të shën Nikollit ndër shqiptarë është i lashtë, qysh përpara pushtimit turk, siç dëshmojnë një sërë dokumentesh dhe vërtetojnë edhe gërmadha të Kishave të shumta kushtuar Shenjtit në tokat shqiptare. Kështu, në dokumentet e Farlatatit, shkruan në shekullin XVIII, lexojmë: “Në krahun ku ndodhet Kisha e Zojës së Këshillit të Mirë, pak më nga jugu, prapa kështjellës, dukej një Kishë madhështore me gurë të skalitur, shiheshin rrënime e shumë mure akoma në këmbë…..Ishte Kisha e Shën Nikollit….Turqit nuk guxonin të preknin aty asnjë send…aq i madh ishte nderimi për Shenjtin”.

Gjithnjë sipas Farlatit, andej lumit Bunë, në lagjen që quhej “Te Buen”, pak më larg nga Kisha e famshme e Shën Sergjit e Bahut, ka qenë një tjetër Kishë kushtuar Shën Nikollit, muret e së cilës ishin të mbuluara me afreske që përkujtonin mrekullitë e shenjtit…..”. “Duke ndjekur rrjedhën e lumit Buene, te gryka e detit, ka qenë ndërtuar një Kishë e mrekullueshme e Shën Nikollit të Barit, me gurë të skalitur”, shkruhet në dokumentet e Farlatit. Ndonëse autoritetet pushtuese turke e kishin ndaluar rreptësishtë – në kremtimin liturgjik të Shenjtit merrte pjesë edhe një shumicë besimtarësh myslimanë. Devocioni për shën Nikollin ishte aq i madh, sa famullitari i vendit jetonte vetëm me lëmoshat që mblidheshin ditën e festës. Emrin e kësaj Kishe, më vonë e mori fshati, duke u quajtur “Shën N’koll”. Kështu shën Nikolli hyri edhe në toponomastikën shqiptare.

Një tjetër Kishë e Shën Nikollit ka qenë ngritur që para pushtimit turk në Shkodër, në lagjen Rus, sot e rindërtuar shumë bukur, pas rrënimit të saj të plotë bërë nga komunistët. Po sigurisht që Kisha më e njohur e shën Nikollit në trevat shqiptare është Kisha Katedrale në Lezhë, seli e Kuvendit të famshëm të Princave shqiptarë të shekullit XV, vendvarrosje e heroit të kombit shqiptar Gjergj Kastriotit Skënderbeut.

Shën Nikolli nderohet e lutët edhe në shumë vende të dioqezës së lashtë shqiptare të Tivarit, në Mal të Zi. E Kisha kushtuar nderimit të shën Nikollit kemi edhe në Kosovë, ajo e bashkësisë famullitare të fshatit Velezhë të Prizrenit, ndërtuar nga dom Nikollë Mini. Po kështu edhe në rrethinën e Ulqinit të Malit të Zi e shumë kapela tjera.

Tradita të bukura e prekëse lidhen me kremtimin e festës së Nikollit në treva shqiptare. Me këtë rast është traditë ndër katolikë të Shqipërisë të flijohet një gjel ( këndes ); ndër shqiptarë të Kosovës – një qengj. E sidomos është traditë që sonte, natën e së kremtes së Shën Nikollit, familjarët para se të darkojnë së bashku e me miq, të ndezin qiriun e Shën Kollit, të këndojnë këngën e lashtë “Sa punë të mëdha e mrekulli, që ka ba Shejti Shën Kollë” dhe t’i lutën Zotit së bashku përmes ndërmjetësimit të Shenjtit të mrekullive.

Pra, të gjithë atyre që e lusin këtë festë, për shumë mot, me ndërmjetësimin e Shën Nikollit, Zoti Atë ua dhuroftë hire e bekime Hyjnore e ua të plotësoftë dëshirat e mira.

Lutja Shёn Nikollit

O i lёvdueshmi shenjti shёn Nikollё, shtylla e Kishёs shenjte, qi me atё dije dhanё prej Zotit, e me atё zemёr plot me zell, luftove kundёr sa e sa njerёzve tё dalun jashta rrugët e jashta fesё shenjte, po tё lutemi tё na nxjerrёsh prej Tenzot njё hire tё mёdha si pёr shpirtat tonё, ashtu edhe pёr shёlbimin e gjithkujt.

O Hyj, ti qi e shqove shenjtin shёn Nikollё, ipeshkёv, me mrekulli tё panumёrta, ban, po tё lutemi, qi nёpёr meritime e lutje tё tija t’i shpёtojmё zjarrit tё ferrit.

Ashtu kjoftё!

(nga Shujta shpirtёrore, libёr uratёsh pёrplue nga dom Gaspёr Gjini, Drita 1987).

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme