11.5 C
Tirana
HomeArqidioqeza Shkodër-PultNjë dritare e re komunikimi - Mons. Angelo Massafra o.f.m.
HomeArqidioqeza Shkodër-PultNjë dritare e re komunikimi - Mons. Angelo Massafra o.f.m.

Një dritare e re komunikimi – Mons. Angelo Massafra o.f.m.

Mons. Angelo Massafra o.f.m.

Të dashur miq, nga sot nis rrugëtimin e saj një dritare e re komunikimi e Kishës Katolike në Shqipëri, një portal interneti. Duhet pranuar se ky është një hap i vonuar, por siç thotë populli ynë: “më mirë vonë se kurrë”. Për Kishën, komunikimi është një element i rëndësishëm për ungjillizimin dhe instrumentet e komunikimit shoqëror bëjnë të mundur që ky komunikim të jetë sa më i mirë dhe gjithëpërfshirës, duke mbërritur jo vetëm tek individët, por drejt një shumësie burrash dhe grash të kohës sonë (IM 1). Edhe në Koncilin e dytë të Vatikanit, një ndër dokumentet e para të aprovuara, ka qenë pikërisht “Inter Mirifica”, Dekreti mbi Instrumentet e Komunikimit shoqëror (4 dhjetor 1963), i cili u aprovua njëherësh me Kushtetutën “Sacrosanctum Concilium”.

Ky portal do të jetë një zë i Kishës Katolike në Shqipëri, në “agoranë” e madhe të botës kibernetike. Sigurisht një instrument modest, aq sa na e lejojnë forcat tona, por që do të pasqyrojë jetën e Dioqezave dhe bashkësive tona famullitare, si dhe do të jetë një instrument i publikimit të atyre mësimeve të Magjisterit të përgjithshëm të Kishës së Gjithmbarshme dhe i atij të veçantë të Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë.

Përveç lajmeve, njoftimeve, shkrimeve përmbajtësore e reflektimeve nga autorë që jetojnë dhe veprojnë në Shqipëri, do të ketë edhe lajme e reflektime që vijnë nga realitete të tjera të Kishës Universale, të cilat lidhen ngushtë me jetën tonë në Shqipëri. Gjithashtu, një vend të rëndësishëm do të zërë aktualiteti i jetës shoqërore në Shqipëri, duke u munduar të ruajmë gjithmonë atë hapësirë që na takon ne si Kishë.

Siç e ka theksuar në shumë raste Papa Françesku, në kohën që po jetojmë kemi nevojë për lajme të vërteta kundër atyre të rreme apo gjysmë të vërteta dhe po ashtu kemi nevojë për lajme të mira. Jo se këto lajme fabrikohen kur nuk janë, por na shoqëron bindja se e mira gjendet gjithmonë dhe se ajo duhet promovuar në mënyrë që të forcohet e të shërbejë për një shoqëri më të mirë për të gjithë ne.

Bashkëpunimi me të gjitha portalet e mediat e ngjashme në Shqipëri dhe në vende të tjera do të ketë një vend të veçantë, sidomos me organet mediatike të Vatikanit, të cilat për ne janë si një busull orientuese në komentimin dhe perceptimin e ngjarjeve të mëdha që ndodhin në botën e sotme, sidomos lajmet që kanë të bëjnë me Magjisterin e Papës dhe të Kuries romake.

Kisha Katolike në Shqipëri është e angazhuar gjithmonë për të mirën e përbashkët dhe krahas misonit të saj ungjillizues, nuk resht së punuari për të gjithë njerëzit, pa dallime fetare apo politike. Prandaj edhe ky portal do t’i shërbejë frymës së bashkëpunimit me të gjithë faktorët e jetës shoqërore në Shqipëri, duke pasqyruar besnikërisht gjithçka që është e denjë për t’u paraqitur.

Urojmë me gjithë zemër që të gjithë ata që do të hyjnë, të gjejnë aty gjëra që përcjellin të vërtetën, të bukurën dhe të mirën.

Mons. Angelo Massafra o.f.m.
Kryetar i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme