13.5 C
Tirana
HomeArqidioqeza Shkodër-PultMesazhi i urimit të Imzot Angelo Massafra-s për Krishtlindjen 2021 dhe Vitin...
HomeArqidioqeza Shkodër-PultMesazhi i urimit të Imzot Angelo Massafra-s për Krishtlindjen 2021 dhe Vitin...

Mesazhi i urimit të Imzot Angelo Massafra-s për Krishtlindjen 2021 dhe Vitin e Ri 2022

Të dashur vëllezër dhe motra,
Për festën e Krishtlindjes së këtij viti, do të doja të kërkoja leje që të hyj në shtëpinë e secilit prej jush tek
e cila do të arrijë ky mesazh.E bëj me delikatesën e dikujt që nuk dëshiron të prishë qetësinë familjare, edhe pse e di se ndërhyrja ime do të jetë gjithsesi shkak sikleti për dikënd. Të mësuar siç jemi me poezinë e Krishtlindjes, është e papërshtatshme që të mendojmë se ajo mund të prishet.
Ndoshta kështu qe edhe për ata përbujtës që nuk deshën t’i humbnin klientët për shkak të klithmave të
një fëmije, që do të lindte pas pak minutash, nëse do t’i kishin pranuar në bujtinën e tyre Jozefin dhe Marinë.
Kështu mund të ketë qenë edhe për ato kafshë të gjora që pushonin të qetë në stallë kur gjumi i tyre u prish prej hapjes së derës nga e cila hynë Jozefi dhe Maria shtatzënë. E, pse jo, kështu duhet të ketë qenë edhe për barinjtë e trembur nga vezullimi i dritës engjëllore që lajmëronte lindjen e një fëmije. Dhe çfarë shqetësimi duhet të ketë qenë për Herodin, i cili u tmerrua nga humbja e mbretërisë së tij, për shkak të rrëzimit nga froni prej një foshnjeje të porsalindur!
Çdo Krishtlindje është e tillë edhe për secilin prej nesh kur mendojmë të festojmë, duke mos marrë
parasysh arsyen pse festojmë. Aq e vërtetë është sa i quajmë “Festat e fundvitit”, sepse është e
papërshtatshme që të pranojmë se arsyeja pse zbukurojmë, ndriçojmë, japim dhe marrim dhurata është lindja e Jezu Krishtit.
Sigurisht, nëse ai do të kishte mbetur përgjithmonë fëmijë, do të ishim më të kënaqur dhe ngjarja, si e
tillë, do të ishte më e mirëpritur: në fund të fundit, bëhemi më të butë kur mendojmë për lindjen e një krijese të re. Por ky Fëmijë jo: është ndryshe! Ta shikojmë në prehrin e nënës së tij është si ta shikojmë atë të zbritur nga kryqi dhe të dorëzuar në krahët e Zojës së Dhimbshme; ta shohim duke pushuar në grazhdin e një stalle në shkëmb është si ta shohim të vendosur në varrin e bërë në shkëmb.
Ky Fëmijë ka lindur për të vdekur, si të gjithë ne! Ai lindi për t’i dhënë bezdi të keqes që banon në
zemrat e njerëzve dhe për të na dhënë lirinë neve, të burgosurve të së keqes. Ta shikosh këtë Fëmijë është e pakëndshme, sepse Ai është ajo Fjala që pret si një thikë me dy tehe për të shqyer dhe për të nxjerrë në shesh të vërtetën tonë.
Po, Jezusi është e gjithë kjo! Por është edhe Ai që ha e pi me mëkatarët, që fal prostitutat, që u hedh vaj e
verë plagëve të udhëtarit fatkeq dhe pastaj e vë mbi supe për t’i dhënë një shtëpi. Ai është bariu i mirë që
shkon në kërkim të deleve të humbura, që shëron vetëm se dikush beson te Ai. Është edhe Ai që na zbulon
fytyrën e vërtetë të Hyjit, krejt Mirësi dhe Mëshirë.
Dëshira ime, pra, si dhe arsyeja pse e lejoj veten të hyj në intimitetin e familjeve tuaja besimtare dhe
jobesimtare, është që kjo Krishtlindje të jetohet me guximin e pranimit të arsyes së festës, që është lindja e Jezusit. Krishti, Biri i Hyjit, vetë Hyji, që merr natyrën tonë njerëzore për ta bërë atë të re, duke e rikthyer në pafajësinë e saj origjinale.Nuk kemi frikë ta mirëpresim Krishtin! Edhe nëse ndërgjegjja jonë mund të dridhet përpara mesazhit të
Tij, dijeni se Ai është aty gati për të falur dhe për të mirëpritur secilin prej nesh, duke na zbuluar edhe një
herë fytyrën e mëshirshme të Hyjit. Prandaj, të mos lejojmë që këtë festë ta jetojmë edhe një herë si paganë: ta shfrytëzojmë këtë rast për ta lejuar Fëmijën e Betlehemit që të hyjë në shtëpitë tona, në jetën tonë, në marrëdhëniet tona njerëzore, në vendet tona të punës, të kulturës, të shkencës. Nuk mund të bëjë keq Ai që ka ardhur vetëm për të mirën tonë.
Ai është pasuri për familjet me shumë fëmijë, ngushëllim për çiftet që nuk mund t’i kenë, falje për ata që
ia kanë mohuar një fëmije të drejtën për të lindur.
Ai është garanci për një rritje të shëndetshme, në moshë, urti dhe hir përpara Hyjit dhe përpara njerëzve
të të gjithë fëmijëve, adoleshentëve dhe të rinjve.
Ai është mbrojtësi i të drejtave të punëtorëve dhe një model drejtësie për ata që mund t’u ofrojnë një
punë atyre që nuk e kanë atë.
Ai është “Krijuesi i Urtë” që u dhuron çdo urti dhe çdo shkencë të gjithë atyre që janë të angazhuar për ta
bërë këtë botë më të mirë me kulturën, shkencën, artet.
Ai është “Mrekullibërësi i fuqishëm” që shëron shpirtin dhe ka fuqi të shërojë edhe trupat; mbështetje
për të gjithë të sëmurët dhe të moshuarit.
Ai është “Këshilltari i admirueshëm” që gjen vendin e duhur në vendet ku ushtrohet pushteti legjislativ,
gjyqësor dhe ekzekutiv.
Ai është “Kryeprifti i amshuar”, udhërrëfyes i sigurt për të gjithë ata që ia kanë dhuruar jetën e tyre Hyjit
dhe vëllezërve si gjallërues të bashkësive fetare.
Urimi im ju mbërriftë të gjithëve ju: katolikë, ortodoksë, krishterë dhe njerezve vullnetmirë, qoftë vërtet
një Krishtlindje e shenjtë me mikpritjen e sinqertë dhe të guximshme të Jezu Krishtit në jetën tonë.
Bekimi i Fëmijës së Betlehemit zbrittë me bollëk mbi ju të gjithë.

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme