
Selia e Shenjtë
Të ecim së bashku me shpresë
Të dashur vëllezër e motra!
Me shenjën pendestare të përhimjes, fillojmë shtegtimin vjetor të Kreshmës së shenjtë, me besim dhe shpresë. Kisha, nënë dhe mësuese, na fton që t’i përgatisim zemrat tona dhe të hapemi ndaj hirit të Hyjit, që të mund ta kremtojmë me gëzim të madh triumfin pashkor të Krishtit Zot, mbi mëkatin e mbi vdekjen, sikurse klithte shën Pali: «Vdekja u përpi në fitore. O vdekje, ku është ngadhënjimi yt? Ku është, o vdekje, thimthi yt?» (1 Kor 15,54-55). Njëmend, Jezu Krishti, i vdekur e i ngjallur, është qendra e fesë sonë dhe është siguria e shpresës sonë në premtimin e madh të Atit, tashmë të realizuar në Të, Birin e tij të dashur: jeta e amshuar (krh. Gjn 10,28; 17:3) [[1]].
Në këtë Kreshmë, të pasuruar nga hiri i Vitit Jubilar, dëshiroj t’ju ofroj disa reflektime për të kuptuar se çfarë do të thotë të ecësh së bashku me shpresë dhe për të njohur thirrjet për kthim që mëshira e Hyjit na drejton të gjithëve, si individë dhe si bashkësi.
Para së gjithash, të ecim. Motoja e Jubileut “Shtegtarë të Shpresës” na sjell ndërmend udhëtimin e gjatë të popullit të Izraelit drejt tokës së premtuar, që tregohet në librin e Daljes: udhëtimi i vështirë nga skllavëria në liri, i dëshiruar dhe i udhëhequr nga Zoti, i cili e do popullin e tij dhe i qëndron gjithmonë besnik. Mirëpo, ne nuk mund ta kujtojmë eksodin biblik pa menduar për shumë vëllezër e motra që, sot, ikin për shkak të situatave të mjerimit e të dhunës dhe shkojnë në kërkim të një jete më të mirë për veten dhe të dashurit e tyre. Këtu lind një thirrje e parë për kthim, duke e ditur se të gjithë jemi shtegtarë në jetë, por secili mund ta pyesë veten: në cilën mënyrë kjo gjendje bëhet një apel për mua? A jam vërtet në rrugëtim apo jam i paralizuar, statik, i frikësuar dhe i pashpresë, ose i qetë në zonën time të rehatisë? A po kërkoj rrugë çlirimi nga situatat e mëkatit e të mungesës së dinjitetit? Do të ishte një ushtrim i mirë kreshmor po të përballeshim me realitetin konkret të ndonjë mërgimtari apo shtegtari dhe ta linim të na përfshijë, në mënyrë që të zbulojmë se çfarë kërkon Hyji prej nesh për të qenë udhëtarë më të mirë drejt shtëpisë së Atit. Ky është një “provim” i mirë për udhëtarin.
Së dyti, ta bëjmë këtë udhëtim së bashku. Të ecim së bashku, të jemi sinodalë, kjo është thirrja e Kishës [[2]]. Të krishterët janë të thirrur që të rrugëtojnë së bashku, kurrë si udhëtarë të vetmuar. Shpirti Shenjt na shtyn që të dalim nga vetvetja për të shkuar drejt Hyjit e drejt vëllezërve dhe të mos mbyllemi kurrë në vetveten tonë [[3]]. Të ecësh së bashku do të thotë të jesh gërshetues i unitetit, duke u nisur nga dinjiteti i përbashkët i bijve të Hyjit (krh. Gal 3,26-28); do të thotë të ecësh krah për krah, pa nëpërkëmbur apo mposhtur tjetrin, pa pasur smirë apo hipokrizi, duke mos lejuar që ndokush të lihet prapa apo të ndihet i përjashtuar. Ne ecim në të njëjtin drejtim, drejt të njëjtit qëllim, duke dëgjuar njëri-tjetrin me dashuri e duresë.
Në këtë Kreshmë, Hyji na kërkon të shqyrtojmë nëse në jetën tonë, në familjet tona, në vendet ku punojmë, në bashkësitë tona famullitare apo rregulltare, jemi të aftë që të ecim me të tjerët, të dëgjojmë, të fitojmë mbi tundimin për t’u strehuar vetëm te vetvetja jonë e për t’u kujdesur vetëm për nevojat tona. Ta pyesim veten përpara Zotit nëse jemi në gjendje të punojmë së bashku si ipeshkvij, meshtarë, rregulltarë/e dhe laikë, në shërbim të Mbretërisë së Hyjit; nëse kemi një qëndrim mikpritës, me gjeste konkrete, ndaj atyre që na afrohen dhe ndaj atyre që qëndrojnë larg; nëse i bëjmë njerëzit të ndihen pjesë e bashkësisë apo nëse i lëmë në qoshe [[4]]. Ky është një apel i dytë: kthimi në sinodalitet.
Së treti, e bëjmë këtë rrugëtim së bashku me shpresën e një premtimi. Shpresa që nuk zhgënjen (krh. Rom 5,5), mesazhi qendror i Jubileut [[5]], qoftë për ne horizonti i ecjes kreshmore drejt fitores pashkore. Sikurse na ka mësuar Papa Benedikti XVI në Enciklikën Spe Salvi, «qenia njerëzore ka nevojë për dashuri të pakushtëzuar. Ai ka nevojë për atë siguri që e bën të thotë: “se as vdekja, as jeta, as engjëjt, as pushtetet, as e tashmja, as e ardhshmja, as fuqitë, as forcat e lartësisë, as ato të humnerës, dhe asnjë krijesë tjetër, nuk do të mund të na ndajë prej dashurisë së Hyjit, që na u dëftua në Jezu Krishtin, Zotin tonë” (Rom 8,38-39)» [[6]]. Jezusi, dashuria dhe shpresa jonë, u ngjall [[7]] dhe jeton e mbretëron i lavdishëm. Vdekja është shndërruar në fitore dhe këtu qëndron feja dhe shpresa e madhe e të krishterëve: në ngjalljen e Krishtit!
Ja thirrja e tretë për kthim: ajo e shpresës, e besimit në Hyjin e në premtimin e tij të madh, që është jeta e amshuar. Duhet të pyesim veten: a e kam brenda meje bindjen se Hyji i fal mëkatet e mia? Apo sillem sikur mund të shpëtohem vetë? A e dëshiroj shpëtimin dhe a e kërkoj ndihmën e Hyjit për ta pranuar atë? A e jetoj konkretisht shpresën që më ndihmon t’i lexoj ngjarjet e historisë dhe më shtyn të angazhohem për drejtësinë, vëllazërinë, kujdesin për shtëpinë e përbashkët, në atë mënyrë që askush të mos ngelet prapa?
Motra e vëllezër, falë dashurisë së Hyjit në Jezu Krishtin, ne jemi të mbrojtur nga shpresa që nuk zhgënjen (krh. Rom 5,5). Shpresa është “spiranca e shpirtit”, e sigurt dhe e qëndrueshme [[8]]. Në të, Kisha lutet që «të gjithë njerëzit të shpëtohen» (1 Tim 2,4) dhe pret që bashkohet me Krishtin, dhëndrin e saj, në lavdinë e qiellit. Kështu shprehej shën Tereza e Avilës: «Shpreso, shpirti im, shpreso. Ti nuk e di ditën as orën. Vigjilo me kujdes, gjithçka kalon për një çast, megjithëse padurimi yt mund të bëjë të duket e pasigurt ajo që është e sigurt dhe e gjatë një kohë shumë e shkurtër» (Klithjet e shpirtit drejtuar Hyjit, 15, 3) [[9]].
Virgjëra Mari, Nëna e Shpresës, ndërmjetësoftë për ne dhe na shoqëroftë në ecjen kreshmore.
Romë, Shën Gjoni në Lateran, 6 shkurt 2025, përkujtimi i shenjtërve Pal Miki e shokët, martirë.
FRANÇESKU
[1] Krh. Let. enc. Dilexit nos (24 tetor 2024), 220.
[2] Krh. Homilia në Meshën për kanonizimin e të Lumëve Giovanni Battista Scalabrini dhe Artemide Zatti, 9 tetor 2022.
[3] Krh. Po aty.
[4] Krh. Po aty.
[5] Krh. Bula Spes non confundit, 1.
[6] Let. enc. Spe salvi (30 nëntor 2007), 26.
[7] Krh. Ndjekësorja e të Dielës së Pashkëve.
[8] Krh. Katekizmi i Kishës Katolike, 1820
[9] Po aty, 1821.