MËKATI I PAMENDËSISË

një mësim nga G.K. Chesterton

Pamendësia e një katoliku është burim shkandulli për ata që nuk besojnë, cenon besueshmërinë e Kishës dhe largon edhe më shumë njerëzit vullnetmirë që nuk e njohin Krishtin.

Ditët e fundit jam ndeshur me një ide që ngjall kërshëri nga G.K. Chesterton, ndoshta apologjeti më i madh dhe më gjenial i katolicizmit në shekullin XX. Sipas tij, “një fjalë e pamend nga një anëtar i Kishës bën më shumë dëm sesa njëqind fjalë pamend nga njerëz jashtë Kishës”. Të gjithë ne ndonjëherë kemi ndjerë zemërim duke dëgjuar ose lexuar diçka që na dukej e pamend, e thënë nga ndonjë katolik i shquar.

Të nderuar lexues, unë bëj budallallëqe sa të tjerët, ndoshta edhe më shumë. E urrej pozicionin që i gjykon të tjerët duke i çmuar ata si “budallenj kolektivë”, “të shitur sistemit”, heretikë apo kushedi çfarë – sikur të bëheshim të krishterë inteligjentë dhe të mirë vetëm për faktin se sulmojmë të tjerët. Pamendësia, e jona apo e të tjerëve, ngjall zemërim, por disi është pjesë e jetës. Vëllezërit e motrat shpesh zihen me njëri-tjetrin dhe zemërohen; e rëndësishme është që zemërimi të kapërcehet me pajtim, dhe në mënyrë ideale të përfundojë në atë mënyrë ku pozicioni më pak i pamend të ketë përparësinë.

Mirëpo, pamendësia e një katoliku është një burim shkandulli për ata që nuk besojnë, ia heq Kishës besueshmërinë dhe i largon edhe më shumë njerëzit vullnetmirë që nuk e njohin Krishtin. Unë kam punuar për dekada të tëra i rrethuar nga studentë të rinj të universitetit dhe mund të konfirmoj idenë e Chesterton-it. Shumica dërrmuese e të rinjve kërkojnë të mirën dhe humbasin kur nuk gjejnë rrugën e duhur. Dhe shpesh qasja në rrugën e duhur pengohet nga gurë të mëdhenj të pamendësisë.

Ja disa situata me të cilat ndeshem shpesh në mjedisin universitar. Një baba katolik me qëllime të mira, por që priret të marrë vendime autoritare dhe të flasë në mënyrë agresive, mund të bëjë më shumë dëm sesa dhjetëra “ideologë gjinorë”, pozicioni i të cilëve përforcohet në kritikën ndaj qëndrimit të atij babai. Nga ana tjetër, njerëz po aq qëllimmirë që duan ta luftojnë diskriminimin dhe padrejtësinë, shpesh e lejojnë veten të rrëmbehen nga një ekstremizëm që mohon realitetin dhe natyrën e qenies njerëzore. Teologët dhe priftërinjtë mbjellin konfuzion dhe minojnë besueshmërinë e Kishës duke sulmuar vëllezërit e tyre në fe që mendojnë ndryshe, pa kërkuar një pozicion më të vërtetë që i integron të gjithë, dhe përfundojnë duke bërë prozelitizëm, duke dëmtuar si të mirën e përbashkët ashtu dhe krishterimin.

Askush prej nesh nuk është posaçërisht fajtor për shumicën e budallallëqeve që shpesh ua “propozojmë” vëllezërve tanë. Shpesh përsërisim atë që kemi mësuar nga mësuesit tanë, të cilët nga ana e tyre përsërisin atë që kanë mësuar nga mësuesit e tjerë. Në raste të tjera ne reagojmë kundër idiotësive dhe nuk perceptojmë të vërtetat e thella që i shoqërojnë ato. Ne mbajmë një thesar, që na vjen nëpërmjet Krishtit, në enë argjile, që jemi ne dhe kuptimi ynë i kufizuar për botën (krh. 2 Kor 4,7).

Duke vëzhguar reagimet e të rinjve, që nuk besojnë, ndaj pamendësive që bëjmë shpesh, konstatoj se gabimet tona zakonisht vijnë nga lënja pas dore e tre angazhimeve.

Angazhimi me dashuri

Çdo qenie njerëzore dëshiron të jetë e dashur. Shkandullohemi kur ndjejmë se nuk na kanë dashur ashtu siç e meritonim, ose kur shohim dikë që vuan shumë sepse nuk ndihet i dashur. Dashuria është urdhërimi më i madh (Mt 22,37-40), më e madhja e vlerave të krishtera (krh. 1 Kor 13,13). Ajo shprehet në kujdesin për të varfrit, në pranimin e të pikëlluarve, në faljen e atyre që na ofendojnë, në tolerimin e atyre që janë ndryshe nga ne. Sa herë që kemi mungesa në dashuri, për arsye që janë të kuptueshme (si lodhja ose pavëmendja momentale) ose të papranueshme (si vështrimi egoist ose plot paragjykime), ne, në një farë mënyre, po kryejmë një nga këto pamendësitë që i largojnë të tjerët nga Krishti dhe Kisha.

Angazhimi me të vërtetën

Ne shpesh duam më shumë idetë tona sesa të vërtetën. Parapëlqejmë ta “presim në copa” realitetin, duke mbajtur vetëm aspektet që na interesojnë, në vend që ta pranojmë atë në tërësi, gjë që do të na detyronte t’i njihnim gjërat që nuk na pëlqejnë. Ashtu si njerëzit shkandullohen nga mungesa e dashurisë, po ashtu ata nuk ndihen të tërhequr nga një hapësirë ​​ku realiteti nuk respektohet dhe nuk kuptohet. Polarizimi partiak në zgjedhjet e fundit ishte [bëhet fjalë për zgjedhjet në Itali], në këtë aspekt, një shuplakë për bashkësinë katolike. Lajmet e rreme dhe informacionet e gabuara dukej se vinin nga të gjitha anët, pa argumente racionale. Mungesa e një dialogu konstruktiv, që pranon gabimet dhe gjërat e drejta nga të dyja palët, është një kundërdëshmi, e cila largon pikërisht ata që janë më të interesuar dhe të hapur ndaj së vërtetës.

E vërteta dhe dashuria duhet të shkojnë dorë për dore

E vërteta nuk mund të predikohet pa dashuri. Shpesh jemi agresivë dhe nuk lëshojmë pe me të tjerët sepse nuk përpiqemi t’i dëgjojmë dhe t’i kuptojmë para se ta dënojmë qëndrimin e tyre. Jezusi thotë për veten e tij: “Unë jam Udha, e Vërteta dhe Jeta” (Gjn 14,6). Nëse Krishti është e vërteta, natyrisht edhe idetë e tij janë të vërteta, por formulimi ungjillor sugjeron diçka më shumë: e vërteta shfaqet në takimin me një person që na do, jo në shpërfaqjen e ideve të vërteta. Kjo e fundit merr kuptim vetëm nëse paraprihet dhe shoqërohet nga një gjest dashurie.

Nga ana tjetër, një dashuri që nuk e shpërfaq të vërtetën pushon së qenuri dashuri e vërtetë. Si mund ta duam një person dhe të pranojmë që ai të jetojë në mashtrime dhe gabime? Herët a vonë ai do të përfundojë i pakënaqur. Prandaj dashuria njerëzore nënkupton shpërfaqjen e së vërtetës – por brenda një ecjeje të karakterizuar nga dashuria e ndërsjellë. Miqtë dhe të dashuruarit e zbulojnë dhe rizbulojnë të vërtetën së bashku gjatë gjithë jetës, duke respektuar kohën dhe hapat e tjetrit.

Përkushtimi ndaj përvujtërisë

Ne nuk dimë të duam ashtu siç duhet, as siç do të donim. Ne nuk jemi padronë të së vërtetës, përkundrazi, do duhej të ishim thjesht shërbëtorë të saj. Kemi bërë, vazhdojmë të bëjmë dhe do të bëjmë budallallëqe në jetën tonë. Është e kotë të shkandullohemi nga pamendësia, e jona apo e vëllezërve tanë. Porse nuk mund të mësohemi me të.

Duhet të përpiqemi gjithmonë që ta kapërcejmë atë, për dashuri ndaj vëllezërve tanë dhe vetes sonë. Për këtë arsye, është themelore të jemi të përvujtë, t’i pranojmë gabimet tona, ta pranojmë korrigjimin e duhur dhe të jemi të gatshëm të ndryshojmë për mirë. Kush është vërtet i përvujtë nuk ka turp para tjetrit. Frika dhe ndjenja e parehatisë, kur na vihen para gabimet tona, lindin nga krenaria, jo nga përvujtëria jonë. Kush është përnjëmend i përvujtë ka një liri që bëhet ftesë për vëllezërit/motrat, gjë që e bën korrigjimin një rast zbulimi të ndërsjellët dhe një mundësi për t’u rritur në miqësi dhe fe.