Sot mbërriti në Shqipëri Nunci Apostolik, Shkëlqesia e Tij Imzot Mirosław Adamczyk, i emëruar nga Shenjtëria e Tij Papa Leoni XIV më 14 janar të këtij viti.

Në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, Nunci Apostolik u prit në një atmosferë mirëseardhjeje nga Ipeshkvijtë e Shqipërisë, nga Administratori Dioqezan i Sapës si dhe nga i Ngarkuari me Punë i Nunciaturës Apostolike, Imzot Ionuţ Paul Strejac, i cili ka ushtruar këtë detyrë gjatë vitit të fundit.
Ceremonia e pritjes vijoi në ambientet e Nunciaturës Apostolike, ku një grup valltaresh nga Qendra Kulturore “Abat Doci” në Rubik interpretuan një valle me motive tradicionale mirditore, si shprehje e mikpritjes dhe vlerësimit për përfaqësuesin e ri të Selisë së Shenjtë në vendin tonë.

Në vijim të programit, Nunci Apostolik zhvilloi një takim me Ipeshkvijtë në rezidencën e Nunciaturës Apostolike, duke shënuar kështu fillimin zyrtar të misionit të tij diplomatik dhe baritor në Shqipëri.



