16.5 C
Tirana
HomeKISHLAMTUMIRË IMZOT SIMON KULLI
HomeKISHLAMTUMIRË IMZOT SIMON KULLI

LAMTUMIRË IMZOT SIMON KULLI

Violeta Marashi

“Nëpër të na shkëlqeu shpresa e ngjalljes së lume, kështu që edhe pse na trishton tani gjendja e sigurtë e vdekjes, na ngushëllon premtimi i pavdekësisë së ardhshme.”.

Dioqeza e Sapës, pas tre ditë nderimi, lutje dhe homazhe, ditën e marte datë 2 dhjetor 2025, i dha lamtumirën e fundit bariut të saj, Imzot Simon Kulli.

Mesha e Salikimit u mbajt në Katedralen “Shën Tereza e Kalkutës” udhëhequr nga Kryetari i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë, Imzot Gjergj Meta.

Populli i Zotit i ardhur nga të gjitha dioqezat e vendit u bashkuan në lutje për shpirtin e bariut të mirë dhe të urtë, Imzot Simonin.

Nderuan me praninë e tyre, Hierarkia më e lartë e Kishës në Shqipëri, i ngarkuari me punë në Nunciaturën Apostolike në Shqipëri, Mons. Ionuţ Paul Strejac, Ipeshkvinjtë e trevave shqiptare të Kosovës dhe Malit të Zi, Ipeshkvinjë nga Italia dhe Kroacia, Meshtarë e motra, familja e tij e gjakut, autoritete vendore dhe lokale, miq e dashamir të ipeshkvit.

Përcjellja e fundit e bariut të Sapës u shoqërua me një kremtim solemn të paraparë sipas liturgjisë përkatëse, ku përmes lutjes ia besuan Hyjit shpirtin e Tij.

Në predikimin e rastit, Imzot Gjergj Meta duke u ndalur në Ungjillin e ditës tha se “edhe ne ashtu si Marta themi: – Sikur ti të ishe këtu!; – Sikur të kishte ndodhur ndryshe!; – Pse, o Zot, kaq i ri?!; – Pse në këtë dioqezë, e cila brenda pak vitesh humb një bari tjetër në moshë të re?!; – Pse pikërisht tani…?! E shumë pyetje të tjera, që na mundojnë të gjithëve. Por tek e fundit, janë të gjitha arsyetimet tona. Janë të gjitha pyetje që vijnë nga ne. Duke vazhduar më tej ai tha se të gjithë ne e kemi njohur imzot Simonin, kush më shumë e kush më pak; dikush duke jetuar me të një jetë të tërë e dikush duke bërë pak udhë me të. Por secili prej nesh e ka një kujtim me të, që mund ta tregonte sot. T’i mbajmë ato kujtime me të në zemrat tona” – përfundoi Imzot Gjergji.

Në emrin e klerit të Sapës foli edhe Vikari Gjeneral i Dioqezës Sapë, Dom Robert Kola, i cili tha se sot kur po ndahemi nga Bariu i Dioqezës sonë Mons Simoni, në çastet e fundit të jetës së tij, kur gjendja po rendohej pranë përpjekjeve për ti dhënë ndihmë, fjala e tij e fundit ishte: “Me lini në Paqe.” Fjala Paqe mbeti e ngjitur për qiellzën e gojës së tij dhe do mbesin si emblemë baritore që veçon misioni e tij të thjeshtë dhe të përvuajtur. Kushdo që e ka njohur sadopak Monsinjorin, nuk mund të mos hetonte se si ai nuk merakosej aq pas stërhollimeve, si lypacaku që kërkon lëmoshë pranë rrugës, por kërkonte që të përputhej me rrahjet misterit.

Dhimbjes për ndarjen nga jeta të bariut të Sapës, iu bashkua edhe Ati i Shenjtë Papa Leoni XIV, përmes mesazhit ngushëllues ku na tregoi se lutet për shpirtin e ipeshkvit Simon, dhe tregoi afërsinë e tij atërore. Ati i shenjtë ndër të tjera mori si referencë moton e Ipeshkvit të Sapës, “Caritas Cristis Urget Nos – Dashuria e Krishtit na nxit”, duke përmbledhur me pak fjalë veprimtarinë e Ipeshkvit Simon, i cili ishte i përkushtuar shumë ndaj të varfërve dhe të sëmurëve. Duke u bashkuar me lutjen tuaj, Ati i Shenjtë shprehu ndjenjat më të thella të afërsisë dhe të bashkimit shpirtëror me Ipeshkvin Metropolitan Mons. Giovanni Peragine dhe familjes dioqezane të Sapës.

Menjëherë pas meshës, u bë bekimi i salmës së Ipeshkvit tonë dhe trupi i tij u mbart nga disa meshtarë të dioqezës dhe nga dy vëllezërit e tij për të pushuar përjetësisht në kripten e Katedrales.

Kjo dioqezë edhe pse në dhimbje, ishte e mbushur me shpresë se bariu ynë vërtetë nuk është më në mesin tonë, por tani na shikon nga qielli dhe ndërmjetëson për grigjën e tij, dhe mirësia dhe përvujtëria që e karakterizonte do mbetet si një visar i çmueshëm për të gjithë ne.

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme