Më 25 dhjetor Arqipeshkvi, Imzot Arjan Dodaj, kremtoi Meshën e Shenjtë të Krishtlindjeve, në IEVP-ën e Fushë-Krujës. Një ditë e veçantë për vellezërit tanë, që për të parën herë që kur janë në burg, morën pjesë në kremtimin e Eukaristisë, por edhe në historinë tonë paskomuniste është hera e parë që Mesha e Shenjtë u kremtua ditën e Krishtlindjeve në një burg.
Arqipeshkvi u prit nga strukturat më të larta të sistemit penitencial të Shqipërisë dhe nga drejtuesit e IEVP-ës Fushë Krujë: z. Admir Abrija, Drejtor i Drejtorisë së përgjithshme të Burgjeve, z. Paulin Rajta Drejtor i policisë së burgjeve, z. Qazim Hoxha, Drejtor I IEVP-ës, z. Fatjon Sadikaj, shef i policisë dhe z. Besmir Mema, Përgjegjës i Sektorit të Çështjeve Shoqërore.
Imzot Dodaj, në takimin me autoritetet theksoi rëndësinë e misionit të tyre për rehabilitimin e shtetasve, që kanë kryer vepra penale. Shprehu, se humanizmi është çelësi kryesor për të arritur ndryshimin për mirë të vëllezërve tanë në këtë situatë. Gjithashtu Arqipeshkvi u njoh me projektet e realizuara deri tani nga Drejtoria e përgjithshme e burgjeve dhe ato projekte, që janë në plan për t’u realizuar.
Momenti thelbësor i gjithë këtij takimi ishte kremtimi i Meshës brenda në Kishën e Burgut. Aty Arqipeshkvin e prisnin 40 persona me shtetësi të ndryshme, por të gjithë me dëshirën për të marrë pjesë në këtë kremtim kaq të bukur dhe të veçantë.
Arqipeshkvi u lut me ta dhe mbi të gjitha për ta, për familjet e tyre dhe iu kujtoi që lutja kalon çdo mur e pengesë dhe arrin në praninë e Zotit.
Si engjëlli, që për të lajmëruar lindjen e Krishtit zgjodhi disa barinj, ashtu edhe Arqipeshkvi zgjodhi vëllezërit tanë të burgosur për t’ju shpallur lindjen e Krishtit. Ai i nxiti që mos të kenë frikë dhe që shpresa e tyre të jetë e rrënjosur në Zotin, që është mishëruar për ne, në mënyrë që të mundim frikën tonë. Gjithashtu i ftoi që vetëm te Zoti të jenë të drejtuara zemrat dhe mendjet e tyre, sepse Ai është një Atë, që nuk i braktis kurrë fëmijët e Tij.
Në këtë vizitë Arqipeshkvi shoqërohej nga Dom Kreshnik Ivani, Kapelani i Burgjeve, Atë Ferdinant Kodra, Kapelan i IEVP Fushë-Krujë, Atë Massimiliano Spezia dhe Motër Amalorpavam (Amali) Savarimuthu.